Ish-ministri i Drejtësisë në Kosovë, Hajredin Kuçi, është vendosur në pranga me urdhër të Gjykatës Speciale.
Sipas mediave në Kosovë, është arrestuar dhe ish-kryetari i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj.
Telegraf raporton se janë ndaluar edhe ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, si dhe vëllai i heronjve Fahri dhe Bahri Fazliu, Fadil Fazliu.
Djali i Fadil Fazliut, Fahriu para mediave ka pohuar se arrestimi i babait të tij ka ndodhur teksa ai ishte duke shkuar në punë.
“Fadili ka qenë pjesë e UÇK-së, dhe është vëllaiu i Fahri e Bahri Fazliut. Ka qenë vetëm duke shkuar në punë, tashmë ai ndodhet në zyret e EULEX-it”, tha ai para mediave.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se janë duke kryer operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Sipas njoftimit, operacionet e ZPS-së janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).