Tjetërsimi i mijëra metrave tokë të realizuar në zonën e Spitallës, ka çuar në pranga sërish ish-juristin e Kadastrës së Durrësit.
Në fakt, i prangosuri bashkë me 5 persona të tjerë dyshohet se janë përfshirë në një skemë skandali, ku janë tjetërsuar mbi 139 mijë metër katror tokë. Hetimi nisi në muajin prill teksa një qytetar u ankua se iu kishte marrë gjithë toka, ndërkohë që nuk ishte marrë vetëm toka e tij. Kështu Mikel Zaho, ish-jurist i Kadastrës së Durrësit, është arrestuar për herë të tretë, brenda 5 viteve të fundit, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe tjetërsim të pronave në bregdet. Zaho ishte person në kërkim që nga muaji prill i këtij viti. Policia e Durrësit bëri me dije ditën e djeshme se 46- vjeçari nga Durrësi u ndalua pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për këtë vepër penale. Hetimet zbuluan një skemë për përfitimin e paligjshëm të 151 mijë m² tokë në Spitallë të Durrësit.
DENONCIMI I QYTETARIT
Rasti nisi të hetohej në shkurt të vitit të kaluar pas denoncimit të një qytetari se toka e tij, ende në gjyq për njohjen e pronësisë në Gjykatën e Lartë, ishte zaptuar nga dy subjekte, njëri prej të cilëve pretendonte ta kishte blerë pronën nga një kompani tjetër. Hetimet zbuluan shkelje të rënda në procesin e tjetërsimit të pronës. Për këtë rast u arrestuan në prill 5 persona, mes të cilëve dhe Ardit Kërtusha, 33-vjeç, ish-zyrtar i lartë i administratës publike dhe ish-kryetar i FRESSH-it në Durrës, si person nën hetim për këtë skemë.
Hetimet tregojnë se procesi i tjetërsimit të pronës ka nisur në vitin 2019 nga juristi Mikel Zaho dhe është firmosur nga zëvendësregjistruesi, duke anashkaluar drejtuesin e atëhershëm të Kadastrës. Një praktikë për përfitimin e 75,000 m² tokë në lagjen ‘Mirdita’ ishte futur në arkivën e Kadastrës si e regjistruar në vitin 2010. Tokat më pas janë shitur nga përfituesit, duke përdorur punonjës të ndërmarrjes bujqësore të Spitallës si dëshmitarë të rremë. Në këtë skemë janë përfshirë, gjithashtu, Lirim Xhameta dhe të tjerë, duke krijuar një zinxhir të gjerë shkeljesh për përvetësimin e pronës.
Prokuroria e Durrësit ka mundur të zbulojë të gjithë mekanizmin që kanë përdorur personat e përfshirë në këtë skemë, të cilët kanë shfrytëzuar pozicionet në punë dhe administratë për të realizuar tjetërsimin. Sipas të dhënave ndaj tyre rëndojnë dy akuza, por ende nuk është shkuar në procesin final të hetimit, pasi priten hetime të tjera në lidhje me këtë skandal të kryer në zonën e lakmuar të Spitallës.