Ashtu siç kishin paralajmëruar, banorët e 10 fshatrave në bashkinë e Mirditës kanë përshkallëzuar reagimin e tyre në lidhje me degradimin e aksit rrugor Rrëshen-Burrel.
Këtë të premte (20 dhjetor), ata kanë bllokuar këtë aks rrugor, duke kërkuar nga qeveria ndërhyrjen për rehabilitimin e kësaj rruge nacionale, e cila është bërë thuajse e pakalueshme, duke vështirësuar jetën e mijëra banorëve.
Kjo protestë po ndiqet nga afër edhe nga uniformat e policisë, të cilët ishin paralajmëruar për këtë veprim.
Kujtojmë se disa ditë më parë, banorët e fshatit Tarrazh, Mirditë u ngritën në protestë për degradimin e këtij aksi rrugor i cili sikurse thanë ata, është bërë thuajse i pakalueshëm.
Në gjatësinë e rrugës prej 31 km ka rrëshqitje të trasesë dhe dëmtime të asfaltit duke vështirësuar kalimin e automjeteve. Banorët u shprehën se prej dy muajsh mungon dhe mirëmbajtja në këtë segment dhe në këto kushte, i bënë thirrje pushtetit qendror për ndërhyrje.