Teksa shtëpia e “Big Brother VIP Albania 4” pritet të ndezë dritat në mbrëmjen e 21 dhjetorit, janë bërë të ditur së fundmi dhe emrat e opinionistëve për këtë edicion.
Bëhet fjalë për Arbër Hajdarin , i cili vazhdon të jetë prej katër vitesh në të njëjtin pozicion.
Dhe Neda Balluku, e cila ka qenë vetë një banore e Big Brother4 në vitin 2011.
Mirëpo nuk është hera e parë për të pasi e njëjta ka qenë po ashtu pjesë e programit “Për’puthen, në rolin e opinionistes.
Edhe pse emra banorësh nuk janë bërë publik ende, aludohet për disa personazhe që qarkull0jnë në rrjet.
Si një ndër emrat që vjen në “Big Brother” në kërkim të famës është poeti Albi Lushi. Ndonëse një emër disi më i tërhequr nga zhurma e rrjeteve sociale dhe nga daljet televizive, Lushi ka arritur që të ketë publik pas vetes me anë të veprave të tij. Në daljet publike, Albi ka folur edhe për dashurinë dhe historinë e tij të rëndësishme.
Poeti i njohur në rrjetet sociale, Albi Lushi rrëfen në podcastin ‘M’kujto’ të gazetares Çenkuela Hasa se si dashuria e parë e zbërtheu për të nisur krijimtarinë e tij. Lushi shpjegon konceptin e tij për tradhtinë dhe rrëfen përse u nda nga e dashura e fundit.
“E kam pasur shansin të përjetoj dashurinë dhe ngushëlloj të gjithë ata që nuk e kanë provuar. Përjetimet e asaj moshe më kanë bërë të zbërthehem emocionalisht dhe artistikisht. Duhet të të godasë diçka e madhe që të kuptosh realisht se ku je. Ajo ndjenjë më ka bërë jo vetëm të bëj poezi të bukura, por edhe ta vlerësoj shumë një marrëdhënie. Nga e dashura u ndava sepse më trajtoi si qen. Tradhtia është një shkak për pasojë”, u shpreh Albi Lushi. Duket se tashmë poeti romantik pritet të jetë një ndër banorët e shtëpisë, për të çuar më tej artin e tij.
Në rrjet ditët e fundit është përfolur edhe emri i këngëtares Albërie Hadërgjonaj. Artistja prej vitesh është ndër emrat më të dashur të publikut. Me një karrierë mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, Albëria vijon të ketë nga pas shumë fansa. Mediat kanë shkruar ditët e fundit se edhe këngëtarja është ftuar që të marrë pjesë në reality, megjithatë deri më tani, akoma nuk ka dhënë një përgjigje.
Ditët e fundit ajo është rikthyer në Tiranë, ku dhe ka qenë prezente në shumë intervista. Ndoshta ndër rastet e rralla që ajo flet për jetën private, duke dashur kështu të shpërndajë me ndjekësit e saj edhe detaje nga jeta sentimentale.
E nëse do të jetë pjesë e “Big Brother”, jemi të sigurt që më të shpeshta do të jenë historitë e jetës së Albëries. Me pjesëmarrjen e saj në “Përputhen” nuk la shumë mbresa, por jashtë këtij formati, Alba është përpjekur fort që të jetë përherë në qendër të vëmendjes.
Edhe emri i Alba Pollozhanit është përfolur si një ndër banoret e mundshme të “Big Brother”. Vajza, e cila shpesh bëhet lajm për deklaratat e forta që jep, pritet që të jetë pjesë e lojës, ku edhe jemi të sigurt që nuk do të mungojnë skenat e forta që ajo vetë do të ofrojë.
Pak kohë më parë, Alba shkaktoi shumë polemika me deklaratën e saj. Ajo u shpreh e ftuar në emision se “meshkujt nga jugu janë ‘bes-prema’”, gjë që iu kundërvunë nga të ftuarit. Pollozhani vazhdoi t’i qëndronte stoike deklaratës së saj, duke thënë disa herë që nuk i pëlqejnë toskët, por vetëm gegët.
“Unë e shoh jetën time ashtu si unë dua ta jetoj. Unë kam gjithë të drejtën e botës, si çdo njeri që të bëj zgjedhjet e mia. Zgjedhja ime në jetë për momentin është për sa i përket anës së marrëdhënies me një partner, është mashkull verior, biznesmen dhe mysliman”.
Veç emrave që deri më tani janë mësuar, të tjerë dalin në pah. Një ndër to është Renee Reffo. Vajza në fjalë është e bija e aktores Julia Ilirjani, që vitin e shkuar ishte pjesë e formatit “Big Brother”.
E njohur në rrjetet sociale, duket se Renne është gati që këtë vit ta provojë vetë eksperiencën e “Big Brother”. Blogerja ka folur pak kohë më parë, për mundësinë e këtij hapi në karrierën e saj.
Ajo pranoi se është kthyer në Shqipëri dhe po mendon t’i hyjë botës së ekranit dhe “showbiz”-it. Sa i përket BBV, Renee tregon se strategjia që do ndiqte është ‘vetja e saj’ në çdo dimension të mundshëm e megjithatë, thotë që nëse do hynte, kërkon falje paraprakisht për fjalorin e pisët, duke thënë se herë pas here edhe mund t’i shpëtojë ndonjë fjalë e “papërshtatshme”. Dhe tashmë duket se ftesa i ka shkuar për të qenë pjesë e lojës.
Një tjetër emër është edhe ai i Drilon Hoxhës. Aktori dhe regjisori, vitet e fundit ka qenë shumë i angazhuar me projektet e tij filmike që ka sjellë për publikun. Por tashmë, është momenti që publiku ta njohë edhe atë si personazh, krahas filmave që ai prodhon dhe interpreton. Bëhet me dije se aktori do t’i bashkohet kastit në lojë për çmimin e madh prej 100 mijë eurosh.
Tiri Gjoci është një artist i ri në tregun muzikor, por që shumë shpejt ai ka bërë fansa, duke vlerësuar muzikën e mirë, por edhe natyrën e tij prej “playboy”.
Ditët e fundit ka qarkulluar lajmi se futbollisti Eros Grezda mund të jetë një prej banorëve të edicionit të katërt të “Big Brother VIP Albania”.
Për këtë ka reaguar vetë futbollisti, i cili as nuk e ka mohuar dhe as nuk e ka konfirmuar, por tha se shumë shpejt do të merret vesh. “Po pres të dalë dielli”, tha Eros Grezda.
“Pse e nise kaq fuqishëm, pse me gjithë këto pyetje kaq të rënda. Kjo është pyetje e vështirë. Do ta merrni vesh shumë shpejt. Është një ditë me shi, nuk është koha e duhur për të dhënë përgjigje kaq të rëndësishme dhe të forta. Po pres që të dalë dielli dhe…”, tha Eros Grezda në emisionin “Goca dhe Gra”.
I pyetur se çfarë mendonte se do të bënin vajzat nëse ai do të futej në shtëpinë e “Big Brother”, Eros u shpreh se nuk kishte idenë, duke mbajtur një qëndrim të rezervuar.
Ndërkohë, Einxhel, një prej moderatorëve, duke marrë parasysh eksperiencën e saj me emisionet e mëparshme, sugjeroi se përgjigjja e vërtetë do të ishte një “po”, duke lënë të kuptohet se futbollisti mund të jetë një prej banorëve të edicionit të ardhshëm.