Engjëll Cani, babai i Martin Canit që u vra pranë Shkollës “Fan Noli” në Tiranë është pyetur këtë të mërkurë për herë të parë rreth ngjarjes. Deklarimet ai i ka dhënë në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës, për llogari të hetimeve që drejtohen nga Prokuroria e Kryeqytetit, teksa shprehet se nuk është vënë në dijeni nga shkolla apo instancat e tjera rreth një konflikti që ka pasur 4 ditë para ngjarjes i biri me autorin e dyshuar të vrasjes, M.P.
Ai është pyetur nga Oficerët e Policisë Gjyqësore edhe nëse familja e autorit të dyshuar i ka kontaktuar apo takuar pas ngjarjes, teksa Engjëlli thotë se deri më sot nuk ka ndodhur diçka e tillë. Babai i të ndjerit pretendoi se bashkëshortja e tij ka marrë vetëm një telefonatë nga shkolla për çfarë kishte ndodhur, dhe pavarësisht tentativave për t’u lidhur me stafin e shkollës, nuk iu është ngritur telefoni.
Engjëll Cani thotë se atë çfarë ka ndodhur e ka mësuar pasi ka mbërritur në spital. Babait të të miturit të vrarë, i janë kthyer këtë të mërkurë sendet e Martinit, çanta e shkollës me libra, e cila u sekuestrua në vendin e ngjarjes nga oficerët e policisë.
Autori i dyshuar i ngjarjes, gjithashtu 14-vjeçar, ndodhet në masën “arrest në burg”, në pritje të vendimit të Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm, Tiranë pasi e ka kundërshtuar vendimin e Shkallës së Parë me pretendimin se ngjarjen e ka kryer në kushtet e vetëmbrojtjes.