MENU
klinika

Nga Klodiana Beshku

Librat në kohën e internetit: Si të lexojmë më shumë?

27.08.2018 - 10:17

Nga Klodiana Beshku/ 

Është e vështirë të matet se sa njerëz nuk kanë lexuar libra në një vit ndërkohë që është shumë më e lehtë të deduktosh se, në kohën e teknologjisë së avancuar, të gjithë lexojmë më pak libra se më parë dhe më shumë …ekrane.

Jo ekrane televizori, por smartphone-i, lap top-i, tablet-i apo I pad-i.

Mendohet se televizioni ka qenë për shumë kohë mediumi më i pakonkurrueshëm përsa i përket shikueshmërisë për një fakt të thjeshtë: Ndryshe prej ekranit të një kompiuteri ku ty të duhet të përzgjedhësh atë që do të shohësh, ai i televizorit ta sjell të gatshme. Në këtë mënyrë, televizori ka shfrytëzuar në mënyrë brilante një prej veseve antike të njeriut: dembelizmin e mendjes.

Ekuacioni ka qenë i thjeshtë ndër dekada: Sa më shumë dembelë në të menduar të ketë, aq më shumë prej tyre do të ndjekin programin që u ofrohet, e aq më tepër reklama do të shiten. Po ta mendosh mirë, edhe rrjetet sociale janë modeluar sipas këtij shembulli suksesi. Mjafton të rrëshkasësh gishtin dhe aty ke gjithçka që të duhet, pa u lodhur: informacion, risi, sport, politikë, modë, teknologji, opinione, thashetheme.

Madje, në mënyrë edhe më të rrezikshme, pasi të krijohet iluzionin se je ti ai që e kontrollon procesin ndërkohë që mendja qëndron e rehatuar në kulmin e dembelizmit të saj, dhe informacioni që të serviret është përzgjedhur enkas për target group-in e paracaktuar ku ti bën pjesë.

Për të dalë nga ky qerthull, do të na duhet të lexojmë më shumë, në një kohë kur të lexuarit e librave është bërë një luks vetëm për ata që kanë kohën dhe qetësinë e duhur për ta realizuar këtë. Në një botë ku është e vështirë të ndalësh ritmin, ka disa mënyra për t’a mbajtur atë:

Kindle

Kam qenë skeptike mbi këtë objekt teksa imagjinoja librat e mi me aromë letre brenda një kutie elektronike pa jetë, derisa një mikja ime më tregoi se si kindle e kishte shpëtuar. Asaj ia kishte dhuruar i shoqi, një djalë shumë praktik me sa duket, duke qenë se “nuk kishin më vend ku të qendronin në shtëpi prej librave”. Nga biseda doli që kindle na qenka praktik edhe për disa arsye të tjera përveçse kursimit të hapësirës. Mund të kesh disa libra me vete njëkohësisht e të lexosh, ndërkohë që e gjithë familja është në gjumë dhe dritat janë të fikura, për të mos përmendur çmimin e ulët me të cilin mund t’i blesh librat në format për kindle.

E-books

Mund të shkarkohen lehtësisht në celular, nëpërmjet aplikacioneve të ndryshme me ose pa pagesë. Ka kohë që përdoren, aq sa edhe revistat më në zë të modës, përveç kopjes së shtypur, nxjerrin edhe formatin elektronik të saj. Po kështu edhe shtëpitë botuese më në zë tashmë titujt më të kërkuar i botojnë edhe në formatin elektronik.

Përveç faktit se mund të jetë pak e lodhshme për syrin, kopjet elektronike të librave kanë edhe një përparësi: mund të kushtojnë sa gjysma e çmimit të atyre të shtypur. Me gjithë atë kohë që kalojmë me celular në dorë duke lexuar gjithëfarësoj gjërash të padëgjuara e papara, me tituj bombastikë e pa përmbajtje, ndoshta do të ishte më mirë të lexonim ndonjë libër në ekranin e celularit.
Audio books

Këta janë të preferuarit e mi. Më kujtojnë kohën e boom-it të radios, këtij mediumi të pakonkurrueshëm të të gjithë kohërave. Po ashtu sikurse duke dëgjuar radion mund të bësh edhe shumë gjëra të tjera (si të ngasësh makinën në ditë me shi për shembull), edhe me një palë kufje mund të dëgjosh një libër të mirë, madje të lexuar edhe me intonacionin e duhur nëse librin e blen nëpër aplikacione serioze. Kjo ngjet shumë me një ‘old but gold time’ kur në radio mund të dëgjoje përralla për fëmijë, interpretime poezish, madje edhe pjesë teatrale.

Të gjitha format teknologjike të librit të përmendura më sipër, natyrisht që kanë të metat e tyre, fjala vjen: Mungesa e aromës së pakrahasueshme të letrës e të zhurmës së shfletimit (megjithëse në kindle janë munduar t’a kopjojnë me sa kanë mundur këtë të dytën, madje dhe ekranin e kanë bërë mat e si të zverdhur), ajo e idesë së të lagurit të gishtit për të hapur faqen (nuk e bëj më që kur një mikja ime e zgjuar kishte shkruar një status në facebook ku paralajmëronte se të tjerë më parë mund të kishin bërë të njëjtën gjë) si dhe pamundësinë për të bërë shënime (një tjetër mikeshë e ime nuk e honeps dot fare këtë, por e kishte zgjidhur si dikur me rewind në magnetofonët e vjetër).

Gjithsesi, në vend që të merremi me nostalgjira, ndoshta do të qe më mirë të lexonim ose dëgjonim më tepër libra se sa lajme të rreme e thashetheme vip-ash nëpër ekranet tona të celularëve.

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB