Aktori francez Gérard Depardieu është akuzuar për përdhunim nga një balerinë në moshë të re. Balerina ka pohuar të ketë qenë viktimë e dhunës seksuale të ushtruar në datë 5 dhe 13 të muajit gusht, në shtëpinë në Paris të aktorit.
Pas denoncimit të bërë nga vajza e re në moshë, aktori është duke u hetuar për përdhunim seksual. Aktori dhe balerina janë njohur këtë verë. Ata i kishte bashkuar një projekt artistik në të cilin do të punonin bashkë.
Avokati i aktorit 69-vjeçar,Hervé Temime, ka hedhur poshtë të gjitha akuzat për abuzim seksual të ushtruar nga klienti i tij. Ai është shprehur i bindur se hetimi do të provojë pafajësinë e klientit të tij.
Identiteti i vajzës akoma nuk është bërë publik, por sipas mediave franceze mendohet te jetë vajza e ndonjë aktori tjetër të njohur të kinemasë franceze.
Ky lajm ka shokuar kinemanë franceze, për shkak të popullaritetit qe ka aktori në Francë. Depardieu është një personazh sa popullor aq dhe kontrovers për qëndrimet e tij, si për shembull për vendimin që mori për të jetuar në Belgjikë, vetëm e vetëm që të mos i paguante taksa shtetit francez. Ai gjithashtu nga miqësia që kishte me Vladimir Putin vendosi të merrte dhe nënshtetësinë ruse.
Para disa vitesh, ylli i kinematografisë, interpretoi në një film të Abel Ferrara, film i inspiruar nga skandali seksual në të cilin ka qenë i përfshirë Dominique Strauss-Kahn.
Pavarësisht të gjithave, Gérard Depardieu është shumë i dashur, jo vetëm nga publiku, por dhe nga kolegët e tij, të cilët gjithmonë i kanë dalë në mbrojtje.