Lideri i opozitës në Rusi, Alexei Navalny është ndaluar sërish vetëm dy muaj pasi ishte liruar nga burgu.
Mësohet se ai është ndaluar në Moskë shumë pranë shtëpisë së tij. Navalny, 42-vjeç, ka qenë i dënuar disa herë nën akuzat që lidhen me organizimin e protestave anti-qeveritare. Ndërkohë një zëdhënëse e Navalny-it tha të shtunën se arsyeja e ndalimit të tij nuk ishte e qartë dhe se ai po mbahej në stacionin e policisë në Danilovsky.
Kreu i opozitës në Rusi kishte publikuar të shtunën në blogun e tij se në 9 shtator si në Moskë ashtu edhe në qindra qytete të tjera do të mbaheshin protesta kundër qeverisë sa i përket reformës së pensionit.
Në një intervistë për radion Ekth Moskvy zëdhënësja e Navalny-it, Kira Yarmysh tha se ndalimi i Navalnyt nga autoritetet mund të jetë i lidhur me planet për protestën e shtatorit.
Në mars të këtij viti Navalny-t iu ndalua të merrte pjesë në zgjedhjet presidenciale, për shkak se ishte ndaluar disa herë më parë.
V.SH