MENU
klinika

Intervista

Nazarko:Qeveria nevojë për figura të reja

23.08.2018 - 11:21

Këtë sesion parlamentar, analisti Mentor Nazarko në një intervistë për Report Tv e parashikon edhe më konfliktual jo vetëm mes mazhorancës dhe opozitës.

“Sezoni i ri po afrohet, zgjedhjet lokale po afrohen, kur përgjithësisht partitë politike po simulojnë një luftë politike më të fortë se sa më përpara”, thotë Nazarko.

Afrimi i zgjedhjeve lokale, thotë analisti, do të jetë një arsye edhe për marrëdhënie jo të mira mes dy partive në opozitës, PD dhe LSI.

“Është një test në fakt edhe për bashkëpunimin LSI-PD. Këto zgjedhje pra ofrojnë rast për bashkëpunim por njëkohësisht rast për një përçarje të thellë”.

Sa i përket paralajmërimeve për vjeshtë të nxehtë, Nazarko shprehet se, kjo ndodh çdo fillim sesioni, ndërsa thotë se opozita që të jetë efektive, duhet të braktistë mënyrën e të bërit opozitë me të njëjtat forma.

“Të bërit opozitë nuk është më e stilit të vjetër, të paraardhësit të Bashës, e stilit të Berishës por bëhet një opozitë e stilit të ri, një opozitë e stilit perëndimor. Çka do të thotë që, opozita nuk merret me këtë lloj lufte politike personale duke zëvendësuar prokurorinë, duke bërë akuza me karakter penal por merret me propozime, merret me vizion”, thotë analisti.

Pavarësisht situatës konfliktuale, analisti Nazarko propozon një marrëveshje afatmesme mes maxhorancës dhe opozitës, për miratimin e reformave të rëndësishme. Sipas tij, ekzistojnë këto modele që funksionojë.

“Ose e tipit kroat, e cila është minimaliste në prag të integrimit kur partitë kryesore të opozitës dhe ato të qeverisë arritën konsensus për të kaluar ligjet e reformës ose një qeverisje më bazë të gjerë të stilit gjerman, ku dy partitë kryesore bëhen bashkë për të zhvilluar, për të miratuar dhe për të jetësuar reformat themelore, strukturore të vendit që e modernizojnë atë”.

Ndryshime sipas analistit duhet të ndodhin edhe në qeveri. Sipas tij, qeveria është pa frymëzim dhe ka nevojë për figura të reja. Si sektorin më problematikë, Nazarko veçon ekonominë.

“Imagjinoj që po, sepse ai vetë e kupton kjo qeveri është pa frymëzim. Qeverisja ka nevojë që të afirmojë figura të reja për të nxitur ndonëse është vonë, krijimin e një modeli të ri të zhvillimit ekonomik, do një zhvillim ekonomik i mbështetur mbi prodhimin”.