Dhe ja ti tashmë je mbret në një treg të rikosntruktuar me shije që të duket si mbretëreshë, po që fsheh rroba të stisura. Nga pas kurorës së mureve të pallateve të vendosur bukur ngjyra-ngjyra nxjerr krye godina e rikonstruktuar e tregut me hallet e saj të vjetra.
Problem i parë që has në një treg të lyer bukur është karaktina e saj. Treg i hapur për verë të nxehtë dhe i ftohtë për dimër. I vogël për vizionin e Bashkisë. Nuk ka vend për fshatarët e shumë fshatrave rreth e rrotull Tiranës.
Në radhën e parë të tendës shikon prodhime industriale të vjetra, shumë të lakmuara për t’u parë nga vizitorët, pak të blera nga ata. Turistët e huaj janë vizitorët më të zellshëm e të duruar që vijnë tërthorazi. Selfiet dhe fotot nga ana e tyre nuk mungojnë, dëshmi që duan të lënë në këtë treg të rikonstruktuar.
Radha e parë të ofron prodhime artizanale, industriale, xhingla-mingla. Aty ka që nga fotot e Enver Hoxhës, Teserat e Partisë e deri tek dylbitë e ushtrisë, unazat e sermit të kohëve të kaluara, orë të përdorura, apo tespie shumëngjyrëshe.
Në këto stenda çikërrimat i ftojnë njerëzit me nge e dredhi që t’i blejnë. Objektet industriale të kohës së kaluar që marrin statusin klasik janë nga më të ndryshmet, të shumëllojshme, ndonjëherë demode si të kaluara kohe, ndonjëherë simbolike. Bukuria më shumë se funksioni ngopës është dehës, ndonjëherë vrasesë e heshtur. Ish udhëheqësi i vjetër nuk mungon në foto e kallëpe miniature busti, por mungojnë një sërë produktesh të zakonshme.
Koleksionistët hedhin nga një sy andej një sy nga ushqimi. Duket sikur bollëkun e tregut nuk e sjell tregëtari nevojtar, por Enver Hoxha i radhës së parë. Aty –këtu ka revista të kohës së komunizmit të cilat paraqesin femra të gëzuara e të motivuara në kopertina, të gëzuara ishin, por nën terror.
Tregu gumëzhin në pikun e punës së tij, problemet gumëzhijnë nëntë më me forcë se tregu.
Problem i parë që nuk duket në treg ëshë homogjeniteti i ofertave që shiten, ose njëjtësimi i markave. Ky është një nga problemet themelore nga variojnë një sërë problemesh të tjera dhe sjellin si pasoja deformimin e kërkesë-ofertës.
Mallra me markime të njëjta produktesh janë të mbivendosura bukur në treg, këtu mbizotëron vetëm ulliri i Beratit, arra e Dibrës, domatja e Zall-Bastarit, perimet e Divjakës, mjalti i majit dhe i shumëlulëshit. Frutat e thara të shumëllojshme po të njëjta te të gjithë tregëtarët dhe erëza po të njëjta.
Uji që qëndron në të njëjtin vend kthehet në kënetë, qelbet, kështu dhe puna e artikujve të njëjtë. Çfarë problem ka kjo me produktet?
Problem themelor është se si ka mundësi që nën petkun e Beratit një Tiranë të mbahet vetëm me ulli, me arrën e Dibrës të furnizohet një Tiranë e tërë, me një bulmet jugu të mburremi sikur kemi esencën e produkteve të bulmetit.
Po Tirana a ka bulmet, po Tropoja, po Thethi, po Dibra, po Pogradeci, Korca, Kruja ku janë futur? Ku janë të vendosura këto në dyqane në treg? Po bulmeti i bërë me niseshte ku do të futet vallë, me cfarë etikete aty? Trebeshine?
Ulli gjen dhe në Tiranë dhe në Elbasan, a mund të kemi ullinj tirane në tregun e ri të Tiranës, pse mungon Elbasani në tregun e Tiranës, përse u bë autostrada? Në ç’vrimë të miut është futur gjithë ai djathë, sa minj e hanë djathin e Pukës, Krujës, a Sarandës dhe sa hanë lekun e klientëve që ngopen me niseshte e gjizë të presuar në formë djathi.
Nga kjo del si karakteristikë që etiketat apo origjina e produktit fsheh një të vërtetë të dhimbshme. Ato theksojnë steriotipe të produkteve, pra nën petkun mbretëror kemi bluza plot arna të rrjepura. Në vend të ullirit të zakonshëm nuk është problem t’i ngjisim një Berat. ‘’O Berat ç’e pate fat, u bëre me kombinat’’. Elbasani një orë larg me autobus, po më i mirë është ulliri i Greqisë që bombardon Tiranën. Elbasani nuk bën, Greqia me ullirin, Maqedonia me kashtën, mollën, dardhën, rrushin, kinezi me erëzat e skaduara bën.
Problem tjetër i njëjtësimit të produkteve fshihet diçka më e dhimbshme, fshihet larmia e produkteve. Nën petkun e një grushti produktesh që nuk e plotësojnë larminë e dëshirave të njerëzve, tregu orienton një ofertë shumë të ngushtë. Ky lloj problemi deshifrohet më mirë me perimet e stinës. Franca ka 30 lloj domatesh, Italia 20 lloj Luleshtrydhesh, por Tregu i Ri i Tiranës ka vetëm një lloj domateje, të Zall-Bastarit.
Ku dreqin janë futur gjithë ato domate e gjithë fshatrave të Tiranës, Durrësit, Elbasanit që janë qytete afër Tiranës.
Kanë a s’kanë tokë, ujë, diell për domate?! Mos përmendim Lezhën e Shkodrën që e përmbyt me domate Tiranën me fushat e saj nga Sheshi i Ri Tiranës deri tek Tregu i Ri. Bashkë me Myzeqenë, Tirana e bën domaten si farë luledielli dhe e mbush me domate bukuroshe e të shëndetshme gjithë shëtitoren e zbukuruar.
Tirana ka 166 fshatra, Durrësi 66 fshatra, Elbasani 149 fshatra. Së bashku bëhen 381 fshatra që do lakmonin që të shisnin te një Treg të Ri të rikostruktuar apostafat nga Bashkia për ta dhe e tejmbushur me vizitorë e blerës. Me nder 380 fshatra nuk denjojnë të shesin domatet e tyre te Pazari i ri, refuzojnë, ose nuk munden, nuk e kapin dot këtë bukuri që është bërë për ta.
Nuk e duan këtë bukuri, mbase frikësohen nga taksa, mbase nga transporti, ose nuk kanë me çfarë të frikësohen se prodhojnë domate sa për të mbajtur frymën gjallë e jo për të shitur. Megjithatë trasporti vlen dhe për Zall-Bastarin që duhet t’i ngreje një përmendore domates së saj të mrekullueshme dhe t’i falet nga tre herë në ditë.
Origjina e domates është vetëm nga Zall-bastari apo Divjaka, kaq. Domatja tjetër e 380 fshatrave nuk dihet ku shkon, ose kalbet si mollët e Korçës, hidhet në lumë si qepët, e hanë mizat e grerëzat e 380 llojëshe të fshatrave të zonës.
E njëjta logjikë me perimet e Divjakës dhe gjithë produkteve të tjera. Çmimi i produkteve të Divjakës është i njëjtë në të gjithë tregun, kjo tregon që konkurrenca nuk luan rol më shumë se marrëveshja e heshtur e tregut që shikojnë vëngër kur një blerës kërkon të njëjtin mall po në stendën përkarshi.
Në ligjësitë ekonomike kërkesë-oferta është mbreti, sa më shumë konkurrencë të ketë, aq më tepër ulen çmimet, kjo ndodh kudo në botë. Në kushtet tona ndodh e kundërta, sa më shumë ka kërkesë blerësish, aq më tepër ka rritje çmimi. Kjo tregon se ne nuk jemi në kushtet e konkurrencës.
I gjithë tregu domaten e Zall-Bastarit e ka 1600, 1500 lekë të vjetra, ka dhe me 1800 lekë. Të hash domate me 1600 lekë të vjetra në gusht të ngecet në fyt, është si produkt për drejtor drejtorie me 800 mijë lekë në muaj e sipër. Po e njëjta logjikë është për të gjitha perimet, blerësit mbledhin buzët kur shohin çmimet.
Në kushtet e tregut të ri, oferta mbisundon ndaj kërkesës, ajo të ofron të njëjtat gjëra dhe si do ajo, oferta është mbreti, jo blerësi. Kushtet ku nuk ka larmi dhe kur rriten çmimet ofrojnë panoramën e logjikës ekonomike oligopoliste me kah nga monopoli. Tregtari për nga lakmia e një sistemi ekonomik kombëtar të pa stabilizuar do fitim maksimal në kostot sa më të ulta. Kostot mundësisht drejt zeros për një fitim më të madh. Dëgjon nën zë më pas që fitimi maksimal i ka bërë lakmi e babëzi tregu.
Në këto kushte fshatarit i bëhet presion për çmimin, sa më të ulët që të shitet në treg, aq më lartë për fitimin maksimal të tregëtarit. Fshatari nuk mund ta ndjekë dot mallin e tij në treg, por është i detyruar ta japë me çmim sa më të ulët.
Deri në festat e Vitit të Ri çmimet me këtë logjikë shkojnë në stratosferë dhe të njëjtat gjëra shiten. Fshatari me mundin e viteve, nuk blen dot ilaçet e tij, e jo më farat e ushqimeve. Brezi i ri detyrisht do të arratiset në emigrim në një zhgënjim që quhet ‘ekonomi e çlirëzuar shqiptare’.
Në qoftë se ke një sy të vëmendshëm si blerës shikon se prodhimet bujqësore vyshhken shpejt, shpejt e shpejt tregëtarët heqin pjesët e vyshkura te lakrat, qepët, specat etj, dhe i sjellin si në terezi për t’u shitur presin pjesët e kalbura. Vetëm me këto produkte mund të ketë ulje çmimi.
Pra produktet, megjithëse ka shumë blerës ardhacakë, shumë vizitorë, vyshken kur duhet të ndodhte e kundërta, për pak orë tendat duhet të ishin zbrazura nga ushqimet, tendat nga ana tjetër qëndrojnë të tejmbushura në shumësinë e vizitorëve që shikojnë e pyesin me kureshti për mallin e njëjtë si dhe çmimet.
Për nga oferta mbizotërojnë disa lloj produktesh steriotipe. Korça mbizotëron për Qepët, patatet, mollët, kumbllat, Berati për ullirin, shalqinin, Dibra për arën, kukësi për pataten, Tepelena e Gjirokastra për djathin.
Një kategori tjerër produktesh nuk ka origjinë po ndodh i njëjti fenomen, të gjithë e kanë rrushin 1200-1300 lekë të vjetra në dy versione, të bardhë dhe të zi. Të gjithë i kanë kumbllat e stinës 600 lekë, të gjithë hudhrat 1800-2000 lekë të vjetra, të gjithë kanë të njëjtat hudhra si madhësi, të gjithë tranguj me madhësi të njëjtë, patëllxhanë, pamje, kastravecë me po të njëjtat përmasa që të sjellin ndër mend hormonin. Të gjithë duken të shqetësuar në lutjet e tyre, të gjithë të sforcuar.
Një problem tjetër themelor për tregun është saktësia e produkteve. Nën zë shitësit që nuk duan të identifikohen të thonë se ka dhe mall të pastër bio, dhe mall me hormone, varet nga çmimi.
Ka dhe djathë me niseshte, vaj ulliri që stistet me vaj pushke, hudhra kine, presh hungarez, erëza që shahen nga një tregëtar për tregëtarin për karshi si të skaduara, dhe të gjitha këto afër hundës së fotove të shokut Enver Hoxha në fotot dhe librat e tij të stendave të xhingla-minglave. Institucionet heshtin kur duhet të flasin dhe flasin kur duhej heshtur, kontrollorët shohin gjithçka dhe asgjë.
Ka një sërë tregëtarësh që shesin mjaltë. Në pamje të parë të lëshon lëng goja kur shikon hoje bletësh, apo dyll që përforcojnë markën, kavanozat e mjaltit të mbushura me mjalt gështenje, akacie, shumëlulesh, por rivalët hedhin në erë njëri-tjetrin.
Këtu, në histori të shokëve konkurrenca funksionon, kurse në çmime nuk funksionon asnjëherë, ajo është marrëveshje e heshtur, dorë e fshehtë që i mban çmimet njësoj. Mëson se vjen esencë nga Maqedonia dhe mjalti është sheqer i zier mirë me esencë, në pamje të parë kur e provon duket njësoj si mjaltë, i mirë, mirësi që vret ngapak dhe kostoja e mjaltit shkon 14 000 lekë të vjetra.
Erëzat e skaduara vijnë nga India, duhet të kesh kujdes se India ka, dhe erëzën më të mirë, dhe erëzën e skaduar, edhe Kina bën të njëjtën gjë, varet sa lekë ofron. Fitimi maksimal e ka shkatërruar tregun. Po AKU ku është aty, duhet të ishte aty ditë për ditë, jo vetëm aty po në të gjitha tregjet.
Një problem tjetër që shtyn problemet e mësipërme është se mallrat e importit po dynden në tregun shqiptar dalëngadalë dhe fuqia e fshatarit për të kapur veten si person i denjë në treg po shterron. Këto produkte janë të shumëllojshme, që nga errëzat e deri tek bananet, që nga dardhët, mollët e lara, domatet e ndryshme, rrushi, shumëllojshmëri arroresh, frutat e thara me çmime të kripura që nuk ulen kurrë dhe qëndrojnë me të njëjtin çmim gjatë gjithë vitit, vijnë nga Ekuadori e rrugës për në Argjentinë shtohen edhe më, e kur afrohen në Spanjë e në Ballkan, i bien si nga Greqia për të sjellë mallin më të dobët.
Rruga për në Kinë e bën produktin si kripa, mallin e rrit qiraja rrugës deri në Durrës. Por për çudi të madhe ndodh e kundërta, Kina e sjell produktin më të lirë se prodhimi i vendit dhe e detyron prodhimin vendas të gjynjëzohet. Bashkë me Kinën gjithë ato shtete që na detyrojnë të marrin çdogjë, qoftë dhe ato produkte që i kemi me shumicë si domatet, hudhrat. Dhe tregu më shumë se klientët kënaq njerëzit kur freskohen në çezmën afër tij.
Produkte të veçanta si xhenxhifili duhet të mendohesh dy herë pa ta blesh për nga shtrenjtësia në 3 000 lekë të vjetra deri në 4 000. Bukur futesh në treg dhe del po bukur i tronditur që nuk e mbush dot qesen, kur aty qeset e udhëtarëve duhet të justifikonin çmimin që mori Pazari i Ri në Londër.
Tregu i bukur duket sikur të vret. Gjithë ai investim që i shërben, jo fshatarëve dhe qytetarëve, po çmimeve të larta, produkteve të njëjta, të skadura, apo të manipuluara që fshehin të dhimbshmet paralele të mjerimit shqiptar në treg.
Ne ushqehemi me mjerimin tonë.