MENU
klinika

Punësimi i brishtë

679 mijë shqiptarë punojnë pa rrogë

22.09.2018 - 11:51

Një nga pesë të punësuar në Shqipëri punon për… familjen. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për vitin 2017 të vetëpunësuarit në familje përbënin 20.1% të numrit total të të punësuarve në ekonomi. Kjo shifër është në rënie nga shkalla prej 24% e vitit 2016, por sërish numri i të punësuarve pa pagë në Shqipëri është mjaft i lartë dhe llogaritet në afro 251 mijë.

Kategoria e të punësuarve pa pagë zë ende një peshë mjaft të lartë në tregun e punës. Po t’i shtojmë kësaj shifre edhe rreth 428 mijë të vetëpunësuar pa pagë në aktivitetet e tyre private, në total janë rreth 679 mijë shqiptarë ose rreth 59% e gjithë numrit të të punësurave që hyjnë në kategorinë e ashtuquajtur “punësim i brishtë”.

Ai klasifikohet si i brishtë, sepse, ose nuk siguron të ardhura në rastin e të punësuarve pa pagesë në familje, ose bart më shumë rreziqe për punësimin afatgjatë, në rastin e të vetëpunësuarve. Aktivitetet e vogla private ku individët janë të vetëpunësuar, për shkak të përmasave, kanë konkurrueshmëri më të ulët dhe japin pak siguri për punësim dhe të ardhura afatgjata. Për disa dekada, vetëpunësimi familjar ka mbijetuar sidomos falë nivelit të lartë të informalitetit. Në këtë tregues, diferencat me ekonomitë e tjera janë mjaft të mëdha.

Për shembull, në Maqedoni punësimi i brishtë përbën 23% të totalit, në Bosnje Hercegovinë 25% dhe në Serbi 29%. Në vendet më të zhvilluara kjo përqindje është, mesatarisht, në nivele edhe më të ulëta. Pesha shumë e lartë e punësimit të brishtë në tregun shqiptar të punës mund të interpretohet kryesisht me përmasat e vogla të ekonomisë dhe me nivelin e ulët të zhvillimit cilësor të sipërmarrjes private.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Përfshihen 76 mijë punëkërkues

Ahmetaj: Trajnim i detyrueshëm për të papunët