SHBA vendosi pardje një taksë doganore prej 200 miliardë dollarësh për mallrat e importit nga Kina. Në një volum shkëmbimesh tregtare vjetore prej rreth 633 miliardë dollarë (surplus i Kinës 373 miliardë 503-130) kuptohet se është një masë dragoniane.
Duket qartë se tashmë muaji i mjaltit SHBA-Kinë mund të quhet i përfunduar. Kina ka filluar të trajtohet nga SHBA në të gjitha parametrat si rivali strategjik numër një për gjithë interesat globale amerikane.
Nuk jemi akoma në termat klasikë të një Lufte të Ftohtë të re por hapat që po hidhen me shpejtësi nëkuptojnë se trajektorja të çon në këtë drejtim.
A është në gjendje Kina të përballojë një Luftë të re të Ftohtë apo mund të ndjekë fatin e BRSS?
Në fakt ajo që e studioi në detaje shkatërrimin e BS ishte Partia Komuniste e Kinës që pikërisht nga kjo analizë përcaktoi hapat që duheshin hedhur për të mos patur të njëjtin fat. Kinezët arritën në konkluzionin se shkaku kryesor i rënies së BS ishte roli i Sekretarit Gorbacov që nuk arriti të kryente reformat e duhura .
Dhe në të vërtetë komunistët kinezët arritën të sajojnë një lloj amalgame midis nacionalizmit, konfucizmit, Marksit, Adam Smithit dhe ia kanë dalë të adaptohet në çdo situatë që kalon vendi.
Kjo ka krijuar një lloj sistemi hibrid që mungon në të gjitha teoritë e deritanishme të organizimit politik ku një regjim autoritar (mjafton të përmëndim Tienanmenin) mbështet një ekonomi tregu pa abandonuar idealet socialiste. Një rebus i vërtetë por që deri tani po funksionon.
Komunistët kinezë kuptuan që e vetmja mënyrë që të mbanin pushtetin ishte vetëm rritja e efektivitetit ekonomik me efekte të prekshme për gjithë kinezët . Dhe në 25 vjet Kina arriti që të ardhurat për frymë nga 333 dollarë në 1992 t’i çojë në 7329 dollarë në 2017.
Në pamje të parë Kina në këtë moment është ekonomia më dinamike e botës me një rritje mesatare vjetore prej 7% në 20 vjet resht. Por sic duket mbrapa perdes problemet për të cilat ra Bashkimi Sovjetik kanë filluar të shfaqen.
Në fakt 3 shkaqet kryesore për të cilat ra BS ishin ekonomia, gara e armatimit dhe shpërdorimi i rezervave. Siç duket tashmë edhe për Kinën këto do të jenë sfidat më të mëdha.
1 – Ekonomia. Pavarësisht treguesve makro-ekonomikë ka filluar të ketë probleme serioze. Në fakt ekonomia kineze sot nuk mund të krahasohet me ekonominë e BS por në raport me efiçencën e ekonomisë amerikane ka një diferencë jo të vogël strukturore.
Kina ka një situatë jashtëzakonisht të komplikuar financiare. Megjithëse niveli i borxhit shtetëror është reth 49% të GDP, borxhi i familjeve është rreth 40% kurse borxhi i kompanive private dhe shtetërore është 2 herë GDP e Kinës. Kështu në total Kina është e indebituar në rreth 300% të GDP. Një shifër e frikshme që bën të dridhet çdo ekonomist. Do të mjaftonte një seri falimentimesh private për të nisur një apokalips financiar. Dhe Kina nuk është një vend me eksperiencë të madhe në këtë fushë.
Një problem shumë i madh i Kinës është se 50 % të borxhit e kanë kompanitë shtetërore të cilat gëzojnë një mbështetje të fuqishme nga qeveria dhe nuk kanë efiçencën e kompanive private. Kina ka një dilemë të madhe. T’i mbylli këto do të thotë një vetëvrasje politike pasi në to punësohen miliona kinezë. Nga ana tjetër mbajtja e tyre në mënyrë të sforcuar sidomos në kushtet e luftës tregtare me SHBA vetëm sa largon fundin por që sidoqoftë një ditë jo të largët do të vije me gjithë pasojat.
2 – Një nga arsyet themelore të rënies së BS ishte naiviteti i tyre për tu futur në një garë armatimi tepër të kushtushme me shtetin me të pasur të botës SHBA duke rrënuar gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë që në fund të fundit përcaktuan edhe fatin e gjithë sistemit politik.
Edhe Kina po bën të njëjtin gabim. Ka filluar një garë armatimi mjaft të ethshme. Kina shpenzon rreth 150 miliard dollarë në vit kundrejt reth 700 miliardë të SHBA, por kjo është vetëm ajo që deklarojnë zyrtarisht pasi mendohet që me fondet nga sektorët e tjerë kjo shifër shkon në 228 miliard dollarë.
Dhe po të mendosh se ky është një vend që nuk ka baza ushtarake jashtë (SHBA ka reth 600) është një shifër kolosale.
Planet e Kinës për riarmatim janë me të vërtetë të frikshme. Kina synon që për 10 vitet e ardhshme të ndërtojë 6 aeroplanmbajtëse dhe po kaq grupe luftarake detare me një vlerë prej 100 miliard dollarë, Gjithashtu ajo synon që të arrijë në 100 nëndetëse sulmi kur SHBA dhe Rusia kanë nga reth 60 secila. Investime kolosale po kryhen në aviacion dhe armët hipersonike dhe hapësinore.
Një program i tillë armatimi kaq i kushtueshëm nuk do të jetë i lehtë për t’u përballuar edhe nga ekonomia dinamike kineze për një kohë të gjatë.
3- Bashkimi Sovjetik harxhonte shifra kolosale për të mbajtur të ashtuquajturin Kamp socialist duke financuar vende praktikisht të falimentuar me pasoja të rënda për ekonominë ruse.
Edhe Kina megjithëse nuk mbështet ideologji të caktuara dhe nuk tenton të përhapë komunizmin në botë si BS, përsëri harxhon shuma të mëdha për vëndet mike. Edhe shumë projekte gjigande më shumë dominohet nga interesa globale dhe politike se nga eficenca ekonomike.
Vërtet Kina sot ka mbi 3 triliardë dollarë rezerva valutore por në midterm politika të tilla dhe aq më teper kriza ekonomike financiare të paparashikushme mund të japin goditje devastante.
Pra po të shikosh me kujdes jo çdo që shkëlqen në Kinën e sotme është ar. Me gjithë përkujdesjen e komunistëve kineze, hija e frikshme e rënies së BS shfaqet herë pas here në horizont.
Ambicia e tyre për të kapur dhe tejkaluar SHBA është si rrjeta ku shumë kanë rënë brenda pa e kuptuar. Këtë ëndërronte edhe Bashkimi Sovjetik por të gjithë e dimë se si përfundoi .
Në fakt, për hir të së vërtetës BS nuk arriti kurrë të kishte një peshë të tillë në zhvillimet ekonomke botërore që ka sot Kina. Dhe nuk është e thënë apriori që Kina mund të ketë fatin e BS.
Fakti që ata arritën ta shpëtojnë sistemin e tyre komunist pas vitit 1990 tregon se në asnjë rast nuk duhen nënvlerësuar aftësitë e tyre të përshtatjes. Janë në fakt një nga popujt me një qytetërim mijëravjeçar dhe me një potencial zhvillimi me të vërtetë të admirueshëm.
A do të arrijnë ata që siç i shpëtuan tsunamit të vitit 1991, që rafshoi gjithë botën komuniste në Europën Lindore, t’i shpëtojnë edhe një tsunami të ri që po duket në horizont edhe pse për momentin në fazë latente?
Kjo do të jetë një nga sfidat më të mëdha të këtij shekulli që padyshim do të ketë pasoja globale .