MENU
klinika

HEC i Kalivaçit

Arbitrazhi: Becchetti 7 mln euro kompensim

15.09.2018 - 17:10

Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit ka vendosur të rrëzojë padinë e kompanisë “Hidro SRL” të biznesmenit Francesco Becchetti ndaj Shqipërisë për hidrocentralin të Kalivaçit. Në vendimin e saj, Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit ka vendosur që kompania e biznesmenit italian t’i paguajë 7 milionë euro si dëmshpërblim shtetit shqiptar për mos ndërtimin e hidrocentralit të Kalivacit.

Kalvari i gjyqeve mes kompanisë “Hidro SRL” dhe shtetit shqiptar, nisi prej vitit 2014 kur biznesmeni italian Francesco Becchetti paditi Shqipërinë në Gjykatën e Arbitrazhit duke kërkuar zgjidhjen e koncesionit të Kalivaçit dhe 137.3 milionë euro dëmshpërblim. Në argumentin e tij, Bechetti pretendonte se ishte shteti shqiptar ai që e kishte penguar ndërtimin e hidrocentralit.

Republika Shqipëria paraqiti kundërpadi në këtë proces ku pretendoi se, pavarësisht nga mirëbesimi dhe vullneti i mirë që ka karakterizuar gjithmonë Shqipërinë në lidhje me zbatimin e këtij koncesioni, paditësi ka qenë në shkelje dhe mospërmbushje të kontratës së koncesionit, për fajin e tij, duke i shkaktuar në këtë mënyrë një dëm prej € 158,000,000.00 (njëqind e pesëdhjetë e tetë milionë euro).

Krahas pagesës së këtij dëmi, Shqipëria kërkoi edhe pagesën e kamat-vonesave për mospërmbushjen e kontratës deri në vlerën prej €12,900,000.00 (dymbëdhjetë milionë e nëntëqind mijë euro) si edhe të kostove ligjore dhe të procesit të arbitrazhit.

Në janar të këtij viti, trupa e gjykimit vendosi që të rrëzojë të gjithë pretendimet e paditësit, duke e ngarkuar këtë të fundit me faj për mospërmbushjen e kontratës dhe me pagesën e kamat-vonesave deri në vlerën e cituar më lart dhe të të gjithë kostove ligjore dhe të procesit të arbitrazhit të pësuara nga i Padituri, në një vlerë prej rreth €1,258,642.00 (një millonë e dyqind e pesëdhjetë e tetë mijë e gjashtëqind e dyzetë e dy euro).

Ndërsa tha se në një vendim të dytë do të vendoste vlerën e dëmshpërblimit që paditësi do të duhet t’i paguajë Shqipërisë për mospërmbushjen e kontratës së koncesionit, vendim i cili u mor, vetëm pak ditë më parë.