MENU
klinika

Deklaratat

Arrestimi i djalit të deputetit, reagimet e palëve

30.09.2018 - 16:52

Çështja e dhunimit të vajzës nga Kruja, Xhisiela Malokut, nga djali i deputetit Rrahman Rraja, Rexhep Rraja, ka ndezur mjaft atmosferën politike në vend, për shkak të përfshirjes në histori të deputetit socialist.

Pak ditë pas publikimit të këtij rasti erdhi dhe arrestimi i dhunuesit Rexhep Rraja, nga Gjykata e Krujës, e cila vendosi masën e ‘arrestit me burg’.

Arrestimi i tij ka sjellë reagimet e forcave politike në vend, njëra palë duke sulmuar e tjetra duke inkurajuar drejtësinë.

rama konica.al
rama konica.al

Kryeministri Rama ka shkruar me anë të një statusi në Twitter lidhur me barazinë ndaj ligjit si qëndrim kryesor i këtij shteti.

“Ndryshe nga ata që dje u bënë mburojë e të kërkuarve nga drejtësia duke i hapur luftë prokurorisë dhe sot po ridhunojnë vajzën për politikë,ne mbështesim drejtësinë e barabartë për të gjithë gjithmonë.Inkurajoj prokurorinë të mos ndalet deri në fund #eGjithëVëmendjapërVajzën”

Nga ana tjetër kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, nuk ka lënë pa përmendur në shkrimin e tij Bashën që pak ditë më parë e akuzoi pë shpifje në Prokurori në lidhje me përfshirjen e tij në këtë ngjarje.

balla konica.al
balla konica.al

“Përpara ligjit ne jemi të gjithë të barabartë përveç Saliut, Lulit dhe atyre që i shpëtuan prokurorisë, fale Saliut dhe Lulit që nuk i zbatonin urdhërat e organit të akuzës.
Barazia para ligjit për ne nuk është sllogan po parim themelor në fjalën tonë, në reformat dhe qendrimet tona.

Ndalimi i djalit të deputetit na ndan qartë edhe njëherë nga ata që kemi përballë!

Sepse jo vetem nuk e pengojmë prokurorinë dhe as protestojmë kundër saj, po e mbêshtesim plotësisht.
Drejtësia duhet ta thotë fjalën e saj deri në fund dhe shpresoj shumë që edhe autorët dhe heroi i Babale dyshit të marrin atë që ju takon nga organi i akuzës!”

Nuk ka ndenjur në heshtje as opozita lidhur me arrestimin e Rrajës ku me anë të një deklarate ka sulmuar përsëri autoritetet se ky arrestim sipas tij është një truk.

Lulzim-Basha-konica.al
Lulzim-Basha-konica.al

“Arrestimi i djalit përdhunues të deputetit të PS është prova se gjithë vemendja e Edi Ramës këto dy muaj dhe e Prokurorisë nën urdhrat e tij ka qenë për të mbrojtur përdhunuesin dhe zyrtarët e deputetët e tij, të përfshirë në krim.

Arrestimi i djalit të pushtetarit erdhi vetëm pas bërjes publik të rastit nga nënkomisar Emiljano Nuhu, duke provuar vërtetësinë e dëshmisë së tij.

Por arrestimi i djalit të deputetit të Edi Ramës vetëm nën presionin e lartë publik, është i pamjaftueshëm dhe një truk për t’i vënë kapak një skandali më të madh politik: përfshirjes direkte të disa prej pushtetarëve më të lartë të vendit në krimin e mbulimit të torturimit të vajzës nga djali i deputetit të Edi Ramës.

Arrestimi i djalit të deputetit të PS është një truk për të mashtruar opinionin publik, sepse në burg, bashkë me të, duhet të ishin shefat e komisariateve që, gjatë gjithë këtyre muajve, mbajtën anën e kriminelit dhe jo të vajzës së dhunuar apo të policit të kërcënuar.

Arrestimi i djalit të deputetit të deputetit të PS Rrahman Rraja është hile për të mashtruar publikun, sepse Ministri i Brendshëm, Prokurorja e Përgjithshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë e fshehën krimin dhe nuk zbatuan ligjin, pavarësisht se ishin vënë zyrtarisht në dijeni nga oficeri i policisë Emiljano Nuhu”.

Ndërkohë Policia, në një reagim zyrtar ka dklaruar se akuza për të cilën u arrestua Rraja, ishte ajo e përndjekjes.

“Specialistët e Komisariatit të Policisë Krujë në bashkëpunim me Forcat Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës bënë kapjen me qëllim ekzekutimin e Urdhrit të Prokurorisë Krujë mbi bazën e Vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, nr.189 dt. 29.09.2018, e cila ka vendosur masën e sigurisë ‘Arrest me burg’ për shtetasin Rexhep Rraja 24 vjeç, banues në Krujë. Ai akuzohet për veprën penale ‘Përndjekja’ parashikuar në nenin 121/a të Kodit Penal. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN