Jean-Claude Juncker ka dhënë sinjalin e tij të qartë se BE nuk do ta pranojë planin e Theresa May për të mbajtur Britaninë në tregun e përbashkët pas Brexit.
Presidenti i Komisionit Europian tha se pjesë e tregut të përbashkët mund të jenë vetëm vendet e bllokut.
“Ne e respektojmë vendimin britanik për të lënë Bashkimin , edhe pse vazhdojmë të pendohemi” i tha ai eurodeputetëve.
“Por ne gjithashtu i kërkojmë qeverisë britanike të kuptojë se dikush që largohet nga Bashkimi nuk mund të jetë në të njëjtën pozitë të privilegjuar si një shtet anëtar” vazhdoi Juncker më tej.
Qëllimi i planit të Theresa May ishte që të lejonte tregtinë të vazhdonte midis BE dhe Britanisë njësoj edhe pas Brexit.
Juncker përshkroi sjelljen e kryenegociatorit të tij Michel Barnier si të një “mjeshtri” dhe përsëriti se zyrtari kishte mbështetjen unanime të shteteve anëtare të BE-së, të cilin Britania është përpjekur t’a ndajë vetëm për të arritur një marrëveshje të mirë, por deri tani pa sukses.
Diku në fjalimin e tij , presidenti, mandati i të cilit përfundon pas zgjedhjeve të ardhshme evropiane në pranverë të vitit 2019, tha se çdo gjë ishte më e lehtë kur BE fliste me një zë.
“Sa herë që Europa flet si një, ne mund të imponojmë qëndrimin tonë ndaj të tjerëve. Kur është e nevojshme, Europa duhet të veprojë si një e tërë” tha ai.
Gjatë fjalimit zoti Juncker sugjeroi reforma në strukturat qeverisëse të BE si heqja e kërkesës për vota unanime të Këshillit të Evropës mbi taksat dhe politikën e jashtme.
Duke iu referuar në mënyrë indirekte presidentit amerikan Donald Trump, ai paralajmëroi: “Aleancat e djeshme mund të mos jenë më aleancat e së nesërmes. Bota e sotme ka nevojë për një Evropë të fortë të bashkuar.”
Ndërkohë negociatat për Brexit aktualisht pengohen nga çështja e kufirit irlandez.
Theresa Maj po përballet me kundërshtimin gjithnjë e më të madh ndaj planeve të saj për Brexit , dhe konservatorët euroskeptikë haptazi po komplotojnë kundër udhëheqjes së saj.