MENU
klinika

Kundërshton "Ligjin e më të fortëve"

Edhe Makron kundër Trump…

26.09.2018 - 12:30

Presidenti francez Emmanuel Macron i kërkoi të martën më 25 shtator liderëve botërorë të refuzojnë “ligjin e më të fortëve”, duke kundërshtuar idetë e Donald Trump për përballimin e sfidave globale.

Macron nuk iu referua presidentit amerikan me emër, por fjalimi i tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së tregonin qartë pikëpamjet e tij krejtësisht të kundërta me Trump.

“Disa kanë zgjedhur “ligjin e më të fortëve”, por kjo nuk mbron asnjë popull”, tha Macron, i cili ripohoi mbështetjen e tij për multilateralizmin dhe përpjekjet globale për paqe.

Më herët në podiumin e OKB-së, Trump premtoi se “kurrë nuk do ta dorëzojë sovranitetin e Amerikës në një burokraci globale të panevojshme dhe të papërgjegjshme  dhe do të refuzojë gjithmonë “ideologjinë e globalizmit”.

Që kur Trump mori detyrën në vitin 2017, Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar të vazhdojnë të jenë pjesë e marrëveshjes bërthamore të Iranit dhe marrëveshjes së Parisit, dy marrëveshje ndërkombëtare që Franca i ka përkrahur.

Administrata e SHBA ka shkurtuar fondet për Kombet e Bashkuara, agjencitë e ndihmave dhe agjencitë paqeruajtëse të OKB-së në Mali dhe Republikën e Afrikës Qendrore, të cilat janë duke punuar me trupat franceze për të forcuar stabilitetin.

Macron vuri në dukje rritjen e pabarazisë ekonomike si një nga treguesit e krizës botërore, me rreth 783 milionë njerëz që jetojnë në varfëri dhe 250 milion fëmijë që nuk shkojnë në shkollë.

Macron gjithashtu preku çështjen e ndryshimeve klimatike dhe migracionin si çështje globale që askush nuk mund t’i zgjidhë i vetëm.

Duke mbrojtur marrëveshjen bërthamore të Iranit, Macron kërkoi dialog me Teheranin, përsëri duke u përballur me presidentin e SHBA, i cili pak më parë I kishte bërë thirrje qeverive botërore që të izolojnë Iranin.

“Si do të zgjidhet situata në Iran? Me ‘Ligjin e më të fortëve’, me presion nga vetëm njëra anë?” pyeti Macron në fjalimin e tij.

Mbështetur nga Izraeli dhe Arabia Saudite, Trump ka kërkuar të pakësojë ndikimin iranian në Lindjen e Mesme, përfshirë këtu edhe Sirinë.

“Ne nuk duhet të përkeqësojmë tensionet rajonale, por përmes dialogut dhe multilateralizmit të adresojmë të gjitha shqetësimet e shkaktuara nga politikat iraniane “, tha Macron.

Franca dhe fuqitë e tjera evropiane po krijojnë një mënyrë për t’i lejuar bizneset e tyre të vazhdojnë të bëjnë biznes me Iranin me shpresën që të shmangen sanksionet nga Shtetet e Bashkuara.

Pas takimit me Macron të hënën, Trump tha se ata të dy kanë patur disa përvoja shumë të mira por e kanë pranuar, ndonjëherë jo dhe aq të mira.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN