Midis të sëmurëve që konsultohen në sallën e urgjencës për dhimbje në abdomen (dhimbje barku) është e rëndësishme që të dallohen ata që duhet të operohen menjëherë.
Synimi kryesor i mjekut është vendosja e një diagnoze sa më të saktë që të jetë e mundur duke respektuar domosdoshmëritë e urgjencës, sipas tre shkallëve:
– Menjëherë;
– Urgjenca pas disa orëve;
– Urgjenca pas disa ditëve.
Që të arrihet ky objektiv duhet të kihen parasysh disa etapa. Megjithatë ecuria e propozuar mund të pësojë disa ndryshime në raport me gjendjen klinike të fëmijës, por çdo thellim në diagnozë nuk duhet që të pengojë ndërhyrjen e menjëhershme.
Ekzaminimi i shpejtë lejon që të përcaktohet nëse është e pranishme një dramë abdominale e një rëndësie të veçantë që kërkon trajtim kirurgjikal pothuajse të menjëhershëm, si në rastin e një hemorragjie të brendshme.
Pamja, gjendja e vetëdijes, frekuenca kardiake, ulja e tensioni arterial apo frymëmarrja e shpejtë dëshmojnë për gravitetin e sëmundjes. Në këtë mënyrë i sëmuri duhet që patjetër të transferohet direkt në sallën kirurgjikale.
Megjithatë, shumica e urgjencave abdominale nuk paraqiten aq dramatike.
Dhimbja Abdominale
Intensiteti i një dhimbjeje dhe zhvillimi i saj gjatë orëve të fundit janë një tregues i vlefshëm për të na orientuar drejt diagnozës. Përgjithësisht dhimbjet e vona abdominale dhe shfaqja e shpejtë e tyre të bëjnë të dyshosh për pathollogji kirurgjikale.
Dhimbja akute abdominale të sjell në mend një ngacmim i cili pason një perforacion të një organi kavitar si për shembull ulçër e perforuar, obstruksioni intestinal i shoqëruar me shtrëngim mbytës që zakonisht haset në rastin e vovluimieve të zorrëve të holla, lezione intestinale të origjinës vaskulare si tromboza mezenterike ose përdredhje të kistit ovarian.
Shpesh këto shoqërohen edhe me gjendjen e shokut. Obstruksioni akut i një kanali natyral si litiaza e koledokut apo litiaza ureterale janë një grup tjetër diagnozash që duhet të kihen parasysh në këto situata.
Në të tilla raste fëmija i sëmurë lëviz, ecën dhe është në kërkim të një pozicioni antalgjik, e kundërta ndodh kur kemi një dëmtim peritoneal ku ai qëndron pa lëvizur sepse çdo lëvizje i shton dhimbjen.
Dhimbjet që janë më pak akute, me fillim më të butë dhe që intensiteti shtohet me kalimin e kohës i përkasin më shumë fenomeneve inflamatore.
Këto dhimbje mund të shtohen progresivisht dhe pas disa orëve mund të arrijnë në një intensitet që krahasohet me dhimbjet e shkaktuara nga perforimi, obstruksioni apo shtrëngim mbytës si në rastin e ileusit.
Në një etapë më të përparuar këto dhimbje shoqërohen me nga një prekje të gjendjes së përgjithshme të shkaktuar nga zhvillimi i një pathollogjie fillestare.
Në rastin e dhimbjeve të shpërndara ajo diagnozë e cila na shkon ndër mend është ajo e një perforimi ulçerativ. Lokalizimi i dhimbjeve shkon më së shumti drejt pathollogjive të organeve të brendshme. Dhimbja jo gjithmonë është fikse pasi ato shpesh ndryshojnë sipas peristaltikës së zorrëve.
Në përgjithësi i jepet më shumë rëndësi dhimbjeve në pjesën e sipërme të barkut. Kjo shkon më shumë për kolecistitin akut, për ndërlikimet e ulçerit peptic dhe në shfaqjen e pankreasit.
Apendiciti akut bën një përjashtim nga ky rregull pasi në vend që dhimbja të lokalizohet në ‘fossa iliake dexter’, pikërisht në vendin ku ndodhet ky formacion, ajo lokalizohet gjetkë.
Kjo ndodh sidomos në orët e para kur dhimbja zakonisht mund të lokalizohet në epigastrum ose periumbilikal. Edhe dhimbjet që vijnë në zorrët e holla nuk lokalizohen gjithmonë në pjesën qendrore të abdomenit, por ndryshojnë shpesh nga një rast në tjetrin.
Vëmë në dukje këtu që sëmundja ‘Crohn’ shfaqet me dhimbje në ‘fosen Iliake’ të djathtë.
Midis sëmundjeve që shkaktojnë dhimbje me lokalizim të papërcaktuar duhet të përmendim edhe obstruksionet intestinale.
Këtu dhimbjet vijnë nga zgjerimi dhe peristaltizmi më sipër vendit të zonës së dëmtuar. Për këtë arsye fëmija i sëmurë në përgjithësi ankohet për kolika që lidhen me tkurrjet intestinale dhe me periudha midis tyre kur dhimbja ulet në mënyrë të theksuar.
Veç kësaj sëmundjet inflamatore të zorrëve përgjithësisht japin dhimbje të palokalizuara mirë, me përjashtim të divertikuliteve akute të sigmoidit në të cilin i sëmuri ankohet për dhimbje në ‘fosa iliake’ të majtë.
Gjithashtu, te fëmijet e seksit femër mund të kemi edhe mund të shfaqen dhimbje që vijnë si rezultat i pathollogjive të lidhura me ovaret.
Këto dhimbje kanë si karakteristikë se janë të lokalizuara shumë mirë dhe përqendrohen në pjesën sipër simfizës pubike, në të dyja anët laterale të saj dhe mund të përhapen shumë më lart duke na ngatërruar me një apendicit, divertikulit ose edhe me një kolecistit.
Por nuk duhet harruar se kemi edhe raste kur dhimbjet janë të lokalizuara larg nga organi i sëmurë si për shembull dhimbja e shpatullës së djathtë gjatë një kolike hepatike.
Kur dhimbja është e përhapur qysh në fillim apo përgjithësohet në gjithë abdomenin dhe pas një farë kohe lokalizohet, atëherë në këto raste duhet dyshuar mundësia e një peritoniti.