Bashkimi Evropian nuk ka nxjerrë mësim nga Brexit dhe mund ta detyrojë Italinë të rishqyrtojë anëtarësimin e saj në bllok, tha një këshilltari i lartë qeveritar për The Telegraph.
Ignazio Corrao, këshilltar i Luigi Di Maio, zëvendëskryeministri dhe kreu i Lëvizjes Pesë yje, sulmoi arrogancën e Komisionit Evropian dhe liderëve të BE-së që nuk kanë bërë aspak ndryshime që kur Britania votoi që do të largohet nga blloku.
Z. Corrao është krahu i djathtë i z. Di Maio në Bruksel dhe një anëtar i Parlamentit Europian. Ai ishte koordinatori për fushatat rajonale që përfundimisht çuan në një qeveri të koalicionit euroskeptik në Romë.
Ai tha se BE nuk ishte në manifestin e Pesë Yjeve, por “natyrisht në politikë gjërat ndryshojnë. Ne ende besojmë se ne mund të bëjmë një Evropë më të mirë në muajt dhe vitet e ardhshme”.
Ai shtoi: “Nëse kjo nuk ndodh, do të duhet të rishikojmë. Nëse diçka nuk po funksionon, është e pamundur të vazhdosh në të njëjtën mënyrë”.
Ai po mbështet shpresat e tij në zgjedhjet e Parlamentit Evropian për të sjellë reforma reale në Bruksel, por po e mban të hapur mundësinë e “Italexit” nëse reforma dështon.
“Ata që tani po qeverisin Bashkimin Evropian në të vërtetë po shkojnë në drejtimin e kundërt me atë që njerëzit duan. Sjellja e tyre dhe mesazhet që ata vazhdojnë të dërgojnë janë pikërisht ato që njerëzit kanë hedhur poshtë” tha këshilltari i lartë qeveritar.
Partitë populiste në Itali kanë argumentuar gjatë se vendi është goditur padrejtësisht nga masat shtrënguese të imponuara nga BE, gjë që ka çuar në mungesë investimesh.
Italia ka marrë një barrë të krizës evropiane të emigrantëve dhe shumë prej tyre argumentojnë se BE ka folur për solidaritetin, por nuk ka ofruar para të mjaftueshme për Italinë që të përballojë ardhjen e migrantëve ose t’i shpërndajë ata brenda vendeve të Bashkimit Europian.
Z. Corrao tha se BE ishte i vëmendshëm ndaj tregjeve, bizneseve të mëdha dhe aktorëve financiarë dhe jo ndaj shqetësimeve të qytetarëve, veçanërisht italianëve, të cilët, siç tha ai, kishin mjaftueshëm masa shtrënguese të imponuara nga Brukseli.
Ai e akuzoi Brukselin për injorimin e shenjave paralajmëruese të Brexit. “BE nuk ka nxjerrë mësime nga Brexit. Gjatë referendumit kujtoj qëndrimin ndaj pretendimeve të popullit britanik. Ishte një qëndrim negativ, plot dyshime dhe arrogancë” tha ai.
“Që atëherë asgjë nuk ka ndryshuar. Pas rezultatit të referendumit BE tha se do të mësonte nga ky rast, do të pranonte se gabimet që u bënë dhe do të ndryshonte qëndrimin e saj, por asgjë nuk ka ndryshuar që nga ajo kohë” – u shpreh ai më tej.
Qeveria e re italiane ka patur një marrëdhënie të mirë me Brukselin që kur erdhi në pushtet. Megjithatë kjo nuk përjashton mundësinë pë një Italexit në të ardhmen e largët, nëse gjërat vazhdojnë të ecin kështu.