Leku fitoi sërish lehtë terren të mërkurën në kursin e këmbimit me euron dhe dollarin amerikan. Sipas Bankës së Shqipërisë, monedha e përbashkët europiane u këmbye me 126.58 lekë. Krahasuar me të martën, euro humbi 0.06 pikë. Megjithëse euro u zhvlerësua për të tretë ditë radhazi, përmasat e luahtjes në kursin e këmbimit kanë më shumë nuancat e stabilitetit. Pas në gjysmën e parë të shtatorit u duk se euro po shkonte drejt një forcimi gradual, deri tani kjo javë po e frenon këtë tendencë mbiçmuese.
Leku fitoi sërish pikë edhe në kursin ndaj dollarit amerikan. Monedha e gjelbër u këmbye me 108.22 lekë, në rënie me 0.23 lekë krahasuar me të martën. Ndërkohë, paundi britanik, pas një stopimi të përkohshëm në fillim të javës, fitoi sërish pikë dhe u këmbye të mërkurën me 142.72 lekë. Këto lëvizje reflektojnë luhatjet e dollarit dhe paundit në tregjet ndërkombëtare, kryesisht kundrejt euros.