MENU
klinika

"Nuk është kjo prioritet"

Pse koreano-jugorët janë skeptikë për takimin me Veriun?

16.09.2018 - 12:02

Duket se marrëdhëniet mes Koresë së Veriut dhe Jugut po përmirësohen nisur edhe nga angazhimi i Presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in.

Politikani liberal, i cili ndryshoi politikën konservatore ndaj Koresë së Veriut që kishte mbizotëruar për pothuajse një dekadë, po përgatitet për një samit të tretë me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, pavarësisht skepticizmit publik në rritje lidhur me këtë.

Vlerësimi për Moon ka rënë në 49 për qind, sipas një sondazhi të fundit të Gallup Korea, hera e parë që shkon nën 50 për qind që kur mori detyrën në maj 2017. Ky vlerësim ishte 83 për qind pas samitit të tij të parë me udhëheqësin e Koresë së Veriut në prill.

Moon mund të përballet me vështirësi në rritje nëse samiti i tij me Kim në Phenian nuk arrin të bëjë përparim në përpjekjet për ta bërë Korenë e Veriut të heqë dorë nga programi i saj i armëve bërthamore.

Problemet ekonomike të tilla si mungesa e vendeve të punës dhe rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme po sjellin probleme për kreun e Koresë së Jugut.

“Nëse Moon nuk arrin të trajtojë problemet ekonomike, ai nuk mund të kënaqë publikun vetëm me marrëdhëniet e mira me Korenë e Veriut” tha Nam Sung-wook, një profesor në Universitetin e Koresë. 

“Nëse ekonomia përkeqësohet, shumë njerëz do të kërkojnë që Moon të mos merret me Korenë e Veriut por të fillojë të zgjidhë problemet tona ekonomike”.

Tani, meqë bisedimet midis SHBA dhe Koresë së Veriu kanë ndaluar, konservatorët ndihen të palëkundur dhe më të guximshëm se kurrë.

Profesor Lim Eul Chul nga Universiteti i Kyungnam nga Koreja e Jugut tha se konservatorët tani tentojnë të kritikojnë Korenë e Veriut dhe të largohen nga qeveria e Moon.

Gjatë një mbledhje të qeverisë javën e kaluar, Moon tha se ai ka nevojë jo vetëm për mbështetje të fortë ndërkombëtare, por edhe për “mbështetjen në shtëpi” për të ndihmuar që takimi i javës së ardhshme të sjellë një hap të madh drejt denuklarizimit.

“Ju lutem, i lini mënjanë politikat partizane përballë këtyre gjërave të rëndësishme për Korenë” tha ai.

Moon madje i kërkoi udhëheqësve të opozitës konservatore që të udhëtonin bashkë me të për në Pyongyang për samitin, por ata menjëherë e refuzuan ofertën. “Duke pasur parasysh se Koreja e Veriut nuk ka ndëmarrë hapa konkrete drejt denuklarizimit edhe pas dy samiteve ndërkoreane dhe takimit të SHBA-së me Korenë e Veriut, është e tepruar që të na kërkojnë të shkojmë në Phenian” tha Yoon Young-seok, një zëdhënës i partisë kryesore në opozitë Liberty Korea.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN