MENU
klinika

Festivali i Teatrit - "Kaligula"

Regjisori Koliqi: Dënimi i “Kaligulave” të pushtetit

24.09.2018 - 20:23

“Kaligula” ishte shfaqja e dytë në radhë në kuadër të Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit i cili po zhvillohet në Tiranë, e cila u shfaq në Universitetin e Arteve në orën 18:00. Vepra e Kamysë vjen në skenë nga trupa e Teatrit Kombëtar të Kosovës, në regjinë e të mirënjohurit Kushtrim Koliqi.

“Kaligula” është një nga veprat më të mëdha të Albert Kamy dhe cilësohet si një nga kulmet e dramaturgjisë botërore. E shfaqur për herë të parë në Prishtinë, “Kaligula” ndeshi në kritika pozitive në qarqet artistike në Kosovë. Tani “Kaligula” do të tentojë të pushtojë skenën e Tiranës duke sjellë të gjallë mesazhin e saj universal për dënimin e “Kaligulave” që keqpërdorin pushtetin.

Regjisori Koliqi në një intervistë ekskluzive për Konica.al, shpjegoi më tepër për veprën e sjellë në skenë. Zgjedhjet regjisoriale, mesazhet e shfaqjes, bashkëpunimit mes teatrove të Shqipërisë dhe Kosovës dhe gjithashtu për projektet e tij regjisoriale për të ardhmen.

Cila është ndjesia e parë që ka trupa e Teatrit Kombëtar të Kosovës kur përfaqëson vendin e vet në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit?
Është ndjesi e mirë. Çdo regjisor kur bën një punë të vetën artistike do që të dalë jashtë kufijve të atij teatri ku punon. Është hera e parë që “Kaligula” del jashtë Kosovës dhe është me fat që të jetë pjesë e këtij festivali. Edhe pse nuk është një festival shumë i rëndësishëm në krahasim me festivalet e tjera nëpër Evropë, është gjithmonë mirë të vish dhe të performosh në Tiranë, sepse fatkeqësisht shumë rrallë Tirana sheh shfaqje të Kosovës dhe shumë rrallë Kosova sheh shfaqje të Tiranës. Nuk është mirë që na kalojnë shumë shfaqje pa u parë nga dy vendet. Ne kemi një vlerë të shtuar, sepse gjuhën e kemi të njëjtë. Kjo ndodh rrallë për shkak të sfidave financiare që ballafaqohen teatrot e Kosovës dhe Shqipërisë. Gjithashtu, një rol e luan dhe menaxhimi i dobët, sepse njerëzit që merren me organizime të tila janë pak “dembel” dhe u japin më shumë rëndësi interesave të tjera që mund të kenë. Mirë do të ishte që ne mos takoheshim me publikun shqiptar vetëm në raste festivalesh, por të kishte një axhendë të përbashkët, minimalisht teatrot kombëtar.

“Kaligula” është një nga veprat më të mëdha të Albert Kamy, njëkohësisht shumë e diskutuar jo vetëm në qarqet artistike. Shpesh është quajtur dramë politike, por vetë Kamy ka thënë se shkon përtej kësaj dhe lufton natyrën njerëzore si absolutiviste. Pra, pse pikërisht Kaligula?
Unë vet jam njeri i angazhuar. Nuk mund të jem indiferent ndaj ngjarjeve politike apo sociale. Çdo artist në pikëpamjen time nuk duhet që të vlerësojë vetëm anën estetike, por si do të ndikojë në jetën publike me mesazhin që trajton. Unë e kam trajtuar “Kaligulën” vetëm në aspektin politik. Kur e kemi bërë redaktimin dhe përshtatjen e tekstit me dramaturgun tim, direktivat e mia kanë qenë të qarta. Të hiqnim çdo pjesë dashurie, apo emocionale dhe të dilnim me një mesazh të fortë, radikal politik. Së dyti, arsyeja që kam zgjedhur “Kaligulën” është se në shoqëritë tona ka shumë “Kaligula”. Është i njohur fakti se si në shoqëritë tona keqpërdoret pushteti, jo vetëm në qarqe politike. Dhe një pastrues sikur të ketë tre pastrues të tjerë nën vete, do ta keqpërdorte pushtetin e vet. Keqpërdorimi i pushtetit po kthehet në trend të rrezikshëm i cili veçse po thellohet si fenomen. Jam munduar t’i jap  secilit aktor atë pushtet të madh, që sipas mënyrës së vet e keqpërdor. “Kaligula” është shembulli, ndoshta më i miri i dramaturgjisë botërore, se si keqpërdoret pushteti kur e ke në mënyrë absolute.

“Kaligula” është një dramë me 4 akte, impenjative në aspektin artisitik dhe profesional, po cila është e veçanta që sjell në skenë trupa e Kosovës në këtë dramë?
Kushdo që ka ardhur të shohë shfaqjen, nuk ka parë shfaqjen që ka pritur të shohë. “Kaligula” nuk luhet vetëm prej një aktori, por nga të gjithë. Ndërkohë bashkë me dramaturgun kemi zhvilluar një linjë krejt të re dramaturgjie të cilën e quaj “gjyqi kolektiv”. Gjatë shfaqjes ne zhvillojmë një proces gjyqsor për të gjithë “Kaligulat” të cilët e kanë patur pushtetin dhe e kanë keqpërdorur.  Në jetën e përditshme ndodh që ata nuk dënohen, por këtë herë ata të gjithë do dënohen. E kam shfrytëzuar skenën e Teatrit për t’i dënuar këta lloj njerëzish. Në kohët tona pushtetarët që keqpërdorin pushtetin nuk po dënohen dhe unë kam zgjedhur t’i dënoj me artin që ngjitet në skenë.

Përtej të gjithë vlerave artistike dhe mesazheve, keni ardhur në një Festival Teatri ku çdo punë do të vlerësohet me çmime. Cili është synimi juaj për çmimet që do të ndahen?
T’i marrim të gjitha çmimet! (qesh) Bëj shaka! Me thënë të drejtën një prej gjërave më të mira të Festivalit është juria. Ndoshta është juria më e mirë që mund të gjendet në trevat shqipfolëse. Janë anëtarë të cilët nuk bëjnë kompromise në profesion dhe kjo është diçka që unë e çmoj shumë. Unë besoj se “Kaligula” është një shfaqje shumë serioze e cila është vlerësuar nga kritika në Prishtinë dhe jo se e them unë. Për “Kaligulën” u punua shumë, u punua për çdo detaj dhe për nuancat të cilat unë i çmoj tepër. Mendoj se është shfaqje e denjë për t’u vlerësuar nga një juri profesionale.

Cilat janë projektet e së ardhmes për ju dhe a do ta konsideronit një projekt në të cilin do të bashkëpunonit edhe me trupat teatrore shqiptare?
Për të qenë i sinqertë kam shumë angazhime artistike. Teatrin e kam në fokusin tim kryesor, por gjithashtu jam dhe producent filmash. Kam nisur një projekt kinematografik në Kosovë. Kam disa materiale artistike për të vënë në skenë dhe pse mos të zhvilloheshin në Shqipëri. Nuk kam diçka konkrete në Shqipëri , por do të kisha dëshirë të punoja në Tiranë. Kam parë disa shfaqje në Tiranë, i vlerësoj shumë disa artistë këtu. Nonjëherë shijet e mia dallojnë nga “mainstream-i” që shoh këtu, por kjo ka të bëj me trendet, me shkollën, me qasjen e regjisorëve. Por sidoqoftë do të kisha dashur të sillja një frymë të re të llojit të “Kaligulës”.

Pra, ju jeni në rangun e regjisorëve që kërkon një shkëputje nga tradicionalja dhe rreket të përshtasë modernen në teatrin shqiptar?
Po kjo në fakt është puna e regjisorit. Nëse nuk japim nga vetja, diçka të veçantë, diçka të re përpos veprës, atëherë për çfarë duhet regjisori. Shoh fatkeqësisht shumë shfaqje të tilla në Kosovë dhe në Shqipëri. Nganjëherë më vjen keq për frymën teatrore që kemi, krahasuar me teatrot më të mirë qoftë të Evropës, por edhe të teatrove fantastikë të Ballkanit. Jam pro klasikes, por dhe klasiken kur e trajton duhet ta trajtosh me një veçori regjisoriale. E dua klasiken, prandaj kam zgjedhur “Kaligulën”, e dua dhe Shakespeare-n, dhe tekstet moderne edhe pse në Shqipëri përkthehet pak. Mungesa e shkollës së dramaturgjisë dhe dramaturgëve është një tjetër fenomen i cili fatkeqsisht është prezent në qarqet tona.

Përgatiti për Konica.al: Arli Minga

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB