Ela Tase, më e mira e gjitha kohërave të volejbollit shqiptar, ishte e ftuar në rubrikën “Legjendat e Sportit” në “Konica.al”. E lindur më 11 gusht të vitit 1958, Ela Tase është shpallur 3 herë më e mira e Ballkanit, ndërsa kulmi është medalja e artë në Lojërat Mesdhetare 1987.
“Mjeshtre e Merituar e Sportit”, 16 herë kampione e vendit me Dinamon dhe 14 Kupa të Shqipërisë, 10 herë pjesë e “10 Sportistëve më të mirë” e shumë e shumë tituj të tjerë, Ela Tase është unike, një model për t’u ndjekur.
Në intervistën ekskluzive për “Konica.al”, zhvilluar nga gazetari Eduard Ilnica, Ela Tase rrëfen sakrificat që i duhet një volejbollisteje për të arritur majat, stërvitjen e vazhdueshme dhe disiplinën e hekurt sportive…
Në vitin 1978, kur bëri ndeshjen e parë ndërkombëtare në Kampionatin Ballkanik të volejbollit në Rumani, u shpall volejbollistja më e mirë e Ballkanit. Më pas ajo u shpall kështu edhe në Bullgari në vitin 1982 dhe në Tiranë në vitin 1988.
Shqipëria vitin e fundit ka njohur rritje në volejboll, cili është ndryshimi sipas jush krahasur me kohën kur luanit ju, fundin e viteve 70’ dhe vitet 80’?
Është e vështirë të bësh krahasime, unë personalisht e kam nisur në vitin 1973, për të përfunduar në vitin 1995, pra 22 vite karrierë. Shqipëria pas viteve 90’ e humbi atë traditën e mirë të volejbollit që ishte krijuar në vitet 80’.
Kjo për shumë arsye, pasi pakkush e kishte mendjen te sporti në ato vite. Pse ishte i suksesshëm volejbolli në ato vite? Së pari, kishte një pjesëmarrja më të madhe, ku ishin tetë ekipe në elitë dhe ekipe të tjera që garonin më poshtë. Ndërsa sot kampionati bëhet me pak skuadra dhe vetëm 2-3 pretendojnë, ndërsa atëherë thuajse të gjithë ekipet ishin të forta.
Ekipi i Dinamos pati një profesionalizëm të vecantë, ishim një grupë vajzash me moshë të re, me dëshirë dhe përkushtim maksimal, të unifikuara dhe me një qëllim më vete.
Moshat e mesme dhe të vjetër ju mbajnë mend, madje ju kanë ndjekur edhe në pallatet e sporteve, por për brezin e ri, kush është Ela Tase, ku ju nxiti të merreshin me volejboll?
Une kasha brenda shtëpisë, vëllai vinte me topin dhe cantën në shtëpi dhe brenda një kohe të shkurtë më lindi pasioni për t’u marrë me volejboll. Sapo mbarova klasën e tetë, duke qenë pushim në verë, nuk shkulesha nga fusha e volejbollit.
Është pjesë individuale, pra nuk ishte thjesht hajde luajmë, unë shikoja me detaje të gjithë elementët, u futa totalisht në botën e volejbollit në vitin e parë të shkollës së mesme.
Duke qenë shutere kryesore, më duhej të rrisja cilësitë fizike dhe prandaj stërvitesha shumë. Bëja auto-analiza, më ndihmonin shumë që të perfeksionohesha.
Në cilën moshë e keni nisur me volejbollin profesionist, kush ju zbuloi?
Ndoshta habiteni, por e kam nisur pa bërë 14 vjec. Ishte Fatbardha Sharufi, mësuesja ime ajo që më nxiti, duke parë edhe elementët e tjerë, si këmbët e gjata dhe duart e gjata, shto faktin e dëshirës dhe egos sime.
Suksesi i parë i madh i juaji ishte Ballkaniada e Volejbollit në Rumani në vitin 1979, ku Shqipëria zuri vendin e tretë, por ju u shpallët më e mira turneut…Na kujtoni pak si erdhi ai sukses?
Këtë e lidh edhe me grupin, me cilësinë që kishte ky grup, pa harruar kurrsesi punën e madhe që bënte trajneri Kreshnik Tartari, i cili e ktheu totalisht në profesionalizëm, sepse mos harrojmë që atëherë sportistët punonin, pavarësisht se vetë isha në shkollë asokohe.
Në grup i shërbenim njëra-tjetrës, pastaj unë që kisha një cilësi në gjuajtje, ndoshta bija në sy më shumë. Të mos harrojmë Mimoza Ibrahimin, që ishte një nga pasueset më të mira që ka pasur vendi ynë, që edhe sot e kësaj dite nuk po i vjen volejbollit shqiptar.
Ishte një punë sistematike prej vitesh, nuk mund të bëhej për një vit apo dy, por në mënyrë të vazhdueshme, pa harruar edhe trajnerin, që ka qenë mjaft i disiplinuar. Unë nuk di që mos kem bërë ndonjëherë një stërvitje 100%, cdo ndeshje i kam në maksimumin tim në 100% dhe kjo vinte falë punës.
Ju e përsëritët në vitin 1982 edhe në Bullgari këtë sukses, po ashtu edhe në 1988, ku Shqipëria u shpall nënkampione…?
Atëherë Ballkaniadat e volejbollit ishin një mundësi e mirë për të parë nivelin. Merr pjesë, mat nivelin dhe rritesh natyrisht në cdo pjesëmarrje. Në vitet 70’ e nisëm me vend të katërt, pastaj të tretin dhe arritëm deri nënkampionë në 82’.
Kulmi erdhi në vitin 1990, ku u shpallëm kampionë, por ajo më kryesorja është se nuk humbëm asnjë set, që është shumë e rrallë sot në volejboll. Ishte një punë sistematike që dha frutet e veta.
Kulmi besoj i sportit shqiptar ishte medalja e artë në vitin 1987 në Siri, ku kombëtarja e volejbollit mori medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare…?
Ishte kjo vazhdimësi e mirë e nisur nga fillimi i viteve 80’ që kulmoi në vitin 1987, pasi grupi kishte arritur pjekurinë. Edhe unë do ta cilësoja kulmin e sportit shqiptar. Pikërisht këto rezultate na frymëzonin për garën e radhës.
Asokohe, krahasuar me vendet më të cilat ndesheshim, kishim edhe inferioritete të tjera, prandaj ne përmes suksesit dhe lojës së bukur, mundoheshim të merrnim disa benefite, qoftë edhe uniforma sportive, që sot nuk bëhet fjalë për to.
Ndërkohë, Dinamo arriti tri herë në gjysmëfinalen e Kupës së Kampioneve të Europës, përkatësisht në sezonet 1980-1981, 1982-1983, ndërkohë që në sezonin 1989-1990 “Dinamo” doli e treta në Europë, duke marrë medaljen e bronzit. Por na tregoni pak për suksesin që shkuat deri në finale të Kupës së Kupave dhe urdhri që ju erdhi nga lart që duhej të tërhiqeshit pasi përballë ishte një ekip rus, “Kommunalnik” të Minskut?
Ka pasur raste që duke u kualifikuar tur pas turi, na binte një ekip rus dhe ne nuk shkonim. Kjo nuk ishte e mirë sepse ne përgatiteshim me muaj të tërë dhe në fund politika e kohës na e ndërpriste suksesin e mundshëm.
Me sa mbaj mend unë, kanë qenë 2 raste, ku natyrisht kjo e finales na demoralizoi, por pak e shumë e dinim që më parë që do ishte ekip rus në finale. Më duket se ka ndodhur edhe me një ekip izraelit që nuk jemi ndeshur.
Në fillimin e viteve 90’ shkuat në Maqedoni ku luajtët me Shkëndijën e Tetovës. Si ishte kjo eksperiencë?
Eksperienca e fundit me Dinamon ishte në Ligën e Kampioneve, do të luanim në Gjermani ndaj Shtutgartit. Humbëm, por luajtëm denjësisht. Ishte kohë që parametrat tanë kishin rënë. 7-8 vajza nuk u kthyen më, ndërsa vetëm 5 erdhëm në Shqipëri.
Mua më pas më kërkoi shefi i klubit Shkëndija të Tetovës. Atëherë sapo kishin ngritur një ekip të mirë me vajza shkolle dhe donin dikë me eksperiencë, atëherë isha mbi 30 vjec.
Mbetën të kënaqur në ato dy vite qëndrimi aty, pasi arritëm edhe rezultate, deri në vendin e dytë në kampionatin maqedonas, që ata as e kishin menduar ndonjëherë këtë sukses. Pata oferta menjëherë nga ekipe të tjera maqedonase, por nuk e pashë të arsyeshme të qëndroja më.
Rikthimi në Shqipëri dhe triumfi për herë të fundit me Dinamon si kampione?
U riktheva dhe në ekip ishte trajner im vëlla, Leonardi. Mendova ta lë me nder volejbollin e luajtur, kështu që edhe njëherë të fundit dhashë maksimumin, duke u shpallur kampione me Dinamon dhe fituam edhe Kupën.
Jeni cilësuar volejbollistja më e mirë e të gjitha kohërave në Shqipëri, çfarë mesazhi u jepni vajzave të reja sot që merren me këtë disiplinë të sportit?
E para, të bëhesh një sportiste e mirë, duhet ta dashurosh shumë atë disiplinë. Ju them atyre vajzave që merren me volejboll se kryesorja është puna, puna sistematike, madje shumëvjecare nëse mendon të arrish majat.
Vetëm stërvitja të rrit dhe të con përpara. Sado cilësi të kesh, vetëm një stërvitje e mirë dhe sistematike të bën të ecësh para. Do edhe sakrifica të mëdha.
Mua s’më ka ardhur asnjë të më pyesë se si arrita në majë. Po ju them që unë volejbollit ia fala jetën. Mora edhe kënaqësi, natyrisht, port ë arrish nivele të larta, duhet të japësh cdo ditë e më shumë.
Çfarë bën aktualisht Ela Tase, kur më parë keni qenë edhe zëvendëse e presidentit të KOKSH?
Kur lashë sportin, nuk na pa njeri, edhe mua, edhe Mozën (Ibrahimin). Më pas u hap Akademia e Rendit dhe na u kërkua mua dhe Mozës që të japim mësim. Për 20 vjet u kam shërbyer punonjësve të policisë, me përgatitjen fizike dhe special, sepse ne u trajnuam, bëmë dhe shkollën e policisë.
Kur lamë volejbollin, asnjë nuk na nxiti të na rikthente, të bëhej dicka për ne, kështu që u detyruam që për 20 vjet të punonim në polici. Tani jam pedagoge në Universitetin e Sporteve. Ndoshta ka ardhur moment që të mbyll edhe karrierën e punës.
Një gjë të fundit që do donit të thonit për lexuesit dhe dëgjuesit e Konica.al?
Është kënaqësia më e madhe kur komunikoj me njerëzit. Nëse sna transmetojnë dhe nuk jepen ato ndeshjet tona të bukura, të paktën ju na jepni mundësinë të komunikojmë me sportdashësit. I përshëndes të gjithë ndjekësit tuaj, respekte të gjithëve, sidomos të brezit tim që më kanë ndjekur.
Faleminderit Ela Tase!