MENU
klinika

Takimi me ndërkombëtarët

Xhafaj: Angazhohemi për zgjidhjen e problemeve në rajon

13.09.2018 - 19:03

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka realizuar sot një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin austriak, Kickl.

Gjatë fjalës së tij, Xhafaj, deklaroi se Shqipëria është angazhuar për të kryer rolin e saj në parandalimin e problematikave aktuale, si krimi i organizuar, terrorizmi apo emigracioni i jashtëligjshëm, në Europë.

Në konferencë morën pjesë: ministra të Brendshëm Ballkanikë, vendeve pjesëtare të Konventës për Bashkëpunimit Policor për Evropën Juglindore (PCC SEE), Minstritë e Brendshme të vendeve anëtare të BE, Organizatave të ndryshme ndërkombëtare dhe Presidencës austriake të BE.

Pas përfundimit të konferencës ata vendosën të bënin një komunikim publik për mediat për të rrëfyer mbi rezultatet e arritura në takimin e parbashkët.

Në fjalën e tij për median, ministri Kickl, theksoi çështjen e sigurisë mes vendeve të BE-së, ku përmendi Konvenën e Prümit, lidhur me shkëmbimin e informacioneve.

Duke vlerësuar shtetet e Ballkanit Perëndimor, ai shtoi se duan të zgjerojnë bashkëpunimin më tej, pasi janë treguar partnerë të besueshëm.

“Sot do diskutojmë për rritjen e kapaciteteve të këtyre vendeve, konfirmimin dhe përmirësimin e bashkëpunimit që kemi pasur deri më sot në tema si parandalimi i kriminalitetit të organizuar apo dhe për tematika të lidhura me terrorizmin, luftëtarët e huaj apo vatrat terroriste, që janë të pranishme brenda këtyre vendeve,” tha ministri Kickl.

Nga ana tjetër, ministri Xhafaj, i vuri rëndësi thellimit të bashkëpunimit midis shteteve si dhe vlerësoi ndihmën e Austrisë duke insistuar që njëlloj të kontribuojnë edhe shtetet e tjera të BE-së për rajonin e Ballkanit.

“Shqipëria mbetet një vend i angazhuar për të kryer rolin që i takon në parandalimin e problematikave aktuale. Flas veçanërisht për ato të lidhura, siç e theksoi me të drejtë z.Ministër, me krimin e organizuar, emigracionin e jashtëligjshëm dhe terrorizmin, të cilat prekin rajonin tonë dhe më gjerë.
Ndaj e gjykojmë të arsyeshme që bashkëpunimi ynë të thellohet dhe ndihma konkrete në këtë drejtim duhet të konkretizohet, duke mos mbetur në kufi të deklaratave retorike, siç e theksova edhe në seancën plenare.

Mbetemi të gatshëm për të qenë kontribues aktivë në zgjidhjen e shumë situatave të vështira për kontinentin, ndaj do donim një ndihmë më aktive nga ana e Bashkimit Europian dhe vendeve anëtare të BE, jo vetëm në këshilla, rekomandime, por edhe në një asistencë logjistike dhe teknike shumë më të mirë se deri tani”.

Në konferencë u fol dhe në lidhje me çështjen e emigrantëve ku ministri austriak tha se së bashku me vendet e Ballkanit Perëndimor do të ketë forma bashkëpunimi për përballjen me këtë fenomen.

Ndërkohë Xhafaj shtoi:

“Ne jemi duke dhënë një kontribut tejet aktiv në këtë aspekt, edhe për shkak të rritjes së lartë të fluksit migrator gjatë këtij viti.
Aktualisht ne kemi një rritje mbi 5 herë krahasuar me vitin e kaluar të numrit të emigrantëve të paligjshëm që kanë hyrë në territorin shqiptar.

Ne jemi duke e përballuar më së miri këtë gjë, kemi diskutuar gjerësisht në vazhdimësi edhe me Ministrin e Brendshëm austriak dhe Brukselin për këtë temë.
Mirëpresim natyrisht edhe të gjithë kontributin e mundshëm të Brukselit, edhe të Austrisë dhe të vendeve të tjera anëtare për të zgjeruar kapacitetet tona teknike në mënyrë që ta përballojmë më së miri këtë fluks migrator në rritje”.

Më tej ministri Xhafaj gjatë fjalës së tij theksoi:

“Këtë 6-mujor, Shqipëria mban Presidencën e Konventës së Bashkëpunimit Policor të vendeve të Evropës Jug-Lindore. Në datat 4 dhe 5 tetor, me mbështetjen e Presidencës austriake, Tirana do të jetë mikpritëse e Forumit Ministerial për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme mes vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor”.