MENU
klinika

Komuniteti rom dhe egjiptian

BE-PNUD, financojnë projekte për punësim dhe arsimim

24.10.2018 - 15:29

Valbona Qafa, nënë e tre fëmijëve, e ka patur shumë të vështirë të gjente një punë që t’i sillte të ardhura të rregullta familjes së saj.

Ajo nuk ka një diplomë, prej kohësh e ka siguruar jetesën nga shitja e rrobave të përdorura dhe ndihma e ulët ekonomike.

Por pas më shumë se një viti praktikë në një kompani private të prodhimit të mobiljeve, tashmë është plotësisht e sigurt në njohuritë dhe aftësitë e saj në punë.

Me pak muaj trajnim ajo ka arritur të bëjë procesin e smerilimit dhe lyerjes, me shumë profesionalizëm dhe ia ka dalë të fitojë besimin e pronarëve të kompanisë.

komuniteti rom-konica.al
komuniteti rom-konica.al

Sot është e punësuar në këtë mobileri, me një kontratë të rregullt pune dhe me një pagë të kënaqshme.

Por si Valbona, është edhe Fatma, Mariana e shumë të tjerë që kanë mundur të mësojnë e të punësohen falë projekteve të financuara nga BE, dhe të zbatuar nga PNUD.

Statistikat tregojnë se pabarazia në tregun e punës në Shqipëri mes romëve dhe egjiptianëve dhe shumicës së popullsisë, sidomos për kategorinë e grave, mbetet e konsiderueshme.

Sipas të dhënave zyrtare vetëm 29 % e kësaj popullsie llogaritet të jetë në punë, ndërsa pjesa tjetër ose trajtohen me ndihmë ekonomike ose punojnë ku të munden në ilegalitet.

Problem për këtë komunitet mbetet edhe arsimi, strehimi, dhe aksesi ndaj shërbimeve shëndetësore.

Sa i përket edukimit 66% e fëmijëve romë (7 deri 15 vjec) ndjekin arsimin e detyrueshëm; më pak se një e treta e banorëve romë kanë akses në sigurimet e shëndetit, ndërsa lidhur me strehimin rreth 48% e banesave rome kanë ujë të rrjedhshëm dhe 63% e tyre kanë akses në sistemine kanalizimeve.

komuniteti rom-konica.al
komuniteti rom-konica.al

Ndërhyrjet dhe projektet e ndërmarra herë pas here kanë për qëllim të mbështesin përfshirjen e romëve dhe egjiptianëve në programe aktive të punësimit, edukim dhe formim profesional në institucionet qeveritare, me qëllim aktivizimin e potencialeve prodhuese të komuniteteve dhe integrimin në tregun e punës.

Projektet

Një prej këtyre projekteve është edhe FESRE (Fuqizimi Ekonomik dhe Social për Romët dhe Egjiptianët), financuar nga BE dhe zbatuar nga PNUD, që mbështet integrimin e tyre në tregun e punës, arsim e strehim.

FESRE në bashkëpunim me Shërbimin Kombëtar të Punësimit dhe drejtoritë rajonale ka identifikuar dhe regjistruar së fundmi më shumë se 700 individë të papunë romë dhe egjiptianë të cilët janë të gatshëm të fillojnë punë.

361 persona romë dhe egjiptianë në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Berat janë punësuar deri më tani me asistencën e projektit.

Gjithashtu për të promovuar gjenerimin e të ardhurave 72 romë dhe egjiptianë nga Shkodra, Tirana, Durrësi e Berati të cilët shprehën interes për programin e gjenerimit të të ardhurave janë trajnuar mbi menaxhimin e aktivitetit dhe në bazë të një sistemi kompetitiv 39 skemat më të spikatura u mbështetën nga projekti FESRE për të nisur apo zgjeruar një aktivitet privat.

komuniteti rom-konica.al
komuniteti rom-konica.al

Krahas punësimit dhe strehimit, ky komunitet është mbështetur edhe me projekte të shumta infrastrukturore të cilat kanë përmirësuar ndjeshëm jetesën e tyre.

Me një kosto prej 16 300 000 lekë është mundësuar sistemimi i rrugëve dhe hapësirave publike në kompleksin e ri të banimit në LanaBregas.

Ndërkohë që është siguruar edhe lidhja e energjisë elektrike për 60 familje rome dhe egjiptiane në kompleksin e ri të strehimit në Lanabgregas me një financim prej 3 200 000 lekësh.

Këto dy projekte të përfunduara në vitin 2017 në Lanabregas plotësuan projektin e Bashkisë së Tiranës të ndërtimit të strehave të banimit në territorin e ish-Njësisë Ushtarake Shkozë, për familjet e prekura nga rehabilitimi në zonën e Bregut të Lumit, Tiranë si dhe mundësuan shfrytëzimin e ndërtesave të banimit nga 60 familje rome.

komuniteti rom-konica.al
komuniteti rom-konica.al

Këto familje jetuan për 10 muaj në çadra dhe kasolle dhe depo ushtarake të improvizuara për banesa në kushte të vështira, pa ujë të pijshëm, tualete dhe shfrytëzimi i banesave sociale ishte esencial për mirëqenien e tyre.

Qendra Komunitare Multifunksionale, Shkozë

Në shërbim të këtij komuniteti është dhe Qendra Komunitare Multifunksionale e Shkozës nën menaxhimin e Bashkisë Tiranë, e cila ofron një model inovativ të shërbimeve të integruara me bazë në komunitet i cili është pilotuar në 4 rajonet që mbulohen nga projekti FESRE, Tiranë, Durrës, Berat, dhe Shkodër.

Modeli i ri i zhvilluar bazuar në praktikat më të mira në Shqipëri dhe jashtë vendit, ka për qëllim të rrisë aksesin ndaj shërbimeve sociale për grupet në nevojë, duke përfshirë romët dhe egjiptianët.

komuniteti rom-konica.al
komuniteti rom-konica.al

Qendra ofron shërbime shtesë në regjistrim civil duke mbështetur individë të komuniteteve Rome dhe Egjiptiane, fëmijë të cilët për arsye të ndryshme nuk kane bërë regjistrimin civil;

-mbështetje ligjore për rastet e divorceve;

-ndihmë ligjore për raste administrative;

-mbështetje për t’u bërë pjesë e programeve të strehimit;

-klasa mbeshtetëse jashtë programit arsimor për fëmijët që vazhdojnë shkollë;

-mbështetje për plotësim dokumentacioni për përfitimin e pagesës së aftësisë së kufizuar;

-shërbime shëndetësore etj.

Rreth 786 romë dhe egjiptianë në Tiranë, Durrës, Berat dhe Shkodër gëzojnë akses më të mirë në shërbimet bazë të sipërpërmendura falë modelit të ri të pilotuar; 443 romë dhe egjiptianë janë punësuar nga korriku 2016 deri në korrik 2018.

komuniteti rom-konica.al
komuniteti rom-konica.al

Përfituesit janë përkrahur me programet e nxitjes së punësimit, siç janë trajnimi në punë, punësimi i subvencionuar, kombinimi i trajnimit në punës dhe punësimit të subvencionuar dhe programi i praktikës.

Kushtet e jetesës së më shumë se 1200 familjeve rome dhe egjiptiane (përafërsisht 8000 banorë) janë përmirësuar përmes projekteve të infrastrukturës në fusha të ndryshme.

Dy modele për arsimimin gjithëpërfshirës dhe desegregimin, konkretisht:

a) edukimi me kohë të pjesshme për të rritur,

b) shkollat si qendra komunitare po praktikohen në sistemin arsimor publik në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Berat, duke përmirësuar arritjet në edukim për më shumë se dy 2300 nxënës romë dhe egjiptianë.