Sipas raportit të fundit, lidhur me bilancin e aksidenteve në qytetin e Beratit në harkun kohor të 10 ditëve të fundit konstatohen 5 viktima dhe 3 të plagosur.
Shkaku kryesor mësohet të jetë shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor dhe drejtimi i mjeteve në gjendje të dehur.
Ndaj policia rrugore e Beratit ka intensifikuar kontrollet në rrugë si masa parandalimi.
Ali Yzeiri, shefi i policisë rrugore, ka folur lidhur me shkaqet dhe thotë:
“Mos të drejtojnë në asnjë rast mjetin pas përdorimit të pijes alkolike, ka mungesë të sinjalistikës horizontale ashtu dhe vertikale.”
Por veç drejtuesve të mjeteve edhe këmbësorët janë shpeshherë fajtorë për aksidente, ndaj drejtuesit e policisë rrugore u kërkojnë respektimin e rregullave të qarkullimit.
“Të kalojnë vetëm në vendet e dedikuara për ta siç janë vijat e bardha.”
Policia Rrugore thotë se do të ketë tolerancë zero ndaj shkeljeve si përdorimi i celularit në drejtim, mos vendosja e rripit të sigurimit dhe sidomos shpejtësia e lartë, duke qenë se janë më së shumti shkaqet e aksidenteve.