Rritja e çmimit të karburanteve ka shkaktuar shumë shpejt reagimin e shoqatave përfaqësuese të biznesit. Konfindustria shprehu të mërkurën shqetësimin për rritjen e fortë dhe të menjëhershme të cmimit të karburanteve nga të gjithë operatorët njëkohësisht në shkallë vendi ditët e fundit.
Sipas Konfindustrisë, kjo tregon edhe njëherë sesa sa keq është ndërtuar dhe funksionon tregu i karburanteve në vend, rolin e paqenë të autoriteteve rregullatore të tregut dhe politikat fiskale të gabuara.
Analiza e të dhënave të siguruara nga vëzhgimi i kryer në muajin gusht 2018 nga Qëndra e Studimeve te Konfindustrisë tregon se, vlerësuar nga këndvështrimi i biznesit, ccmimi i lartë dhe cilësia jashtë standardeve e karburanteve janë ndër problematikat kryesore pengesë të zhvillimit ekonomik te vendit.
Rritja e mëtejshme e çmimit të karburanteve në vend rrezikon seriozisht të godasë ashpër deri në falimentim ekonominë dhe në radhë të parë industritë dhe prodhimin vendor nga konkurenca e importeve.
Konfindustria do t’i kërkojë zyrtarisht qeverisë dhe gjithë vendimmarrjes politike, që të ndërtojë sa më shpejt një strategji të mirëfilltë për të rregulluar në themel organizimin dhe funksionimin e tashëm të tregut strategjik të karburanteve.
Tregu i karburanteve zë mbi 10% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto të Shqipërisë. Sipas Konfindustrisë, humbjet e drejtpërdrejta, që i shkaktohen ekonomisë nga abuzimet me çmimet, cilësinë dhe evazionin fiskal llogariten në mbi 150 milionë euro në vit.
Këtu nuk llogariten humbjet e larta financiare nga ndotja mjedisore, shëndetit, makineritë dhe rënia e fuqisë konkuruese të ekonomisë kombëtare me prodhimet dhe sherbimet e huaja.