MENU
klinika

Histori njerëzore!

“Dua të jetoj, s’dorëzohem!”

05.10.2018 - 19:30

“Sikur të përmbyset bota, sikur nuk mbushesh dot me frymë si më përpara, sikur të mungon qenia jote e dikurshme!

Sapo mëson se je diagnostikuar me kancer gjiri dhe mjafton një çast për të t’u zgurdulluar sytë, për të bërë një pyetje naive! ‘Pse mua?’

Sado përpiqesh, pyetja nuk merr një përgjigje! Të paktën jo nga vetë ti!

Dhe ashtu, duke të t’u dridhur duart si kurrë më parë, mendja nuk të shqitet në asnjë çast nga gjendja jote! Fundi i botës, mund të thuash ndër vete! E pashpresë! E mjerë! E rraskapitur!

Fillon dhe mendon se si do jetosh në vijim! Shtron pyetjen ekzistenciale: Sa do zgjasë jeta ime?

Sigurisht, edhe më herët ia kishe bërë vetes një pyetje të tillë, por kurrë më parë si në këto momente! Befas, ndjen një dëshirë për të qenë shëndetplotë, si shumica prej mikeshave të tua! Asnjë problem që ti e kishe konsideruar problem më parë, tani as nuk krahasohet me dhimbjen ngërthyese që ndjen!

Ndjen një keqardhje fatkeqe për veten! Me kalimin e muajve, viteve, lejon që stresi të kamuflojë gjithë qenien tënde, duke u gjendur në fund, përballë një dere që nuk hapet, që s’ia gjen dot çelësin: Vdekjes!”

Pikërisht, këtë parashtrim përjeton pjesa më e madhe e femrave të diagnostikuara me kancer!

Por në këtë lëmsh supozimesh enigmatike, rasti i Sonela Totrakut bën përjashtim! Aq fuqimisht, siç përjashtimi që vërteton rregullin!

Ajo, po, është njëra prej tyre, por me një diferencë tunduese:

“Lufton me mish e me shpirt, për të dalë nga gjullurdia e sëmundjes!”

Personazhi me rolin kryesor në këtë copëz rrëfimi është pikërisht Sonela Totraku, 42-vjeçarja e cila prej 10 vitesh zhvillon një “betejë të ashpër” me kancerin e gjirit.

Në vitin 2009 u diagnostifikua për herë të parë me këtë lloj tumori, të cilin edhe sot e kësaj dite e mban mbi supe, me gjithë kalvarin e vuajtjeve që mbart.

Aktualisht sëmundja ka avancuar në fazën e tretë, duke prekur kështu kockat.

“Nuk do të dorëzohem para sëmundjes, kurrë!” Kur flitet për gjendjen e saj, kjo është ekzaktësisht fraza që Sonela e thotë me mjaft bindje dhe potencial! Personat që e njohin e dinë tepër mirë!

Thonë që nëse do ishim të përjetshëm nuk do ta çmonim jetën, e megjithatë, përtej kësaj thënie, Sonela, ashtu pozitive, krenare që arrin të mbijetojë dhe e palëkundur në atë që thotë e mendon, pavarësisht gjendjes së saj shëndetësore, na jep një mesazh të mirë të gjithëve ne:

“Asnjeri nuk e di se sa kohë ka për të jetuar. Sëmundja që unë kam më ka dhënë mundësinë të jetoj 10 vite! Dhe unë e dua jetën! Dua të jetoj!”

E pyetur, si ka ndikuar tek ajo ndryshimi fizik pas proceseve të trajtimit, 42-vjeçarja përgjigjet:

“Nuk është e rëndësishme që nuk ke flokët, e rëndësishme është të mos kesh dhimbje, e rëndësishme është të vazhdosh të jetosh!”

Shumica prej nesh shpeshherë të gozhduar pas problematikave të ndryshme që hasim në jetë harrojmë se gjëja më fantastike në këtë botë është: Të jetosh!

Lidhur me këtë, Sonela shprehet: “Fjalia që i them unë vetes është, shumë mirë, e jetove edhe një ditë! E rëndësishme është të shikosh anën pozitive të gjërave, të gjesh elementet që i japin dritë jetës. Jeta ka ngjyrat e saj, qofshin të bardha, të zeza apo ngjyra të ndryshme. Çdo ditë do t’i përjetojmë ato.”

Për të gjitha ju femra, ndjekëse të Konica.al, që keni të njëjtën diagnozë të vështirë me Sonelën, ajo ka një mesazh:

“Do i drejtohesha të gjitha femrave, bashkëvuajtëseve të mia, mikeshave të mia, që të luftojnë fort, fuqishëm, me shpresë, me forcë, kurajo! Të mos mbyten në pesimizëm, të vazhdojnë jetën siç e kanë pasur, ndoshta edhe me aktivitete më të shumta, se me shpresë, do t’ia dalim mbanë!”

Duke qenë se jemi në muajin Tetor, që njihet botërisht si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Sonela, në këtë kuadër, dëshiron të ndajë disa çaste reflektimesh me ju:

“Muaji rozë, muaji i luftës kundër kancerit të gjirit.

Sapo kam filluar vitin e dhjetë të luftës sime me këtë sëmundje të rëndë. E në këto vite kam pasur momentet e mia të vështira.

Edhe unë kam qarë, edhe unë kam derdhur lot, unë e forta kam përjetuar momente dobësie, unë e hekurta i jam trembur vështirësive të jetës. Dhe ja ku jam mes jush, e armatosur me fjalën time, me buzëqeshjen në buzë dhe dashurinë në shpirt.

Luftoj çdo ditë me forcën e shpirtit, luftoj pa u ndalur se unë e dua jetën dhe dua të jetoj çdo ditë të saj, të shijoj çdo moment pavarësisht vështirësive që ndesh çdo ditë. E sot unë jam përkrah me të gjitha ato femra që si unë përpiqen për të fituar betejat e vështira.

Njerëz ndihmojini, përkrahini, mbështetini se kanë nevojë për një buzëqeshje, një fjalë të ëmbël… apo dhe thjesht: “Forca se do t’ia dalësh mbanë!”

Unë kam fatin që rrethohem nga familja ime e shenjtë, nga miqtë e mi të shtrenjtë që tashmë janë burimi i forcës sime. Por jo vetëm kaq…

Mbaj në zemër amanetin e asaj që më deshi pafundësisht, mamit tim. Porosia e saj e vetme ishte që unë të mos ndalesha, por të vazhdoja përpara. E tani unë luftoj më fort, luftoj për të dyja ne.

Jeta gjithmonë duhet jetuar, dielli do të lindë sërish. Besoj në ëndrrën time, kam shpresuar e shpresoj se do të kem fatin t’ia dal mbanë.”

Përgatiti: Migena Dani   

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN