Gruri është pushtet, madje jo i vogël. Mbas naftës është produkti me rëndësinë më të madhe gjeoekonomike dhe gjeopolitike. Manovra të mëdha politike zhvillohen rreth grurit dhe kush e kontrollon tregun ka një rol stategjik të dorës së parë.
Kërkesa për grurin është në një rritje të vazhdueshme pasi e konsumojnë rregullisht mbi 3 miliardë banorë dhe disponohet për eksport vetëm nga dhjetë shtete. Konsumi i grurit po rritet me shpejtësi edhe në vendet me traditë dominante të orizit si Kina, India, Vietmani dhe Japonia.
Gruri ka patur implikacione politike dhe shoqërore në histori shumë më të mëdha se sa nafta pasi është produkti ushqimor më jetik për njeriun. Nuk njihen revolta për rritjen e çmimit të naftës dhe gazit panvarësisht se ka sjellë komplikacione gjeopolitike dhe ushtarake, por për çmimin e bukës dhe mungesën e saj historia është e mbushur me shumë shembuj revoltash të përgjakshme. Athina e lashtë e demokracisë liberalizoi gjithë tregtinë me përjashtim të grurit, për shkak të frikës së revoltave të popullsisë.
Që nga Roma antike dhe gjatë periudhës së Mesjetës shumë revolta, madje edhe Revolucioni francez kanë nisur nga disponibiliteti i grurit dhe bukës. Për të ardhur në kohën tonë ku revoltat e fuqishme të Pranverave arabe patën si fillim revoltat për çmimin e bukës.
Jo më kot gruri dhe nënproduktet e tij subvensionohen më shumë në botë.
Në qoftë se kultura e përdorimit të grurit në kohë është përhapur në shumë vende të globi, prodhimi i tij ka mbetur në disa vende. Janë të pakta vendet që me prodhimin e grurit mund të ushqejnë popullsinë e tyre dhe të kenë mundësinë për eksport.
Në nivelin gjeopolitik kjo merr një rëndësi shumë të veçantë. Sot prodhohen në botë rreth 745 milion ton dhe eksportohen rreth 160 milion ton grurë në vit (është shtuar me 60 milion tonë vetëm në 20 vitet e fundit).
Me një xhiro vjetore prej rreth 50 miliardë dollarë, gruri aktualisht është produkti ushqimor me i tregtuar në botë.
Gruri duke qënë një produkt jetësor është një burim i disekuilibrave strategjikë pasi prodhimi i tij është shpërndarë në mënyre asimetrike në botë.
Vendet me urinë më të madhe për grurë janë Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme. Por praktikisht kjo zonë e globit ku banojnë mbi 500 milionë banorë prodhon shumë pak për shkak të kushteve klimaterike. Vendet e kësaj zone kanë një hipervarësi për drithëra duke qenë importues të rreth 1/3 të grurit në botë. Në pamje të parë duket se gjithë ndërhyrjet e fuqive të huaja në këtë rajon janë për naftën, por një komponent jo pak e rëndësishme është edhe dominimi i tregut të grurit.
Një luftë e madhe zhvillohet midis SHBA, BE dhe Rusisë për dominimin e këtij tregu. Shtete si Egjipti me 100 milion banorë, që është importuesi më i madh në botë, si dhe Irani, e Turqia me mbi 80 milionë banorë secili, importojnë gati 90% të grurit që përdoret shumë nga popullsia e këtyre vendeve.
Deri 3 vjet më parë, SHBA, si fuqia më e madhe e prodhimit bujqësor në botë ka dominuar tregun botëror të grurit dhe drithërave. Bursa e Çikagos përcakton gjithë çmimet e tyre në botë.
Por në dy vitet e fundit situata ka ndryshuar. Tashmë është Rusia që është shndërruar në eksportuesen më të madhe në botë .
Në vitin 1982 SHBA arriti rekordin botëror në eksport me 49 milion ton drithëra ndërkohë që BRSS arriti rekordin në importin e tyre në vitin 1985 me 55 milionë ton. Tashmë gjithcka ka ndryshuar.
Për vitin 2018 Rusia do të eksportojë 38,8 milion ton grurë (dhjetëfishuar në 10 vitet e fundit) ose reth 23 % te eksportit botëror kurse SHBA 17 %.
Ka një sërë faktorësh në këto ndryshime.
Së pari prodhimet bujqësore, dhe në vecanti ato të grurit varet në një masë të madhe nga kushtet klimaterike dhe SHBA kanë patur 3 vitet e fundit thatësirë të madhe, kurse për Rusinë rritja me gati 2-3 gradë e temperaturave vjetore për shkak të ngrohjes globale ka ndikuar fuqishëm në rritjen e prodhimit sidomos në Siberi.
Nga ana tjetër Rusia e vendosur nën sanksione ka stimuluar prodhimin e grurit si burim të fitimit të dollarit dhe këtë vit nga eksporti i grurit dhe drithërave do të fitojë më tepër se nga eksporti i armëve.
Po kështu zhvlehtësimi i rublës për shkak të sanksioneve, por edhe fakti që Rusia nuk lejon prodhimin e grurit OMGJ ka bërë që gruri rus të jetë shume kompetiv (-7%) në raport me atë amerikan dhe francez.
Që gruri ka një rëndësi politike duket edhe në reagimin e Kinës ndaj sanksioneve amerikane.
Mbas vendosjes së taksave doganore për rreth 200 miliard dollarë nga SHBA, Kina ju kundërpergjigj duke taksuar disa produkte amerikane që asaj i dhembin më shumë si naftën, gazin e lëngshëm dhe në mënyre të veçantë grurin dhe sojën amerikane me 10% dhe duke e nxjerrë praktikisht jashtë tregut kinez eksportet amerikane. Kjo nervozoi në kulm Trump që reagoi duke kërcënuar se do të rrisë edhe me 286 miliard të tjere nëse Kina nuk tërhiqet nga kjo masë. Ky reagim i Trump vjen pasi 10 shtete amerikane që janë prodhuesit kryesor të grurit, janë ata që kanë votuar me shumë atë dhe kjo ka pasoja të rënda politike. Trump është detyruar të japë 12 miliard dollarë në formën e subvensioneve federale për dëmet që ju shkaktohen prodhimeve bujqësore nga kundërgoditja e Kinës.
Që gruri do të marrë një rëndësi shumë më të madhe gjeopolitike kjo është evidente. Popullsia e botës do të rritet në mënyrë progresive dhe konsumi i grurit do të rritet duke bërë që çmimi i tij të njohë vetëm rritje, madje jo të vogël.
Ndërsa për naftën po shikohen mundësi alternative (makina elektike, energji diellore, atomike etj) gruri është praktikisht i pazëvëndësushëm, veçanërisht për ata popuj që e kanë një traditë ushqimore të konsoliduar në shekuj. Aq më tepër që kultura e përdorimit të tij po përhapet me shpejtësi edhe në zona jo tradicionale, vecanërisht në Azi ku jeton pothuajse gjysma e globit,
Kohës së bollëkut ushqimor po i vjen fundi, madje me shumë shpejtësi. Bota sot konsumon shumë dhe keq.
Skenari për të ardhmen e prodhimit të grurit nuk është aspak optimist. Sipas FAO nga vitet 2025-2050 parashikohet një zvogëlim me reth 20 % të prodhimit botëror të grurit , ndërkohë që për të përballuar rritjen e popullsisë me reth 8,5 miliard në 2030 dhë 9,7 miliard banorë në 2050 do të kërkohet një rritje me rreth 60 % e gjithë prodhimit bujqësor botëror. Kjo do ta bëjë grurin një element mjaft të rëndësishem dhe shumë të kërkuar, me një çmim mjaft të lartë nga ky aktual dhe që kjo do të ketë implikacione gjeoekonomike dhe sidomos gjeopolitike.
Ashtu siç nafta dhe gazi sot përdoret si një armë shumëdimensionale në skakieren gjeopolitike botërore, ashtu dhe gruri në dekadat e ardhshme mendohet të ketë këtë peshë. Një serë faktorësh si rritje progresive e popullsisë, ndryshimet e fuqishme klimaterike për shkak të ngrohjes globale, rritja e kultures së përdorimit të tij, do t’iu japin zotëruesve të prodhimit të tij një kartë të fuqishme për ta lozur në tavolinën e skakierës gjeopolitike botërore.