MENU
klinika

Nga New York Times

Gorbaçov: Një garë e re armësh sapo ka nisur

26.10.2018 - 15:55

Presidenti Trump thotë se ka në plan të tërhiqet nga një traktat që nënshkruam dikur me Ronald Reagan.

Mbi 30 vjet më parë, Presidenti Ronald Reagan dhe unë nënshkruam në Uashington Traktatin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik për eliminimin e raketave të ndërmjetme. Për herë të parë në histori, armët bërthamore duhej të eliminoheshin dhe të shkatërroheshin.

Ky ishte hapi i parë që u pasua  nga një traktat, të cilin Bashkimi Sovjetik e nënshkroi me Presidentin George H.W. Bush në 1991 dhe një tjetër në 2010.

Ka ende shumë armë bërthamore në botë, por në një konferencë në vitin 2015, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara raportuan se 85 për qind e atyre arsenaleve ishte shkatërruar.

Sot, kjo arritje e jashtëzakonshme, për të cilën dy popujt mund të jetë me të drejtë krenarë është në rrezik. Presidenti Trump njoftoi javën e shkuar planin e Shteteve të Bashkuara për t’u tërhequr nga Traktati i Forcave Bërthamore.

Unë jam duke u pyetur nëse ndihem i mërzitur duke parë rënien e asaj për të cilën kam punuar aq shumë për të arritur. Por kjo nuk është çështje personale. Ka një rrezik edhe më të madh.

Është nisur një garë e re armësh. Traktati INF nuk është viktima e parë e militarizimit të çështjeve botërore.

Në vitin 2002, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga Traktati antiballistik i raketave; këtë vit, nga marrëveshja bërthamore e Iranit. Shpenzimet ushtarake kanë kaluar në nivele astronomike dhe vazhdojnë të rriten.

Si pretekst për tërheqjen nga traktati INF , Shtetet e Bashkuara kanë nxjerrë shkeljet e supozuara të Rusisë për disa nga dispozitat e traktatit. Rusia ka propozuar që t’i diskutojë çështjet në tryezën e negociatave për të gjetur një zgjidhje të pranueshme nga të dy palët. Por gjatë viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara e kanë shmangur një diskutim të tillë. Mendoj se tani është e qartë pse.

Me vullnet, çdo problem me traktatet ekzistuese mund të zgjidhet. Por siç e kemi parë gjatë dy viteve të fundit, presidenti i Shteteve të Bashkuara ka një qëllim shumë të ndryshëm nga ky.

Shtetet e Bashkuara në fakt kanë marrë iniciativën për shkatërrimin e të gjithë sistemit të traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare që shërbenin si bazë për paqen dhe sigurinë pas Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë, unë jam i bindur se ideja që ata shpresojnë të përfitojnë nga e gjithë kjo është thellësisht e gabuar. Nuk do të ketë fitues në një “luftë kundër të gjithëve”.

A është tepër vonë për dialog dhe negociata? Unë nuk dua të humb shpresën. Unë shpresoj se Rusia do të mbajë një qëndrim të fortë por të balancuar. Shpresoj që aleatët e Amerikës, pas një reflektimi, të refuzojnë të nisin raketat e reja. Shpresoj që Kombet e Bashkuara, dhe veçanërisht anëtarët e Këshillit të Sigurimit të tij, të ndërmarrin veprime të përgjegjshme.

Të ballafaquar me këtë kërcënim të tmerrshëm për paqen, ne nuk jemi të pafuqishëm. Nuk duhet të dorëzohemi.

Mikhail Gorbaçov është ish-presidenti i Bashkimit Sovjetik.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN