MENU
klinika

Vizita në Shkodër

Haradinaj në Shkodër: Ushtria e Kosovës së shpejti

24.10.2018 - 10:15

Kryeministri i Kosovës, Haradinaj ka nisur sot vizitën zyrtare në Shkodër. Së bashku me kryetaren e Bashkisë, Voltana Ademi ka vendosur kurora me lule tek busti i Isa Boletinit.

Pas vendosjes së kurorave, Haradinaj tha se është i kënaqur që ndodhet në një qytet si Shkodra që e ka shpallur “Qytetar Nderi” në kohën kur ishte i burgosur.

“Faleminderit Shkodër për kujdesin që kanë bërë në të gjitha etapat edhe në kohën e luftës, atëherë kishim UÇK. Populli i Kosovës ka gjetur ngrohtësi këtu në Shkodër edhe kujdesi ka qenë i jashtëzakonshëm. Ne po vazhdojmë rrugën drejt konsolidimit të Kosovës shtet. Transformimi i forcave të sigurisë së Kosovës në mandat të ushtrisë po ndodh, me respektin e aleatëve dhe partnerëve të tjerë”, ka thënë Haradinaj.

Ai theksoi se vazhdon puna për formimin e ushtrisë së Kosovës dhe se për këtë ka marrë mbështetjen e partnerëve dhe aleatëve të huaj.

I pyetur për akuzat se ushtria e Kosovës nuk mund të formohet, Haradinaj refuzoi të përgjigjet duke thënë se është i kënaqur që ndodhet sot tek Baca Is. Haradinaj do ketë një vizitë në bashkinë Shkodër dhe në një prej muzeve.

Vizitën e Haradinajt e përshëndeti edhe kryetarja e bashkisë Voltana Ademi.

“Ju falenderoj që keni zgjedhur qytetin tonë, për të kaluar disa orë. Për ne shkodranët kjo ka kuptim të madh. Do të kemi mundësinë të marrim disa iniciativa edhe në kuadër të vitit të Skënderbeut. Kjo vizitë do të ketë një rëndësi historike për qytetin tonë”  ka  thënë kryebashkiakja  e Shkodrës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN