Të ardhurat nga turizmi pritet të arrijnë në mbi dy miliardë euro këtë vit. Ministri i Financave dhe Ekonomisë (MFE), Arben Ahmetaj, tha se ky sektor po e rrit peshën e tij me rreth 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Aktualisht, vlerësohet se ky sektor sjell rreth 15% të prodhimit kombëtar.
Sipas ministrit, në rajonet kryesore turistike numri i të punësuarve gjatë sezonit të fundit është rritur me rreth 12 mijë vetë. Tregues i tërthortë i rritjes së të ardhurave nga turizmi është edhe taksa e fjetjes. Për periudhën maj-gusht 2018 ka sjellë 15% më shumë të ardhura për njësitë vendore.
Ministri Ahmetaj vlerësoi se politikat nxitëse fiskale kanë pasur një ndikim të konsiderueshëm në këtë sektor. Ai tha se bizneset e këtij sektori kanë paguar rreth 5.7 milionë USD TVSH më pak, vetëm si efekt i uljes së kësaj takse për shërbimet akomoduese, nga 20% në 6%.
Sipas tij, lehtësitë fiskale në këtë sektor po tërheqin interesin e investitorëve të rinj. Janë katër projekte që janë paraqitur në Ministrinë e Turizmit për të ndërtuar hotele me pesë yje.
Ministri u ndal edhe te luftaj ndaj informalitetit në këtë sektor. Gjatë sezonit turistik, u vendosën rreth 130 milionë lekë gjoba në aktivitetet turistike.
Për të forcuar luftën ndaj informalitetit, ministri paralajmëroi se MFE ka nisur kontaktet me platformat elektronike të prenotimeve, për të marrë informacion lidhur me strukturat që ofrojnë akomodim në Shqipëri.