Në llumin mediatik të këtyre ditëve të fundit u prodhua edhe një varjant tjetër “alla Babale” .
Një portal grek, kishte botuar listat e emrave të gazetarëve apo funksionarëve të lartë patiak që kishin përfituar nga fondet sekrete greke. Një vështrim profesionisti e kuptonte brenda minutit, edhe pa kontrolluar origjinën e portalit grek që e kishte prodhuat këtë lajm, se kishte të bënte me një sajesë. Ashtu si trupi i njeriut të rregullt që ka kokën trupin dhe këmbët, në përmasa përgjithësisht rigoroze, ashtu edhe një shkrim respekton të njëjtin rregull. Kështu nuk mund të jetë më e madhe koka se trupi. Në lajmin e dhënë, dukesh që protagonisti që duket njëkohësisht se ka qënë edhe prodhuesi i lajmit, (u vërtetua që burimi i parë i lajmit ishte nga Hollanda), kishte shkruar më shumë se sa duhej për veten e tij.
Unë asnjëherë nuk kam dyshuar që ka financime sekrete, megjithëse në vendin tonë të bekuar nuk ka nevojë të hedhesh ndonjë para. Ai prishet çdo ditë nga ne vetë, mjaft që të shohësh se mbi 99% të lajmeve të prodhuara nuk kanë lidhje me ekonominë, pale me strategjinë tonë kombëtare, për të kuptuar se këtu nuk ka nevojë për shërbime sekrete apo lekë të të tjetëve
Por a mund të flasim për dëmet që i sjellë vetë klasa politike vendit të saj?
Në ‘92 -‘97 kur ndodhi dhe ndërrimi i sistemit, pothuajse e gjithë opozita dhe një pjesë e rëndësishme e ish-nomeklaturës komuniste, thuajse u arratis në vendet fqinje dhe kryesisht në Greqi. Kjo brenda arsyes që i referohesh pozicionit të keq ekonomik ose persekucionit politik. Një shembull tipik të cilin e kam përmëndur edhe në shkrime te tjera, ishte ikja dhe zënia punë si roje nate e një prej ish-ministrave të kohës së diktaturës. Megjithëse vetë besoj në mënyre absolute, se ai mund të ishte njeri i ndershëm, mu duk turpëruese dhe kriminale, që të lejohej një gjë e tillë. Një njeri si ai, pavarësisht funksioneve, mund të burgosej ose të persekutohej në vendin e tij, por jo diku tjetër. Ky njeri që dinte prej kohësh me imtësi të gjitha sekretet e shtetit shqiptar, mund ti shiste ato edhe për një copë bukë. Këtu mund të përmend shumë emra të asaj perjudhe, të cilët më vonë përbën pozitën dhe jo opozitën e Shqipërisë. Vetë regjimi i ‘92-‘97 e ka përmëndur shumicën e tyre, si agjent të shteteve që punonin kundër Shqipërisë.
Personalisht mendoj se mund të kenë ndodhur raste të tilla. Por armiqtë apo agjentët e Shqipërisë janë ata që gjatë 30 vitëve të tranzicionit, e kanë djegur dhe përvëluar Shqipërinë dy ose tri hère. Duke prodhuar kështu efekte apo dëme që, nëse i referohemi filozofisë së komunistëve të vjetër, janë më të mëdha se të një ushtrie apo të një koalicioni ushtrish të rreshtuara kundër Shqipërisë.
Në kohën e sotme ndoshta më shumë se kurrë, mendoj se Shqipërinë nuk e dëmtojnë agjentët apo agjenturat sekrete.
Duke folur kohë më parë me një ish-ambasador grek, me një emër shqiptar ndoshta i greqizuar (Kokoshis), po dikutonim për Igumenicën, Egnatian e Re dhe Korridorin e tetë. E dija, siç e di edhe tani, se porti i vogël i Igumenicës nuk mund ta zëvendësonte dot kurrë portin e Vlorës dhe se Egnatia nuk mund ta zëvendësonte kurrë Korridorin e Tetë. Ironisë së ambasadorit se përse mendoja në mënyrë të tillë, i’u përgjigja me fabulën e lejlekut dhe dhelprës që ftojnë njëri tjetrin për drekë.
Lejleku i Igumenicës nuk mund të hante dot në pjatën ‘Egnatia së Re.’ Ashtu si dhe dhelpra ‘Vlorë’ nuk mund të hante dot në ‘Korridorin e tetë.’
Ambasadori u tall me mua duke më thenë se unë isha një njeri i vetmuar që po mundohesha të luftoja me mullinjtë e erës. I’u përgjigja se shyqyr që kishim fqinj kaq budallenj, që nuk dinin as të kuptonin, e as të vidhnin tamam. Në të vërtetë nuk shkuan më shumë se dhjetë vjet që Greqia vetë të shkonte në humnerë, nga super investimet e veta idiote. Dhe asaj, apo më mire një pjese të shtypit të saj, nuk i ka mbetur gjë veçse ashtu si tek ne, të prodhojë histori me agjent dhe financime sekrete.
Mjerim i varfanjakëve që më së shumti e kanë atë në kokë.
Në fakt ambasadori kishte të drejtë, grekët ndërtuan Egnatian dhe “ filluan të na ndihmojnë edhe ne” nëpërmjet rrugëve që fillonin nga Greqia dhe përshkonin përsëgjati Shqipërinë, pa pasur asnjë lidhje me Korridorin e tetë. Firma Sarandopulos mbasi ndërtoi ca ura dhe rrugë që nuk përfunduan kurrë dhe ishin më të dobta se ato të vullnetarëve te Enverit, na la dhe ca gjoba të majme për ti paguar. Korridori i tetë kështu u shty për “ kalendat greke”.
Ka shumë shembuj të turpshëm dhe të ngjashëm si ky që përmënda. Po për këtë nuk ka nevojë për agjentë apo për agjentura.
Çdo njeri me aftësi minimale logjike e kupton se Shqipëria që ështe shumë më e gjatë se sa e gjerë, do të kërkonte Korridorin e tetë, pastaj portin e Vlorës dhe jo atë të Durrësit. Shqipëria që eksportet e saj i ka të tipit minerale, gurë apo çimento, do të kërkonte ndërtimin e porteve dhe hekurudhave. Në të kundërt do ti ngjate fabulës që përmënda më sipër me dhelprën dhe lejlekun.
Çdo njeri me aftësi minimale logjike, e kupton se Shqipëria duhet të lidhet me Kosovën me hekurudhë. Qymyret e saj që janë të pafundme, mund të shërbenin për të ndërtuar centralet në pjesën e jugut të Shqipërisë dhe ne që kemi hidrocentrale, mund ti funizonim ata me energji gjatë dimrit dhe të funizoheshim nëpërmjet këtyre qymyrëve gjatë verës. Ne mund të binim me hekurudhë me mijëra nga ata turistët dhe mund të futeshim po nëpërmjet kësaj hekurudhe në të gjithë Evropën.
Natyrisht për këtë nuk kanë faj agjenturat, ka faj dallkaukllëku i klasës sonë politike. Po nëse këta të fundit qëndrojnë në rresht të parë për demet që i shkaktojnë vendit, shtypi dhe intelektualët nuk kanë më pak faj. Asnjëri nuk i pengon që të shkruajnë për ekonominë dhe strategjinë kombëtare të vendit. Nëse nuk bëjmë këtë ose nuk e kuptojmë këtë, mbetet të këndojmë pa pushim atë këngën…
Morëm pushkën dolëm malit
Të luftonim për atdhe
Ku ta dinim ne të shkretët
Se armiku ishim vetë ne…