Numri i bizneseve që pezullojnë aktivitetin, duke kaluar në statusin pasiv ka ardhur në rritje vit pas viti, për t’u ndalur në shifrën prej afro 110 mijë subjekte në fillim të këtij viti. Por a janë vërtet pasivë këto biznese, a kanë ulur vërtet qepenat dhe nuk shesin e blejnë, e as nuk deklarojnë transaksione apo fitime në organet përkatëse, siç përcakton ligji? Tatimet thonë jo!
Pavarësisht statusit pasiv në regjistrat tatimorë apo të Qendrës Kombëtare të Biznesit, një pjesë e mirë e tyre vijojnë aktivitetin e përditshëm me subjekte aktive, madje edhe lëshojnë kupona tatimorë.
Një hetim i administratës tatimore ka zbardhur mbi të paktën 3 mijë biznese me status pasiv që vijojnë aktivitetin. Hetimi ka evidentuar 1.998 subjekte tatimpaguese me status pasiv që rezultojnë blerës në subjekte aktive, si dhe 1.375 subjekte tatimpaguese me status aktiv që rezultojnë shitës në subjekte pasive. Janë zbardhur gjithashtu 98 subjekte tatimpaguese me status pasiv që rezultojnë shitës në subjekte aktive.
Të tjera të dhëna janë mbledhur nga analizimi i të dhënave të marra nga sektori i kasave fiskale nga të cilat u evidentuan. Analiza ka evidentuar 470 subjekte tatimpaguese me status pasiv që lëshojnë kupona tatimorë.
Kanë zbardhur gjithashtu edhe 537 subjekte tatimpaguese me status “kërkesë për çregjistrim”, por që lëshojnë kupona tatimorë, ndërkohë që 68 subjekte tatimpaguese me status “çregjistruar” rezulton se lëshojnë kupona tatimorë.
Ajo që bie në sy është se këto kompani që “de jure“ kanë ndërprerë aktivitetin, në terren ndërveprojnë edhe me biznese të mëdha. Vetëm nga kontrolli i të dhënave në Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj, rezultoi që për vitin 2017, bizneset e mëdha kanë faturuar rreth 11 mijë transaksione në adresë të tatimpaguesve, persona fizikë, që janë me status pasiv.