MENU
klinika

6.3% e totalit

Më shumë familje me qira  

14.10.2018 - 13:00

Numri i familjeve shqiptare që jetojnë në banesa me qira po rritet. Sipas Instat, pesha e familjeve shqiptare që jetojnë në banesa me qira ka arritur në 6.3% të totalit, nga 4.1% që kishte qenë në vitin 2014.

Rritja e ngadaltë e të ardhurave dhe shtrëngimi i kredisë bankare, deri para pak vitesh, e bënë më të vështirë blerjen e një shtëpie. Gjithashtu, forcimi i kontrollit mbi territorin e ka reduktuar fenomenin e ndërtimeve pa leje, që ka qënë masiv në periudhën e tranzicionit dhe ka siguruar strehim për qindra mijëra familje.

Një faktor tjetër janë lëvizjet e vazhdueshme demografike drejt qendrave të mëdha urbane. Jo të gjitha familjet që zhvendosen drejt qyteteve të mëdhenj, ku çmimet e pronave janë më të larta, kanë mundësi të blejnë një banesë. Kjo vlen sidomos për të rinjtë që shkëputen nga familjet dhe zhvendosen për të punuar në kryeqytet.

Gjithashtu, të ardhurat nga emigracioni gjatë viteve të krizës ekonomike kanë zbritur në nivele më të ulëta, duke pakësuar investimet për blerje pronash nga emigrantët dhe familjet e tyre.  Nga ana tjetër, evolucioni shoqëror ka bërë që për një pjesë të individëve dhe familjeve jetesa me qira të jetë edhe një zgjedhje.

Ndonëse në mentalitetin e shoqërisë shqiptare prirja për të patur një shtëpi në pronësi ngelet mbizotëruese, ka më shumë njerëz që nuk e shohin më këtë si një domosdoshmëri, apo të paktën jo si një nevojë të ngutshme.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN