MENU
klinika

Dita e eurobondit

Shqipëria kërkon 500 mln euro hua në tregjet financiare

02.10.2018 - 09:06

Shqipëria do të dalë të martën në tregjet ndërkombëtare për të marrë hua deri në 500 milionë euro, përmes emetimit të Eurobondit, me afat maturimi 5-7 vjet. Ministria e Financave bën të ditur se, pas një jave intensive takimesh me investitorët në disa prej qendrave kryesore financiare europiane, sot pritet finalizimi i një procesi të rëndësishëm për ekonominë dhe financat shqiptare.

Emetimi i eurobondit me afat 7 vjeçar maturimi, për herë të parë për Shqipërinë, do të ishte një arritje e rëndësishme, si reflektim i besimit të investitorëve të huaj në ekonominë dhe financat e vendit.

Pritshmëritë e Ministrisë së Financave janë që eurobondi i ri të rezultojë me interesa më të ulëta, krahasuar me atë të vitit 2015.

Eurobondi i vitit 2015, në fakt, do të maturohet në vitin 2020. Por, për shkak të rritjes së pritshme të normave të interesit gjatë viteve të ardhshme, Qeveria shqiptare ka vendosur të dalë në tregje që këtë vit dhe të rifinancojë para afatit edhe një pjesë të eurobondit ekzistues.

Në vitin 2015, Shqipëria siguroi 450 milionë hua në tregjet ndërkombëtare përmes emetimit të obligacioneve 5-vjeçare në euro. Kuponi apo interesi vjetor i obligacioneve në vitin 2015 ishte 5.75%.

Huaja e marrë përmes Eurobondit do të përdoret për të plotësuar nevojat e buxhetit për financim, por edhe për të shlyer para kohe 200 milionë euro borxhe të marra përmes Eurobondit të emetuar në 2015, që në kushtet e marrjes me interesa më të ulëta, do të rezultojë në uljen e kostove të borxhit në buxhetin e shtetit dhe qytetarëve.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN