MENU
klinika

Këshilla!

Urthi, çfarë nuk duhet të hani

09.10.2018 - 18:35

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, së pari duhet të kuptojmë se çfarë është urthi.

Është një shqetësim djegës zakonisht në qendër të gjoksit që vazhdon deri në fyt te disa individë. Kjo vjen si rezultat i lëngut të stomakut që ngjitet lart në ezofag dhe irriton indet e tij.

Disa ushqime shkaktojnë urth dhe ju duhet t’i identifikoni ato në mënyrë që të mos i përdorni.

Një shkak mendohet të jetë shtimi i sasisë së ushqimit të konsumuar që çon në rritjen e vëllimit të stomakut dhe kjo bën që valvula e ezofagut të mos mbyllet, të dëmtohet dhe kjo shoqërohet më pas me kthimin e lëngut në ezofag.

Një shkak tjetër sipas ekspertëve mendohet se është të ngrënët me shpejtësi, për shembull në zyrë, në rrugë, në makinë etj. Nutricionistët këshillojnë që të hahet ngadalë dhe të përtypet mirë ushqimi në gojë para se të kalohet në stomak.

Ngrënia e ushqimeve me shumë yndyrë është një tjetër arsye dhe kjo sepse këto ushqime duan një kohë më të gjatë që të treten duke e mbajtur të fryrë stomakun.

Mendoni sa e rrezikshme është të hash ushqime me shumë yndyrë dhe në sasi të madhe, pa diskutim do të vuani nga urthi. Disa njerëz mund të duhet të heqin dorë nga ushqimet e tyre të preferuara për të shmangur urthin.

Sidoqoftë, nëse disa nga ushqimet tuaja të preferuara si karkalecat për shembull, janë të fërguara dhe jo të skuqura, të mbështjella me proshutë yndyrore ose nëse konsumohen në sasi jo të mëdha, ato mund të shijohen pa shkaktuar urth.

Zvogëlimi i mishit me yndyrë ose pjekja e disa ushqimeve në vend të fërgimit, mund të ndihmojë në reduktimin e rrezikut të urthit.

Ushqimet që përmbajnë një pH të ulët (ushqime acidike si domate, fruta, agrume si portokall, limon ose uthull, të gjetura në salcat e sallatës) kanë rrezik të shkaktojnë urth nëse hahen me stomakun bosh.

Ushqimi nuk është shkaku i vetëm i urthit; lëngjet mund të jenë gjithashtu shkaktarë të urthit. Rreziku i tij mund të rritet duke pirë kafe, çaj, pije të gazuara dhe pije alkoolike.

Kafeina mund të nxisë prodhimin e acidit në stomak, pijet alkoolike mund të shkaktojnë dëmtimin e muskulit të poshtëm të ezofagut dhe kështu të lejojë përmbajtjen e stomakut të hyjë në ezofag.

Pijet që nuk përmbajnë kafeinë kanë shumë më pak të ngjarë të shkaktojnë urth. Kështu çajrat bimorë pa kafeinë, qumështi dhe uji janë zgjedhje të mira për të zvogëluar rrezikun e urthit.

Për shkak se çokollata mund të përmbajë kafeinë dhe yndyrë, mund të jetë shkaktarë i urthit. Nëse ju nuk mund të rrini pa ngrënë çokollatë, atëherë përpiquni të ulni sasinë e saj. 

Ushqimet me erëza nganjëherë nxisin djegie te disa individë. Përveç kësaj, ushqime të tjera të tilla si hudhra dhe qepë mund të shkaktojnë të njëjtat probleme.

Edhe karamelet mente mund të shkaktojnë urth te disa individë.

Ka mënyra të tjera për të zvogëluar urthin. Ushqehuni rreth tre orë para gjumit, ngrini kokën e krevatit duke vendosur jastik dhe mos u shtrini pa jastik pasi keni ngrënë, ndaloni pirjen e duhanit dhe bëni një mënyrë jetese të shëndetshme.

Urthi i rastësishëm është i zakonshëm, por urthi i shpeshtë nuk është; mund të jetë një simptomë e problemeve të tjera të tilla si sëmundja e refluksit gastroezofageal.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN