Arrin në rreth 10 milionë dollarë vlera totale e pasurive të konfiskuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda gjatë dy viteve të fundit, nga investimet në bono thesari, te llogaritë bankare qindra mijëra dollarëshe, te hotelet e resortet luksoze, deri te makinat e shtrenjta.
Ndërkohë që konfiskime më të shtrenjta janë kryer gjatë vitit 2016. Vetëm përmes një vendimi të marrë gjatë këtij viti, janë konfiskuar një llogari bankare prej 938 mijë dollarësh, një tjetër prej 10 milionë lekësh, si dhe një sasi bonosh thesari prej 5.5 milionë lekësh.
Po në vitin 2016 rezultojnë të konfiskuara me një vendim të vetëm pesë llogari bankare në shumën totale prej 3.1 milionë dollarësh dhe katër llogari bankare në shumën totale prej 451 euro. Në total, për vitin 2016 rezultojnë të konfiskuara një total asetesh prej rreth 5.5 milionë dollarësh.
Rreth 40 pasuri të konfiskuara si rezultat i aktiviteteve kriminale janë nxjerrë në shitje nga Ministria e Financave për vitin 2017.
Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, vlera e tyre në total arrin në rreth 5.5 milionë dollarë. Bëhet fjalë për sipërfaqe të mëdha tokash, pyjesh, restorante, dyqane e apartamente. Bie në sy vlera shumë e lartë e disa prej pasurive.
Njëra prej sipërfaqjeve pyll që shtrihet në 221 mijë metra katrorë vlerësohet me çmimin 270 mijë dollarë. Po me këtë çmim vlerësohet edhe një sipërfaqe ullishte në Durrës me sipërfaqe 1,500 metra katrorë. Pronat në fjalë janë sekuestruar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, vendime, të cilat janë lënë në fuqi nga Gjykata e Lartë.