MENU
klinika

Letërkëmbimi me Zogun

1946/ Pjesë nga letrat e Mit’hat Frashërit për Mbretin Zog

21.11.2018 - 09:54

Reggio Emilia,

Më 22 të Marsit 1946.

I dashur Zoti Petër,

Këndova letrën që i keni dërguar Zotit Vasil (Andoni), me datë 28 Dhjetor 1945. E prita Zotin Hamza Drinin të vinte dhe të bisedonte me mua përsa i shkronte Kolonel Hysen Selmani. Dje erdhi dhe kuvenduam dy orë e gjysmë. I thashë:

“Balli Kombëtar që në fillim ka pasur si princip të shkojë mirë me gjithë Shqiptarët, parti ose grupe qofshin, që ndodhen në Shqipëri, pa dyshim, veç trathtarëvet që thirrën Italinë. Në radhën e parë të grupevet ndodheshe Abaz Kupi, i njohur si partizan i Zogut.

Që më 1941 kam kërkuar dhe jam pjekur me të. I kam shpjeguar parimet themelore të Ballit dhe e kam vërtetuar se për punë të regjimit do t’i bindemi dëshirës së popullit, dhe, sa për tani, partija e jonë nuk kishte asnjë vendim, as për Monarki, as për edhe Republikë; por me hiç nonjë mënyrë (me asnjë mënyrë), nuk do të permetonim (lejonim) që të bëhet nonjë propagandë kundër Monarkisë. Individualisht çdo njeri ishte i lirë të jetë monarkist apo republikan, zogist ose antizogist; por si Ballist nuk kishte të drejtë të çfaqte ndonjë ide, pro ose kundër.

Këto pjekje kanë ngjarë disa herë, në vende të ndryshme rreth Tiranës. Bazi na është rrëfyer që në krye se është në një mendje me ne dhe na ka premtuar të ndjekim politikë nacionaliste, domethënë për Indipendencën e Shqipërisë, për kufijt ethnikë të sajë, dhe të kundërshtojë përhapjen dhe fitimin e komunizmës brenda në Shqipëri…

Më 1943, kur i nënëshkruari jam pjekur me Gjeneralin Englez Davies dhe me Kolonelin Nichols, Davies-i pyeti ç’janë relacionet e Ballit Kombëtar me partinë Zogiste. Unë, përpara Abaz Kupit dhe 20 njerëzve të tjerë, jam përgjegjur: “Balli dhe Zogistët janë si një degë e një trungu me dy çatalle të vegjël në majë, pra në princip nuk kanë asnjë ndryshim”…

Balli vajti më 1944, në Mars, dhe bëri në Shkodër Lidhjen e Shkodrës me Zogistët dhe me të ashtu-quajturit “Indipendentë” të asaj Prefekture. Zogistët qenë të përfaqësuar prej Ndoc Çobës, Xhemal Naibit edhe Shefqet Mukës.

Më vonë kur ne nisëm prap luftën dhe aksionet kundër Gjermanëvet, kishim bërë qendrë Kalanë e Prezës dhe atje formuam një shtab Ushtarak të përbashkët me nga tre antarë secila, të Ballit dhe të partisë Zogiste…

Pasi erdhëm në Itali, jemi ndodhur afër Barit në kampin e Santa Fara-s, ku unë, sikundër që kisha bërë gjatë kaqë kohe në Tiranë, i propozova Bazit formimin e një komisioni të përbashkët me sa anëtarë të donte ay, komision që të kishte të drejtë të nënshkronte çdo memorandum ose telegraf që mund ta paraqitte nevoja.

Në bisedimet atje në Santa Fara u ndodhën prezent edhe Myfti Salih Efendiu (nga Shkodra), Selim Damani dhe Ferit Dervishi. Për fat të keq çështja mbeti pezull, gjersa Englezët e dërguan Bazin përfundimisht në Misir (Egjipt), dhe mua më internuan pesë muaj në një mënyrë më të shtrënguar. Dhe unë, duke parashikuar një largim të tillë prej shoku-shokut, e kisha kërkuar formimin e një komiteti të përbashkët.

Tani kemi pesë muaj e ca që jemi të gjithë bashkë në kamp, këtu në Regio Emilia. Gjithë Ballistët, pa përjashtim, kanë urdhër kategorik, jo tani vetëm, po që15 muaj e tëhu, që të shkojnë në harmoni dhe të rrëfehen me sjellje të mirë karshi Zogistëvet…

Këto janë fjalët, një e nga një dhe tekstualisht, që i kam thënë Z. Major Hamza Drinit në bisedimin e djeshëm që patëm me të. Me zotërinë e tij ne kuvenduam miqësisht dhe u ndamë si miq…

Të lutem, Zoti Petër, të veç dhe t’a pjekish (ta takosh) që atë ditë që do të marrësh këtë letër, Zotin Kolonel Hysen Selmanin, t’i bëjsh të fala nga unë dhe t’ia këndosh letrën në mënyrë të kjartë…

Të fala me shëndet,

Mid’hat Frashëri

Letra e dytë 

Reggio Emilia,

I dashur Zoti Kolonel (Hysen Selmani, agjutant i Mbretit Zog, asokohe në Aleksandri të Egjiptit).

Dje mora letrën e Zotrisë s’ate të 20 Marsit dhe e këndova me interes të madh. Një javë më parë Major Z. Hamza Drini erdhi e më rrëfeu letrën e Juaj dhe kemi biseduar afro 2 orë me të. Hollësirat e këtij bisedimi ia kam thënë Zotit Petër në një letër, të cilën e kam porositur t’ju a këndonte.

Është e vërtetë se në Shqipëri kemi qenë tri parti: 1.Partija Nacionaliste, domethënë Balli Kombëtar. 2.Partija Komuniste, domethënë drejt për së drejti ndën urdhërin e Rusisë, dhe 3.Partia Zogiste ndën udhëheqjen e Z. Abaz Kupit.

Sot ka edhe nji parti të katërtë, që i thotë vehtes së sajë “Indipendente”, por që në realitet të gjithë janë prej atyre që kanë pregatitur dhe brohoritur ardhjen e Italisë në Shqipëri.

Që më 1942 e gjer më sot kam qenë gjithnjë në kontakt dhe në bisedime me Zotin Bazi dhe i kam proponuar (propozuar) në çdo pjekje që kishim me të, të ketë edhe ay një komitet të partisë së tij, me të cilin komitet të mund të bisedonte edhe partija jonë…

Unë, personalisht, gjithashtu e kam prapë fort mirë edhe me Myftinë, Salih Efendinë, që është fort i nderuarë tek Zogistët…

Me këto fjalë dua t’Ju rrëfenj se vullneti për afrim as edhe durimi nuk më kanë munguar dhe nuk do të më mungojë… Duhet të ndjejnë përgjegjësinë përkundrejt Atdheut dhe detyrën për t’u bashkuar kundër rrezikut të madh në të cilin gjendemi.

Pritni Ju lutem të falat e mija,

Me nderime,

Midhat Frashëri

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB