Rritja e kreditimit mund ta çojë rritjen ekonomike në nivelet e viteve të parakrizës. Gjatë konferencës vjetore të Bankës së Shqipërisë, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, shprehu pakënaqësi ndaj kreditimit të shtrënguar të sektorit bankar. Sipas tij, bankat nuk po i përgjigjen më së miri nevojave të ekonomisë.
Gjithashtu, Ahmetaj tha se bankat nuk po kryejnë mjaftueshëm funksionin e rialokimit të kapitaleve drejt sektorëve më eficientë. Sipas ministrit të Financave, nëse bankat do kreditonin më shumë, rritja ekonomike do të ishte më e lartë, deri në nivelet e parakrizës.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia për ekonominë ngelet në rënie, me 3.4% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Biznesi ngelet segmenti më problematik, me një portofol huaje që në fund të shtatorit ishte 5% më i vogël krahasuar me shtatorin e vitit 2017.
Bankat vazhdojnë të jenë konservatore, sidomos kur bëhet fjalë për ekspozime në shuma të mëdha. Megjithatë, vrojtimet e kryera nga Banka e Shqipërisë tregojnë se vetë oreksi i sipërmarrjes për kredi është i ulët.