Viti 2018 po mbyllet për Bashkimin Europian me një situatë politike shoqërore mjaft të komplikuar, që nuk ishte parë që nga krijimi i tij. Largimi traumatik i Britanisë së Madhe dhe konfunzioni që po e shoqëron atë dëshmon një gjëndje shume kaotike.
Mjafton të shikosh konfliktin e qeverisë së re italiane me KE, gjuhën e vrazhdë që po po përdoret, për të kuptuar se sa e rëndë është situata dhe sa e mjergulluar është e ardhmja. Një kakofoni problematike dëgjohet në të gjitha mbledhjet e organizmave drejtuese të Europës që vetëm për unitet dhe bashkëvrim nuk tregojnë.
Dhe për më tepër pas 6 muajsh do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare europiane me një paqartësi, pasiguri dhe konfuzion që nuk premton asgjë të mirë për kontinentin e vjetër.
Por ajo që e futi në këte krizë të thellë gjithë Europën është e ashtuquajtura lëvizje sovraniste. E lindur 20 vjet përpara nën efektet e para të globalizmit, por sidomos mbas krizës ekonomike të 2008, kjo lëvizje sot kuotohet në rreth 25 % të elektoratit europian. Edhe pse janë të evidentuar në gjithë spektrin politik si të majtë, të djathtë apo të qëndrës, ata sot ata përbëjnë lëvizjen më dinamike në Europë.
Thelbi i konceptit të tyre politik është një ndarje klasore midis masave, që sipas tyre janë virtuoze dhe elitave të korruptuara që po shkatërrojnë vlerat kombëtare dhe shoqërore të popujve europianë.
Fillesat e para ishin në vitin 1956 në Austri me Partinë e Lirisë austriake, që mbështeste idetë e të djathtës nacional-socialiste gjermane. Kjo lëvizje arriti që në vitin 1994 të marrë për herë të parë 20% të konsensusit elektoral duke shënuar hyrjen për herë të parë të një partie të ekstremit të djathtë në një parlament europian mbas luftës.
Më vonë sidomos pas krizës së 2008, dhe dyndjes së emigrantëve kjo lëvizje sovraniste u zgjerua në gjithë Europën dhe sidomos nga krahu i ekstremizmit të majtë.
Kulmin e suksesit e arritën në fitoren e Brexit në Britani dhe sot ata qeverisin në Itali, Greqi, Poloni, Hungari.
Është shumë interesant fakti që në dy temat, që kanë marrë sot në Europë trajtat e emergjencave kombëtare si pasiguria ekonomike dhe emigracioni, populistët e majtë kanë bërë të tyre temat e problemeve të mprehta ekonomike si papunësia, varfëria, pabarazia sociale, pasurimi i elitave, kurse sovranistët e djathtë kanë kapur temat e emigracionit, islamizimit dhe sigurisë.
Kapja e këtyre temave i ka lënë pa plan partitë tradicionale, të cilat tashmë kanë humbur forcën atraktive që çoi përpara Europën për 70 vjet.
Është shumë evident fakti që lëvizjet sovraniste kanë një kategori liderash karizmatikë, të drejpërdrejtë, që trajtojnë çdo lloj teme me një lehtësi komunikative impresionuese dhe që arrijnë të rrisin në mënyrë spektakolare konsensusin jo vetëm në shtresat e varfra por gjithmonë e më shumë edhe në klasën e mesme.
Nga ana tjetër janë treguar mjaft të zotë në përdorimin efikas të rrjeteve sociale që ka qenë arma e tyre më e preferuar për të kundërbalancuar luftën që i bën pushteti në kontrollin dhe përjashtimin e tyre nga mas media, sidomos mainstream.
Në fakt po të shikosh kuadrin politik të vendeve të Europës, situata është me të vërtetë shumë alarmante.
Sondazhet e fundit në Gjermani i japin koalicionin të djathtë të Merkel CDU-CSU 26 %, një shifër kaq e ulët mbështetjeje nuk është parë në historinë e pasluftës. Po kështu partia e Makron En Marche në Francë nuk kalon 23%. Kurse më dramatike situata është në Itali ku dy partitë populiste janë mbi 65%. Dhe kështu me radhë në gjithë Europën Perëndimore. Kurse në Europën Lindore vendet e Visegradit kanë një përqindje shumë të lartë të partive sovraniste sidomos në Hungari dhe Poloni.
Por nëse partitë e djathta konservatore megjithë tkurrjen e këtyre 5 viteve vazhdojnë të kenë një lloj mbështetje që nuk zbret nën 25%, në gjithë vendet europiane ajo që është në një gjendje katastrofike është e majta europiane. Në Gjermani SPD ka zbritur ne 15%, në Itali 17 %, në Francë më keq akoma nën 10%, në Spanjë rreth 20% e kështu me radhë.
Në fakt është e trishtueshme të shikosh se si formacioni politik i të majtës europiane që i ka dhënë Europës dhjetëra kryeministra të suksesshëm dhe ka kontribuar aq shumë në zhvillimin e demokracisë dhe mirëqenies së Europës së sotme, të katandiset në nivele përfaqësimi të dorës së tretë. Dhe pikërisht këtë pjesë të elektoratit që po braktis të majtën po rikuperojnë sovranistët.
15 vjet më përpara, në fundin e viteve 90, e majta progresiste qeveriste njëkohësisht Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Francën, Italinë, Spanjën dhe pothuajse 90 % të vendeve të BE dhe sot, sipas parshikimeve të fundit, deri në fund të vitit 2019 të 27 vendet e BE do të qeverisen nga forca që nuk i përkasin orbitës së majtë.
Mbas Luftës së Dyte Botërore e majta u bë zëdhënëse e ideve të shpërndarjes së drejtë të pasurisë kombëtare duke vendosur në qendër të debateve politike-institucionale konceptin e barazisë sociale dhe kjo e rriti së tepërmi konsesusin e shtresave në nevojë.
Por globalizmi i viteve 90 e çnatyralizoi të majtën, megjithëse ajo ishte mbështetësja më e madhe e tij. Falë globalizimit e majta humbi nuklet e saj të punëtorëve të industrisë së madhe pasi një pjesë e industrisë u zhvendos jashtë Europës ose drejt Europës Lindore.
Gjithashtu globalizmi ndryshoi edhe strukturën prodhuese të ekonomisë. Në Gjermani prodhimi industrial jep tashmë rreth 19% të GDP, në Itali reth 18% dhe në Europë mesatarisht nga 10-12%, Tashmë 3/4 e GDP e jep sektori i tretë, pra shërbimet.
I ashtuquajturi proletariat, që ishte baza e votuesve të së majtës europiane, tashmë globalizmi e ka tkurrur. Pjesa më e madhe e kësaj kategorie tashmë është zhvendosur drejt shtresës së mesme ku koncepte të tilla si lufta e klasave, grevat, lufta kundës të pasurve, barazitë sociale nuk i përkasin më kësaj kategorie as minimalisht. Për nga mënyra e të menduarit, për nga niveli i konsumit dhe konceptet politike kjo kategori i përket shtresës së mesme dhe në fakt historikisht shtresa e mesme voton në përgjithësi të djathtën.
Sindikatat e industrisë së madhe, që ishin mbështetësit kryesorë të së majtës dhe që në vitet 80 me forcën e tyre të protestës paralizonin jetën politike të shumë vendeve, tashmë janë tkurrur dhe çoroditur. Kërcënimet globaliste për zhvendosjen e fabrikave jashtë Europës e ka reduktuar rolin e tyre duke i hequr tashmë të majtës një nga burimet historike të forcës së saj.
Nga ana tjetër, e majta nuk e ka kuptuar as minimalisht rolin historik të emigracionit të sotëm që po trondit themelet e Europës. E lindur si një grupim internacionalist, e majta gjithmonë ka tundur flamujt e barazisë së popujve, të racave, të kombeve, të gjinive dhe të një mikpritjeje të emigrantëve.
Sa kohë që kufijtë e mbyllur relativisht të emigrantëve sidomos para Pranverave Arabe nuk kërcënonin ekulibrat social-ekonomiktë të shoqërisë dhe të mbështetësve të saj, ky mbetej në kuadrin e një koncepti teorik pa konseguenca reale.
Tashmë që emigracioni masiv ka shpërthyer, dhe ka vënë në dyshim shumë ekulibra, e majta në këtë pikë është komplet e çoroditur dhe e paqartë. Jo rastësisht partitë populiste dhe ekstremiste kanë bërë temë kryesore luftën kundër emigracionit.
E majta sot në Europë ka zbritur nën 20% të konsensusit, që do të thotë se elitat e majta tashmë janë larguar nga problemet e atyre që i mbështetën. Forca politike që ishte protagonistja politike e 100 viteve të fundit tashmë e fosilizuar, pa ide, pa lidera karizmatikë, po transformohet defitinitivisht në një forcë jo influente në politikat e këtij shekulli. Por kjo po prish të gjithë ekuilibrat politikë që garantuan stabilitetin dhe mirëqenien e Europës së mbas luftës.
Situatën e komplikon më shumë edhe fakti se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të marrë pjesë Britania e Madhe mbas Brexit. Ajo ishte shteti i tretë me 73 deputetë dhe mbi 80% të votave të konservatorëve dhe laburistëve ishin mbështetës të Europës. Largimi i Britanisë së Madhe tashmë rrit peshën specifike të sovranistëve.
Gabimi më i madh e forcave pro-europiane është mënyra se si i kundërvihen sovranisteve, që është mjaft sempliste duke i etiketuar si fashistë, ksenofobë, antiislamiste, raciste etj. Por kjo nuk justifikon rritjen e konsesusit të tyre elektoral. Do të mjaftonte vetëm rasti i Italisë ku 60% mbështesin populistët për të kuptuar se problemi nuk është kaq i thjeshtë sa mundohet ta paraqesë establishmenti europian.
Problemi më serioz tashmë për sovranistët është qeverisja reale. Transformimi spektakolar i Tsiprasit të Syrizës që në qeverisje, i detyruar nga shumë faktorë adaptoi një program diametralisht të kundërt me programin e tij elektoral për të cilët u votua, dëshmon se qeverisja është një gjë serioze dhe shumë më e vështirë se opozita me fjalë.
Tani gjithë vëmendja është drejtuar tek qeveria sovraniste e Italisë, ku një koalicion i sovranistëve të majtë me ata të djathtë, është duke drejtuar dhe duke mbajtur një koherencë me programet që për momentin po i habit të gjithë. Duke pasur si model koherencën e Trump, deri tani ata nuk po cedojnë nga programi i tyre duke u përplasur me gjithë Europën. Është pa dyshim një eksperimet fondamental pasi Italia nuk është Greqia e Tsiprasit, por është ekonomia e shtatë e botës dhe një nga tre shtetet kryesore të BE me konseguenca të mëdha në gjithë ekuilibrat e BE, dhe sidomos të euros.
Janë disa tema të mprehta që kanë mbetur pa përgjigje, si pasojat devastante të globalizmit që kanë rritur se tepërmi pabarazinë shoqërore në Europë, emigracioni ilegal jashtë kontrollit, rritja e papunësisë ndër të rinjtë, aktet terrorriste që po trondisn nivelin e sigurisë, bllokimi i reformave dhe mungesa e prespektivës. Pikërisht këto tema që më parë ishin tema të partive tradicionale , tashmë të braktisur nga ata janë vënë në themel të propagandës së sovranistëve, gjë që sjell një rritje të konsesusit elektoral dhe frymën e protestave. Protestat e djeshme në Paris dëshmojnë se situata po shkon drejt një konfrontimi social me pasoja të paparashikushme.
Sidoqoftë një triumf i sovranistëve në zgjedhjet e ardhshme të majit 2019 do të ishte me pasoja shumë të rënda për gjithe politikat dhe konceptimin e Europës së bashkuar që njohim sot.
A do të jenë në gjendje forcat pro europiane ti kundërpërgjigjen me një vizion të ri reformues të Europës që të marrë në konsideratë zgjidhjen e problemeve reale që kanë europianët? Kjo është një pyetje shumë e vështirë për t’i dhënë përgjigje sot aq më tepër që dy liderat e BE Merkel dhe Macron që pretenduan dy vjet më parë të reformonin BE ndodhen në vështirësi serioze politike në vendet e tyre.