Kryeministri grek Alexis Tsipras kohët e fundit deklaroi se të gjitha forcat progresive, demokratike dhe proevropiane detyrë të qëndrojnë të bashkuara”. Por a do të mjaftonte kjo që populistët nacionalistë të mos jenë fitues në zgjedhjet e Parlamentit Evropian në maj 2019?
Presidenti francez Emanuel Makron i ka përshkruar zgjedhjet e Parlamentit Evropian në maj të vitit 2019, si një betejë jo midis të djathtës dhe majtës tradicionale, por midis populistëve dhe progresistëve pro-evropianë si ai.
Kryeministri grek Alexis Tsipras miratoi kohët e fundit një retorikë të ngjashme, duke deklaruar se “të gjitha forcat progresive, demokratike dhe proevropiane kanë për detyrë të qëndrojnë krah për krah në anën e njëjtë të historisë”.
A do të ndodhte një ndryshim i tillë politik në Europë si ai në Francë që solli Makronin në pushtet vitin e kaluar?
Partia Popullore Evropiane (PPE) në të djathtë dhe Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (S & D) në të majtë kanë patur për një kohë të gjatë kontroll në Parlamentin Europian, ku ata kanë qeverisur. Por, me kalimin e kohës, kjo ka prodhuar një lloj homogjenizimi politik në Evropë. Ata që votojnë gjithnjë e më shumë zgjedhin partitë që shpesh përkrahin pikëpamjet ekstreme.
Si rezultat, PPE dhe S & D kontrollonin 61% të Parlamentit Evropian në vitin 2009, ndërsa në 2014 vetëm 54%. Zgjedhjet e vitit 2019 ka gjasa të sjellin edhe më shumë humbje për këto parti, të cilat pritet të fitojnë vetëm 45%.
Në të djathtë, PPE ndahet midis liberalëve pro-evropianë dhe Euroskeptikëve konservatorë, pavarësisht miratimit të Manfred Weber nga Bashkimi Kristian Social të Gjermanisë si kandidat i EPP-së.
Në Kongresin e fundit të EPP në Helsinki, Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk ishte i qartë: shkelja e sundimit të ligjit nuk është në përputhje me familjen Kristian-Demokrat, një mesazh që synonte padyshim kryeministrin hungarez Viktor Orban. Në Parlamentin Evropian, PPE madje votuan në favor të thirrjes së nenit 7 të Traktatit të Lisbonës kundër Hungarisë, një masë që do të vendoste sanksione për shkeljet sistematike të qeverisë së Orbanit për pavarësinë gjyqësore, lirinë e fjalës dhe të drejtat e pakicave dhe migrantëve.
Por vota e PPE ishte kryesisht e motivuar nga dëshira e saj për të mbetur partia më e madhe e BE dhe për të siguruar që Weber të bëhet kreu i ardhshëm i Komisionit Evropian. Më gjerësisht, presioni i fortë politik detyroi PPE-në të lejojnte Orbánin të vazhdonte të shkelte normat demokratike, me qëllim që të ruante hegjemoninë e vet në Parlamentin e BE.
Nëse Këshilli Europian zgjedh Weberin si presidentin e ardhshëm të Komisionit Europian, të dy demokratët socialë dhe liberalët në Parlamentin Evropian mund të refuzojnë të votojnë për një kandidat nga një parti ku është pjesë edhe Orbán.
Ka tre alternativa. Së pari, Këshilli Evropian mund të zgjidhte një kandidat të PPE-së i cili është më pak i njohur dhe me më pak ndikim në Hungari. Kryenegociatori i Brexit Michel Barnier mund të jetë një zëvendësues për Weberin.
Alternativa e dytë do të ishte miratimi i Frans Timmermans nga Partia Holandeze të Punës, i cili mbajti një qëndrim shumë të fortë kundër Orbanit dhe që ka mbështetjen e kancelares gjermane Angela Merkel dhe liberalëve të PPE-së.
Për të qenë të sigurt, Merkeli mund të preferonte Weberin. Por nëse Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian kundërshtojnë zgjedhjen e saj, ajo mund të mbështesë një kandidat tjetër.
Mundësia e tretë mund të jetë një kandidat i miratuar nga Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Europën (ALDE), siç është Margrethe Vestager, komisionerja e BE për konkurrencën. Disa vëzhgues argumentojnë se qeveria daneze kurrë nuk do të propozojë Vestager si kandidat i tyre. Por Makron e mbështet fuqishëm Vestager.
Në përgjithësi, forcat populiste mund të siguronin një shumicë në Parlamentin Europian, megjithëse nuk do të funksionojnë si një forcë e bashkuar. Në një skenar të tillë, Makron do të duhej të ndërtonte koalicione politike ose me EPP apo S & D, pikëpamjet e të cilave përputhen kryesisht me vizionin e tij për reformën në BE.
Dy çështje të tjera do të mund të ndikojnë rezultatin e zgjedhjeve të Parlamentit Europian. Së pari, udhëheqësit e Evropës do të duhet të adresojnë nevojën për të përforcuar kufijtë e jashtëm të BE-së, veçanërisht nëpërmjet vendosjes së një patrulle kufitare evropiane. Një propozim i tillë padyshim do të ketë kundërshtime nga populistët nacionalistë.
Së dyti, liderët e Evropës do të duhet të angazhohen për të luftuar evazionin fiskal dhe nga kompanitë e mëdha, veçanërisht firmat e mëdha të teknologjisë.
Ndoshta riorganizimi i vazhdueshëm politik i Evropës do të mundësojë realizimin e vizionit të Makron për një Evropë më të fortë dhe më të integruar. Ndërsa sfidat e fundit, duke nisur me betejën e buxhetit të Italisë me Komisionin Evropian, tregojnë se një rezultat i tillë është larg dhe se populizmi vazhdon të rritet…
Zaki Laïdi, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, ishte këshilltar i ish-kryeministrit francez Manuel Valls. Libri i tij më i fundit është “Le reflux de l’Europe”.