MENU
klinika

Nga Astrit Patozi

“Farsa e re e Lulzim Bashës nuk është proçesi juaj”

23.11.2018 - 18:04

(Në përgjigje të interesit të shumë demokratëve të zhgënjyer nga shkeljet e rënda të statutit dhe nga zgjedhjet fiktive, që po zhvillohen në Partinë Demokratike)

Megjithëse unë e kam deklaruar publikisht se nuk më lidh më asgjë me partinë personale të Lulzim Bashës, në adresën time kanë vërshuar këto ditë një numër i pazakontë mesazhesh dhe telefonatash prej demokratësh nga e gjithë Shqipëria.

Thelbi i shqetësimit të tyre është se zgjedhjet e befasishme që po bëhen në çdo degë të vendit në PD po shoqërohen me shkelje të rënda statutore, por mbi të gjitha se prej tyre nuk pritet asnjë lloj produkti pozitiv, por thjesht po kalçifikohet statuskuoja e një partie të marrë peng nga një njeri i vetëm.

Duke i qëndruar besnik vendimit tim për të mos pasur asnjë konflikt interesi me partinë e Lul Bashës, e ndjej si detyrim ndaj qindra e mijëra demokratëve me të cilët kam pasur fatin të njihem e bashkëpunoj për shumë vite, në opozitë dhe në pushtet, në të ditë të mira e në të këqija, që t’u them dy fjalë edhe unë.

Është minimumi që mund të bëj për të shprehur mirënjohjen dhe respektin për secilin prej tyre, jo thjesht për shkak të tallazeve, që kemi kapërcyer bashkë, por sepse besoj fort që e djathta mbetet sërish alternativa më e mirë për Shqipërinë.

astrit-patozi-konica.al
astrit-patozi-konica.al

“Të nderuar miq,
Në pamundësi që t’ju përgjigjem të gjithëve për atë që më shkruani, do të përpiqem të përmbledh sa më shkurt atë që unë mendoj se po ndodh me Partinë Demokratike sot dhe si e shikoj unë zgjidhjen e kësaj problematike në të ardhmen.

Ju mund të çuditeni se si ka mundësi që të vijnë ato kandidatura, shumica e të cilave kanë humbur si derri në disa zgjedhje rrjesht, dhe si është e mundur që të mos respektohet asnjë normë statutore për të pasur një proces normal, por unë nuk habitem aspak.

Sepse tek e fundit, humbja ka shumë vite, që konsiderohet si fitore në partinë e Lulzim Bashës. Sepse cilado qoftë humbja e Partisë Demokratike apo qytet të Shqipërisë, ajo është e pakrahasueshme me disfatën e thellë kombëtare të saj, për të cilën dihet se kush është përgjegjësi.

Ndaj çdo kryetar dege është në të drejtën e vet të pretendojë të drejtojë sërish, kur e shikon veten në raport me përgjegjësinë e kryetarit të madh të partisë.

E thënë shkurt, rikonfirmimi i tyre legjitimon tërthorazi të drejtën e Lulzim Bashës për të vijuar të drejtojë opozitën pavarësisht rezultatit. Dhe ky është një precedent, jo vetëm në Shqipëri, por besoj që përbën një fenomen botëror, sepse nuk ka ndodhur kurrë më parë në anjë vend tjetër të lirë dhe demokratik.

Ju me të drejtë thoni se kush i merr vendimet për kandidatët, ndërkohë që kryesia nuk mblidhet prej kohësh, dhe si ka mundësi që në një parti të kapluar prej vitesh nga gjumi letargjik, papritur bie çanga dhe i thuhet se do të behën zgjedhjet nesër. Kush ishte emergjenca për ta mbyllur me kaq urgjencë procesin, protesta e Astirit, apo shpresa për ta futur në krizë qeverinë me mosdekretimin e ministrit të Brendshëm?

Por mbi të gjitha çfarë lidhje kanë këto kauza, nëse janë vërtetë të tilla, me opozitën të tërësi dhe me Partinë Demokratike në veçanti?

Ju me siguri që vrisni mendjen se me çfarë formule po zgjidhen kandidatët për kryetarë degësh në Partinë Demokratike, me atë të preleminareve amerikane, siç thonte para 2 vjetësh duke rrahur gjoksin Lulzim Basha, apo me këtë të përzgjedhjes së Konservatorëve Anglezë, siç deklaroi i njëjti personazh para 10 ditësh me të njëjtin pathos?

Por ju me siguri mendoni se, kur nuk keni asnjë lloj mundësie për të zgjedhur kryëtarët e degëve që doni, a do t’u lërë njeri që të zgjidhni neser deputetët apo kryetarët e bashkive? Vetëm budallenjtë mund ta përfytyronin këtë mrekulli, që nuk ka për të ndodhur kurrë.

Sepse kryetarët e degëve, kështu siç është katandisur partia, vetëm çelësat e kashtës kanë, por edhe aty ju nuk keni akses. Ndaj le të shërbejnë këto zgjedhje blitz për të bindur edhe më të fundit, që kanë mbetur prej jush, të cilët ende kanë pasur një shpresë se mbase Luli do të ndryshonte dikur, se ky është mision i pamundur.

Më sqimatarët prej jush mendojnë pa asnjë dyshim se një parti që nuk ka minimumin e respektit dhe vlerësimit për votën brenda shtëpisë së vet e ka humbur një herë e përgjithmonë moralin për t’i kërkuar lojë të ndershme kundërshtarit politik. Dhe të jeni të sigurt që këtë e lexojnë tamam të gjithë shqiptarët, sado të painformuar dhe të distancuar qofshin nga politika aktive.

Ndaj edhe rezultatet e PD që nga dita që Lulzim Basha u emërua kryetar i saj kanë ardhur duke u përkeqësuar. Dhe të jeni të sigurt, që po vazhdoi kështu, më e keqja nuk ka ardhur akoma.

Por mbi të gjitha, kjo është arsyeja se pse kur Lulzim Basha dhe dishepujt apo shefat e tij çirren për votat, që na vjedh gjithmonë Edi Rama dhe Partia Socialiste, pakkush e merr seriozisht në këtë vend.

Sipas meje këto janë vetëm disa nga argumentet se përse, megjithë zullumet dhe skandalet e njëpasnjëshme të qeverisë së Edi Ramës, opozita e Lulzim Bashës, jo vetëm nuk bën përpjetë, por vazhdon të bjerë në sondazhet e njëpasnjëshme të perceptimit të publikut.

Ndaj, edhe për të mos u zgjatur, mendoj se këto zgjedhje urgjence, që po mbahen në këtë kohë kolere për të balsamosur privatizimin final të Partisë Demokratike, nuk janë procesi juaj.

Sa të mundni dhe në mënyrën që do ta gjykoni vetë sipas rastit, qëndroni larg tij! Injorojeni si një zgjebe të pamerituar për qindra mijëra demokratët, që kanë kontribute dhe sakfrica të panumërta në historinë e gjatë të Partisë Demokratike.

Dhe po jua tregoj që tani se çfarë do të ndodhë me të gjitha degët kudo në Shqipëri. E gjithë gara e farsës së Lulzim Bashës nuk do të jetë se kush do të zgjidhet, se për kryetarët ka mbaruar punë, që ditën kur i ka caktuar kandidatët, në shkelje të rendë të statutit.

Por, njësoj si kur kishte përballë Eduard Selamin, do të përpiqet që të shënojë rezultatin e një pjesmarrjeje të lartë. Që do të thotë se vota juaj nuk ka asnjë vlerë, si kur hidhet, ashtu edhe kur mungon.

Dhe në këto kushte njeriu i bën vetë llogaritë, në ia vlen apo jo që të ndjekësh një rrugë të deformuar që nuk ka lidhje as me fitoren dhe as me integritetin politik.

Sipas meje, e vetmja zgjidhje që, jo vetëm e djathta, por Shqipëria në përgjithësi ka për të pasur një opozitë dinjitoze përballë një pushteti të korruptuar dhe arrogant është që ju të mendoni seriozisht për një alternativë tjetër.

Që të mos ketë asnjë lidhje me hipokrizinë ekstreme të atij nuk ka asnjë lloj përgjegjësie dhe empatie për ju. Të atij që bën sikur niset për luftë me pushtetin dhe përfundon në një pazar të neveritshëm, mu në mes të sheshit të kryeqytetit.

Por sidomos, të atij që nuk e ka për turp fare që, pasi vjedh shtëpinë e vet, të bërtasë “kapeni hajdutin” duke treguar me gisht nga komshiu.

Sido që ta mendoni dhe ta vendosni, do të keni mirëkuptimin tim të plotë.

Me shumë mirënjohje dhe respekt

Astrit PATOZI”