MENU
klinika

Nga Alban Daci

Më parë rrëzon Meta Ramën se Rama Metën!

04.11.2018 - 16:47

Një debat i gjerë është hapur me rastin e mos dekretimit të ministrit të ri të dhe siç duket më në hall janë ata që dikur hanin dhe i serviloseshin Metës e sot hanë dhe i servilosen Ramës.

Shqipëria për fat të keq ka një grup personash që kanë fituar autoritet publik përmes penës së tyre, të cilën e përdorin ose për servilizëm ose për gjobë vënie.

Ky grup i sponsorizuar nga vetë politika apo politikanët, duke e përdorur për situata të caktuara, ka vazhduar nga dje të nxjerr ide konspirative, të bëhen gjykatës të Gjykatës Kushtetuese e po ashtu të dalin hapur edhe kundër institucionit të Presidentit, i cili me gjithë sakatimin kushtetues që i është bërë nga vetë protagonistët politikë të tranzicionit, vazhdon të mbetet institucioni më i rëndësishëm i Shtetit, si në kuptimin e simbolikës ashtu edhe si garant i kontrollit dhe ekuilibrit mes pushteteve.

Rama-ilir-meta-konica.al
Rama-ilir-meta-konica.al

Pra, mes palëve e mbi palët.

Rama duke qenë që e njeh mirë Metën dhe vetën, ka zgjedhur të “qëndrojë urtë”, por nga ana tjetër ka urdhëruar atë që ai vetë e quan “kazan” të bëjnë sulme kundër institucionit të Presidentit të Republikës.

Rama e njeh mirë Metën, njeh mirë makiavelizmin e tij! Rama në të kaluarën e tij e ka të qartë se përballja direkte me Metën është me pasoja të rënda, sepse Meta përballë vetës dhe në mbrojtje të vetës xhindoset aq shumë sa nuk kursen asgjë.

Sa herë që Rama e ka provuar me Metën, gjithmonë e ka marrë përgjigjen.

Megjithatë, ne flasim në kohën kur Meta ishte politikan e kryetar partie, ndërsa sot ai është President. Kjo do të ishte një përballje krejt në favor të Metës!

Si është sjellë Meta në detyrën e Presidentit?

Së pari, Rama nuk ka asnjë moral politikë që tu jap leksione moraliteti shqiptarëve në lidhje me Metën, sepse me të ka qeverisur dhe me votat e tij e bëri edhe President të Republikës.

Pra, politikisht Meta është Presidenti i Ramës dhe këtë ky i fundit nuk e ka bërë se ka pas hallin e standardit të figurës së Metës apo hallin nëse shqiptarët do të kishin një figurë të denjët si President.

Rama-ilir-meta-konica.al
Rama-ilir-meta-konica.al

Rama e bëri Metën President mbi bazën e një marrëveshje politike të pashkruar, sipas të cilës Rama zgjodhi të ishte përsëri Kryeministër dhe me bërjen e Metës President, mendonte se do i “lante” duart me të duke mos e pasur më kundërshtar në betejë politike.

Të gjithë mund të kemi pasur dileme nëse Meta do të sillej në lartësinë e duhur si President!

Megjithatë, nëse do të shikonim karrierën e tij të gjatë e të rëndësishme institucionale e politike nuk duhet të kishim asnjë dilemë të tillë.

Meta është i ashpër nëse i cenohen figura dhe pushteti i tij, por në gjithë historinë e tij politike e institucionale, ai ka qenë i kujdesshëm për të ruajtur parimisht dhe respektuar kornizën e institucioneve ku ka shërbyer.

Pa shumë eufori, unë do e konsideroj Metën si Presidentin më të mirë që ka pasur Shqipëria që nga Ramiz Alia e deri më sot. Madje, unë e konsideroj edhe më të mirë se Berisha.

Pse Meta është edhe më i mirë se Berisha?

Sepse, nëse Berisha ka pasur gjithmonë instinktin e ngarkesave emocionale për të vendosur duke u shoqëruar ndonjëherë edhe me doza të larta aventureske, Meta është tepër racional dhe aspak emocional në vendimmarrjen e tij.

Rama-ilir-meta-konica.al
Rama-ilir-meta-konica.al

Po ashtu sot Shqipëria ka më shumë eksperiencë në burime njerëzore dhe në historinë e institucioneve demokratike.

Meta ka mbajtur një qëndrim prej shtetari dhe këtu e kam fjalën edhe në lidhje me vendimet më të diskutueshme siç është ajo për shembjen e teatrit e po ashtu edhe mos dekretimi i Sandër Lleshit si ministër i brendshëm!

Në rastin e parë ai bëri argumentime të forta ligjore në lidhje me shembjen e teatrit dhe maxhoranca nuk i rrëzojë ato juridikisht, por e bëri me forcën e shumicës.

Pra, Meta e refuzojë juridikisht prishjen e teatrit duke e konsideruar shkelje e ndërsa Rama përdori forcën politike të shumicës me anë të votës për ta kundërshtuar Presidentin.

Atëherë kush ka më shumë peshë argumenti juridik i bërë nga Meta që nuk u rrëzua dot nga Rama, apo shumica e diktaturës përmes votës?

Ndërsa sa i përket rastit të mos dekretimit të Ministrit formalisht Meta tregojë që nuk është i bindur për një dekretim të tillë! Së pari, është e drejtë ekskluzive e Presidentit për tu mos bindur!

Po ashtu dekretimi ose çdo akt që kërkon dhe shoqërohet me firmën e Presidentit është kompetencë ekskluzive e tij!

Edhe në rrethanat më të thjeshta, kur një qytetar bën një denoncim në polici, shkruan në fund se e ka lexuar, konfirmuar dhe më pas e firmos atë dhe nëse nuk e firmos nuk ka vlerë, sepse nuk është bërë me vullnetin e tij.

Grupi që Rama e quan kazan dhe në fakt e përdor po vetë ai si pas oreksit ka hedhur alibinë se Presidenti duhet të japë argumente përse ka refuzuar dekretimin!

Meta nuk dekreton ende Sandër Lleshin konica.al
Meta nuk dekreton ende Sandër Lleshin konica.al

Së pari, përgjigja e tij ishte e domosdoshme në aspektin ligjore për të respektuar afatet kushtetuese.

Pra, përgjigja e dhënë si mos bindje, dëshmon faktin se Presidenti nuk dekreton Sandër Lleshin.

Së dyti, të presim se me siguri mund të kemi edhe argumente të shkruara nga institucioni i Presidencës në lidhje me mos dekretimin.

Ja çfarë shkruan Av. Prof. Asoc. Dr. Jordan Daci në lidhje me kompetencat e presidentit për dekretimin ose jo të një anëtari të Këshillit të Ministrave:

“ Presidenti është organ emërtese edhe për një seri institucionesh dhe funksionarësh të lartë të shtetit dhe në këto raste Presidenti ushtron pushtet; konkretisht,supozojmë që një Kryeministër i propozon Presidentit emërimin e një personi si ministër, i cili p.sh nuk është shtetas shqiptar apo në një rast më të keq është dënuar penalisht, ose ka qenë bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit, apo si sipas informacioneve që i vihen në dispozicion nga Shërbimi Informativ Shtetëror, personi i propozuar është agjent i një shteti të huaj, shtet armiqësor nda RSH”.

Duhet të kemi parasysh faktin se Meta në cilësinë e Presidentit të Republikës i ka të gjitha mundësi të marr informacionin e duhur për të mos pasur bindje në lidhje me dekretimin e një figure.

Duke pasur parasysh rastet kur nuk dekretohet një propozim si anëtarë i Këshillit të Ministrave, atëherë, në mbrojtje të sigurisë kombëtarë, ndoshta Meta argumentet e dekretimit do i paraqes në mbledhjen e Këshillit Kombëtare me dyer të mbyllura.

Pra, varet nga arsye e mos dekretimit për të pritur nëse do të ketë një argumentim publik në “gazetë” siç e duan ata të kazanit të Ramës, apo në mënyrë diskrete në institucionet kompetente.

Nga grupi i “kazanit” të Ramës, po hedhin idenë nëpër gazetat apo portalet që ata i përdorin për gjobë vënie, se Rama dhe PS-ja do të marr nismën për shkarkimin e Metës. Sa është e mundur kjo?

Së pari, Meta duke qenë garant i Kushtetutës ka marr një vendim që mbështet në të. Pra, presidenca ka pretendimet e veta në lidhje me këtë vendim. Nëse edhe Kryeministri ka pretendimet e veta të kundërta me kompetencat e Presidentit, është Gjykata Kushtuese që vendos në lidhje me kushtetutshmërinë e Metës.

Rama-ilir-meta-konica.al
Rama-ilir-meta-konica.al

Pra, edhe nëse Parlamenti me 2/3 vendos për shkarkimin e Metës, ai nuk zbatohet pa pasur një interpretim nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me pretendimet e shumicës për shkelje të Kushtetutës nga Presidenti. Në situatën aktuale, kjo është e pamundur, sepse nuk kemi Gjykatë Kushtetues.

Të gjithë e dimë se nuk kemi Gjykatë Kushtetuese e për pasojë asgjë nuk mund të bëhet kundër Metës në cilësinë e Presidentit.

Nëse do të kishim një Gjykatë Kushtetuese dhe nëse kjo e fundit do të shprehej se Presidenti e ka shkelur Kushtetutën, Parlamenti nuk do të mjaftohej vetëm me shkarkimin e tij, por ai do të dënohej me akuzën e rëndë të “shkeljes së Kushtetutës”.

Neni 98 i Kushtetutës flet qartë: “1. Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozimi të Kryeministrit, brenda 7 ditëve”.

Rama-ilir-meta-konica.al
Rama-ilir-meta-konica.al

Pra, duket qartë se Presidenti ka dispozita vepruese e ndërsa Kryeministri vetëm propozuese. Kështu që është Presidenti ai që vendos për dekretimin ose të një ministri”.

Por, edhe sikur të ishte e sigurt se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të ishte në favor të pretendimeve të maxhorancës, Rama nuk ka kurajë ta çojë shkarkimin e Metës në Parlament,sepse ai nuk i ka numrat.

Dihet se shumë deputet e manje edhe ministra aktual të PS-se kanë bashkëqeverisur me Metën, i kanë borxhe politike atij dhe nuk do të votonin kurrë kundër tij.

Propozimi i Ramës për ta shkarkuar Metën në Parlamant do të kthehej në një bumerang kundër tij e do të përfundonte me votim mosbesimi kundër Ramës e me shkarkimin e tij si Kryeministër.

Nëse për rastin e shkarkimit të Metës duhet interpretimi i Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me mos besimin dhe shkarkimin e Ramës, nuk ka nevojë për asnjë lloj interpretimi juridik, sepse është fillim e mbarim një nismë e mirëfilltë politike.