Mbrëmjen e sotme Kryeministri Edi Rama është prononcuar lidhur me ngjarjet më të fundit në vend si dhe sukseset e Qeverisë.
Duke krahasuar situatën kriminale në vend në kohën e qeverisë së tij dhe në kohën kur në qeveri ishte Partia Demokratike, Rama u shpreh se kokat e krimit të organizuar bënin “pallë”, por me ardhjen e tyre në pushtet ata ose janë fshehur, ose janë futur në burg ose janë në rradhë pët tu futur brenda.
“Ku janë kokat e krimit të organizuar? Sot janë fshehur, ose janë futur në burg ose janë në rradhë për tu futur brenda”, ka thënë Kryeministri Edi Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se vrasjet e fundit, referuar dhe asaj së ndodhur së fundmi në Durrës, janë produkt i përplasjeve mes grupeve kriminale, për të cilët preferoi të përdorë një zhargon popullor kur u shpreh:“le të hanë kokat e njëri-tjetrit”.
“Këta që hanë kokën e njëri-tjetrit, ta dish që sa herë hanë kokën e njëri-tjetrin, nuk ndjej asgjë tjetër veçse një frymëmarrje të thellë, dhe them hënkshin kokat e njëri-tjetrit. Marr frymë thellë… Le të vrasin njëri-tjetrin, janë të lutur ta bëjnë. Këta të fortët që bëjnë të fortin nëpër qytete do zhduken, do e mendojnë mirë kur të dalin nga shtëpia”, tha kryeministri.