MENU
klinika

Instalimi i aparaturave moderne

Transformimi i spitalit të Kukësit me një projekt të ri

01.11.2018 - 11:34

Spitali rajonal i Kukësit, për herë të parë pas dekadash përfiton investime madhore në pajisje dhe infrastrukturën e tij. Një projekt i posaçëm, faza e parë e të cilit nis me buxhetin e këtij viti, do të shndërrojë të gjitha shërbimet që spitali ofron.

Ndërkohë në këtë spital janë instaluar për herë të parë aparatura mjekësore të teknologjisë bashkëkohore, duke ofruar cilësi dhe saktësi në diagnostikimin e sëmundjeve, në mënyrë të veçantë për ato tumorale. Kryeministri Edi Rama, ishte sot në spitalin e Kukësit, ku u takua me stafin e mjekëve dhe vizitoi kabinetet e pajisura me aparaturat e reja, si mamografia apo eko dixhitale.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, duke shpjeguar projektin, faza e parë të cilit ka një vlerë prej 169 milionë lekësh, u shpreh se një investim i rëndësishëm do të bëhet në shërbimin e kirurgjisë, si dhe atë të obstetri-gjinekologjisë, i cili do të integrohet brenda ndërtesës së spitalit.

“Me buxhetin e viti 2018, ne fillojmë investimin më të rëndësishëm në spitalin e Kukësit, projektin që do të ndryshojë të gjithë shërbimin. Projekti, faza e parë e të cilit fillon me buxhetin e këtij viti dhe shtrihet gjatë 2019, organizon shërbimin e kirurgjisë, sallat e reja të kirurgjisë, shërbimin e urgjencës, si dhe sjell brenda korpusit të spitalit, shërbimin e maternitetit, obstetri-gjinekologjisë.

Jo vetëm që rinovohet gjithë spitali rajonal i Kukësit, shtohen shërbime të reja, por përmirësohet radikalisht cilësia e shërbimeve në disa shërbime shumë të rëndësishme, siç është kirurgjia. Duke qënë se ka filluar edhe projekti i shërbimit të integruar të instrumenteve kirurgjikalë, që tani ka filluar të ndihet cilësia e shërbimit të përmirësuar. Ky projekt, faza e parë të e të cilit është një buxhet prej 169 milionë lekë të buxhetit të shtetit fillon këtë vit.”

Ministrja tha se është koordinuar puna me drejtoritë rajonale për të hartuar një plan, i cili mundëson depistimin një herë në vit të grave nga të gjitha zonat e Qarkut të Kukësit. Ndërsa mjeku onkolog shpjegoi se deri tani janë realizuar 200 ekzaminime me këtë mamografi, ku janë evidentuar edhe disa raste të dyshuara.

“Ka katër muaj që është instaluar si aparat. Është fjala e fundit e teknologjisë. Deri tani janë bërë rreth 200 ekzaminime. Kemi disa raste të dyshuara. Ekzaminimi i hershëm është masa më e mirë e parandalimit të kancerit të gjirit.”

Urgjenca është një shërbim tjetër i rëndësishëm, ku qytetarët marrin ndihmën e parë, në shumë raste vendimtare për shpëtimin e jetës. Prandaj investimet në pajisje dhe mjete janë të shumëpritura nga i gjithë stafi i mjekëve që shërbejnë aty. “Pas shumë dekadash në spitalin e Kukësit po bëhet një investim shumë i madh, të cilin qytetarët e Kukësit e kanë pritur prej shumë kohësh,” – u shpreh drejtori i spitalit.

Një theks i veçantë është vënë tek ofrimi i sa më shumë shërbimeve pranë vendbanimeve. Ministrja Manstirliu u shpreh se 4,5 milionë euro janë investuar vetëm këtë vit në spitalet rajonale për të përmirësuar në tërësi shërbimet, e veçanërisht ato diagnostifikuese. “Objektivi ynë është që të ofrojmë sa më shumë shërbime afër vendbanimit dhe spitali i Kukësit dhe në kuadër të fuqizimit me pajisje biomjeksore në kudër të diagnostikimit të hershëm dhe ndjekjes së pacientëve.

4.5 milionë euro janë investuar në spitalet rajonale vetëm këtë vit, për shërbime shumë të rëndësishme, si shërbimi i urgjencës, shërbimi i reanimacionit, apo dhe pajisje që kanë shumë rëndësi përsa i përket diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit, siç janë 5 mamografi të instaluara në 5 spitalet tona rajonale dhe sot kemi këtu instalimin e mamografisë për herë të parë në spitalin e Kukësit.”

Kryeministri Edi Rama premtoi më shumë mbështetje për spitalin e Kukësit dhe në tërësi për sistemin shëndetësor. “Ne do të bëjmë një rritje tjetër të pagave për mjeket dhe infermierët. Në kategoritë që rriten pagat është kategoria që ka rritjen më të lartë. Unë nuk jam si ata që mendojnë se po ishe mjek apo infermier je “djalli” vet që të fut dorën në xhep.

Për fat të keq ka dhe nga ata që e dëmtojnë shumë reputacionin, por shumica punojnë në kushte jo shumë të lehta dhe realisht janë heronj, për mendimin tim. Kështu që shumë respekt për ju.

Ndërkohë që për spitalin do të bëjmë maksimumin që të fuqizohet sepse, përveç të gjitha të tjerave, unë besoj që me aeroportin e Kukësit që do nisi në fillim të viti tjetër punimet, do vinë shumë nga ata që janë nga Kukësi apo nga Qarku, të cilët janë jashtë, për të marrë kurën mjekësore për shkak të çmimeve shumë të kripura që janë jashtë dhe një pjesë e tyre nuk kanë siguracione.Për këtë arsye duhet ta përgatisim shumë mirë spitalin.

Kështu që do të vazhdojmë të investojmë. Përveç investimit për integrimin edhe të maternitetit, për fuqizimin e gjithë sistemit brenda, do vazhdojmë ta bëjmë një spital rajonal edhe një pikë referimi për të gjithë pellgun që lidh edhe shumë njerëz që nuk banojnë këtu, aktualisht, por janë të lidhur me zonën. Kështu që do të bëjmë maksimumin, jo aq sa duam , por aq sa kemi mundësi.”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN