MENU
klinika

Vrasja në Kotë

Vrasja e zyrtarit të bashkisë, autori: Jam penduar

13.11.2018 - 08:50

Admir Delaj akuzohet për veprën penale “vrasje me dashje”, për vrasjen e kryetarit të Njësisë Administrative Kotë, Fatmir Hodon. Pasi është dëgjuar prokurori dhe avokati mbrojtës, gjyqtari vendosi në fund masën e sigurisë “arrest në burg” për 44-vjeçarin. Mësohet se në seancën e djeshme, Admir Delaj ka shfaqur pendesë të thellë për ngjarjen e ndodhur.

“Jam penduar, kam qenë i dehur, është shprehur dje para trupit gjykues 44-vjeçari. Admir Delaj ishte vetë i pranishëm dje në Gjykatën e Vlorës, ku edhe iu komunikua masa “arrest në burg”.

Mësohet se prokurori i çështjes Maksim Sota gjatë seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura ka paraqitur provat kundër 44- vjeçarit, ndërsa vetë i arrestuari nuk ka folur shumë gjatë seancës, por ka shfaqur pendesë për krimin.

“Kam qenë në gjendje të dehur. Jam penduar për atë që kam bërë. Gjithçka ka ndodhur pas një konflikti të çastit që kemi pasur me njëri-tjetrin. Jam shumë i penduar”, ka thënë përpara grupit hetimor 44-vjeçari, i cili ka pranuar të bashkëpunojë me Policinë dhe Prokurorinë, duke rrëfyer para tyre të gjithë rrethanat e ngjarjes.

Ai është shprehur se gjithçka ka ardhur për shkak të një konflikti të çastit me 64-vjeçarin Fatmir Hodo, i cili mbante dhe detyrën e kreut të Njësisë Administrative Kotë në Bashkinë e Selenicës.

Nga ana tjetër, Delaj ka pranuar se gjakrat janë nxehur dhe për shkak të debatit politik që kanë pasur. 44-vjeçari, i njohur si simpatizant i PS-së, mësohet se ka debatuar me përfaqësuesin e PD-së në Bashkinë Selenicë për faktin se përse fshati Gumenicë ku ai jeton, nuk është përfshirë në projektin e qeverisë “100 fshatrat”.

Ngjarja
Rreth orës 14:55 të së premtes që kaloi, në një lokal në fshatin Kotë, Admir Delaj ka qëlluar me armë gjahu në drejtim të 64-vjeçarit Fatmir Hodo, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Pas vrasjes, Delaj është larguar me mjetin e tij tip “Benz”, në drejtim të banesës së tij në fshatin Gumenicë, ku edhe u prangos nga forcat e policisë.

Në njoftimin zyrtar të saj, Policia ka konfirmuar se ngjarja ka ndodhur për shkak të një konflikti të çastit. Ndërkohë është sekuestruar arma që Delaj kreu vrasjen, të cilën në momentin e krimit e kishte në automjet, por është sekuestruar edhe një tjetër armë gjahu që gjendej në banesën e 44-vjeçarit, e cila ishte e pajisur me leje. Admir Delaj, rreth pesë vjet më parë ishte kthyer nga Italia, ku ka jetuar dhe punuar prej disa vitesh.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN