MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

A do ta rishpikë Rama vetëveten ?

27.12.2018 - 20:16

« Ne synojmë ta telendisim Ramën, t’ja zvogëlojmë legjitimitetin, në mënyrë që ai të humbë vetë zgjedhjet e radhës kurdo që të jenë ato. Protesta e studentëve, aferat që ne publikojmë e ndihmojnë këtë objektiv », më tha një deputet i opozitës, i cili shprehte kështu një bindje të konsoliduar në njerëzit publikë se « qeveritë bien vetë, jo nga opozitat ».

Nesër është mbledhja e radhës e Asamblesë së Partisë Socialiste dhe pikëpyetja është : si do sillet Rama përballë këtij objektivi të armiqve të vet, ndërsa gjendet përpara dy (në fakt tre) ballafaqimeve të rëndësishme deri në qershor të 2019- shqyrtimi i kandidaturës së Shqipërisë në BE dhe zgjedhjet vendore ? Protesta e studentëve gjithashtu është një ballafaqim që nuk është e thënë se zgjidhet përfundimisht me përgjigjen pozitive ndaj 8 pikave të saj.

Kjo pikëpyetje në fakt prodhon ligjshmërisht disa pikëpyetje të tjera : a do ta rishpikë Rama veten, duke kapërcyer mbi rutinën e aksionit të vet politik ? A do dalë ai mbi modelin aktual të sjelljes politike të tij- një Rame të lodhur që harxhon shumë energji dhe kohë në konceptim dhe ekzekutim operacionesh masive PR (dialogje të improvizuara me studentët, por jo vetëm ; në salla, në facebook ; në ëhatsapp etj) ; një Rame që nuk ka kreativitetin e fillimit të mandatit të parë, vendosmërinë e asaj periudhe ?

A do të tregojë ai se mund të shkëputet nga raporti simbiotik që pushteti ka me të ashtuquajturit oligarkë, njerëz që drejtojnë kompani të orientuara kryesisht nga punët publike dhe ndërtimi ?A do të shkëputet nga një grup njerëzish afër tij, kabinet, ministra, të cilët për shkak se Rama privilegjon propagandën, drejtojnë realisht shumë punë të shtetit, njerëz të zhytur në korrupsion galopant, në skema të konsoliduara korrupsioni, të cilët bash për këtë janë shumë të fuqishëm ? A do të shkëputet nga ata kryetarë bashkie, të cilët prej disa mandatesh drejtimi në territor drejtojnë punë publike, prodhojnë interesa dhe garantojnë suksesin e partisë në zgjedhje ?

Këto të mësipërmet nuk janë përgjigje e pyetjes kryesore me pyetje të tjera, por thjesht janë tregues i dilemave që qëndrojnë në vendimmarrjen e kryeministrit në lidhje me këto sfida. Kjo vendimmarje mund të profilohet prej nesër dhe deri atëherë le të interpretojmë shenjat, duke qartësuar sfidat për të.

Dobësitë e Ramës

Në favor të reflektimit pozitiv ndaj protestës së studentëve qendron precedenti francez (i presidentit Makron) i përgjigjes ndaj protestave të jelekverdhëve dhe Rama ngjan se e kopioi, por sfidat janë më të gjera se kaq. Në themel të akuzave ndaj kryeministrit qëndron lidhja okulte me të ashtuquajturit oligarkë që në fakt nuk ngjajnë me oligarkët klasikë lindorë të lidhur pazgjidhmërisht me një grup pushteti në fuqi prej një kohe të gjatë, që ka ndihmuar në lindjen (me privatizime), rritjen (me punë publike) dhe konsolidimin e tyre. Raporti me ta ngjan se është simbiotik për çdo qeveri, jo vetëm për të Ramës : rënia e tyre si punëdhënësit dhe borxhlinjtë më të mëdhenj është baraz me rënien e bankave kreditore të tyre, dhe ekonomisë në përgjithësi në një model ekonomik si ky yni.

Raporti me ministrat, njerëz të kabinetit me aftësi qeverisëse, ligjvënëse, etj, të cilët e kanë zgjeruar fuqinë e tyre në punë shteti, ndërsa Rama luan në PR në shumicën e kohës në mbrojtjen e punëve të qeverisjes, është gjithashtu produkt i këtij modeli qeverisës të sotëm që vlerësohet mbi bazë perceptimi (klikesh). Edhe marrëdhënia e fortë me kryetarë bashkish me ndikim në territor gjithmonë në rritje, është produkt i këtij sistemi elektoral, i këtij modeli politiko-ekonomik gjithashtu.

Shenja rishpikjeje të një Rame tjetër, por a mjaftojnë ?

Është krejt e qartë se Ramës po i krijohen probleme të brendshme, pikërisht për shkak të këtij modeli politiko-ekonomik, i cili ngjan i dështuar që në lindje. Ky model nuk përmban largpamësi, vizion, dhe është në 30 vjet produkt i veprimit dhe mendimit politik të gjithë klasës sonë politike pa dallim.

Shikoni përshembull krizën e universiteteve, krijuar nga zgjerimi i të drejtës për arsim të lartë, që ka sjellë 130 mijë studentë, në një logjistikë që mund të mbajë disa herë më pak. Rama mund të bënte fajtore ministren e arsimit, duke mbajtur madje dhe protestën përreth godinës së saj, por jo, Rama i ftoi protestuesit afër vetes, në një raport misterioz, në të cilin Rama synon të rishpikë veten.

Mund të bënte fajtorë ekskluzivisht rektorët dhe trupën akademike qeverisëse të arsimit të lartë, por dhe këtu ai nuk insistoi. Me përgjigjen e shpejtë ndaj protestave, me një pjesë të dialogut, ndonëse i sforcuar, Rama synon të tregojë se është shprehje e pjesës më të përparuar të shoqërisë, dhe se me ta (në pushtet) mund të bëjë ndryshime të mëdha dhe … të rrijë akoma gjatë në qeverisje.

Një njeri si ai ka treguar se din ta rishpikë veten : e bëri kur kishte përballë çadrën, me bollëkun e lëshimeve që i ofroi opozitës ; e bëri kur kapërceu partinë me rivarrosjen e Midhat Frashërit ; me zgjidhjen (ndonëse të pjesshme) për pronat ; me shtimin e kompensimeve për të persekutuarit, apo me ligjin për dosjet. E ka bërë kur ka kapërcyer qeverinë, partinë, me platformën « Shqipëria që duam », që nga njera anë është organizëm monitorimi të qeverisjes, duke e bërë atë më miqësore me njerëzit, dhe nga ana tjetër, kultivon në mënyrë të pashmangjshme një imazh pozitiv për Ramën, pavarësisht atij të qeverisë.

Mirpo pikëpyetja është : sa të gjatë e ka litarin e autonomisë së tij në vendimmarrje ? A do ta kapërcejë ai modelin ekzistues ekonomik të mbështetur në ndërtime publike dhe ndërtim në përgjithësi ; pa prodhim, pa bujqësi intensive, pa nxitje për start-up ; me një sistem shtetëror që nuk është njerëzor? A do të afrojë ai energji njerëzore të re, manaxherë, që dinë të shfrytëzojnë burimet e bekuara natyrore të vendit ? Nëse po, ku janë ata ?

Nesër pritet kësisoj të kuptohet nëse ai do ta kapërcejë Rubikonin e vet, ndonëse shenja të plota nuk ka. Do ishte fatkeqësi, nëse ai, i këshilluar nga njerëz me eksperiencë globale qeverisëse, me koniunkturë ndërkombëtare relativisht të favorshme në favor të tij- (marrëdhënie shumë të mira me SHBA-të ; me disa vende të BE-së, me disa vende të rajonit, me Turqinë, etj), nuk do të hidhte hapat e duhur për të dalë nga modeli i dështuar politiko-ekonomik ku lëngon Shqipëria.