Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës ka hapur një procedurë hetimi në universitete, për vlerësimin e shërbimeve, konkurrencës midis universiteteve publike e private, standartet e cilësinë e mësimdhënies. Element i hetimit është konkurrueshmëria midis universiteteve, mbështetur në nivelin e tarifave dhe përfitimeve të studentëve.
Sipas Autoritetit të Konkurrencës, hetimi do të ndihmojë që tarifat t’u afrohen sa më shumë kostove, të bëhen të përballueshme edhe nga studentët me të ardhura të pakta.
Gjatë një konference të organizuar nga Autoriteti i Konkurrencës ditën e premte, kryetari i kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, u kërkoi universiteteve publike të rishqyrtojnë të gjitha tarifat e shkollimit e të shërbimeve, për t’u krijuar mundësi studentëve me të ardhura modeste të mos përjashtohen apo kufizohen nga kjo e drejtë.
“Ndërkohë, universitetet private duhet të justifikojnë tarifat e shkollimit me cilësinë e mësimdhënies. Duhet ta kenë të qartë se arsimi privat nuk ka lindur për t’u krijuar mundësi më pak të aftëve, por për të konkurruar arsimin publik dhe rritur cilësinë e sistemit. Por, konstatoj me keqardhje se konkurrenca midis arsimit publik dhe privat nuk zhvillohet për cilësinë e shkollimit dhe fuqinë e tregut të diplomave,” tha Ruçi.
Ai u bëri thirrje të gjitha institucioneve të pavarura që kanë për objekt të veprimtarisë së tyre aspekte të shërbimeve publike dhe mirëqenies, të rivlerësojnë mundësitë që krijonë tarifat e shërbimeve publike për shërbime të aksesueshme për të gjithë qytetarët. Sipas tij, entet rregullatore nuk duhet të cënojnë lirinë e tregjeve, por, as nuk duhet t’i lënë qytetarët nën goditjet e forcave të pashpirt të tregjeve.
“Vetëm kështu institucionet e pavarura do të vihen plotësisht në rolin e tyre edhe si arbitra të lojës së ndershme në treg, por edhe si rojtarë të interesave të qytetarëve,” tha Ruçi.