MENU
klinika

"Do t'i shtypim turqit"

Greqia kërcënon Turqinë/ Egjeu përsëri “mollë sherri”

21.12.2018 - 12:18

Krerët më të lartë të Greqisë kanë paralajmëruar ashpër Turqinë, duke kërcënuar se do të “shtypin” trupat e saj nëse ata guxojnë të vendosen në ndonjë ishull të diskutueshëm në Detin Egje.

Ministri i Mbrojtjes Panos Kammenos paralajmëroi se Ankaraja do të paguante një çmim, për shkeljet e hapësirës ajrore greke me avionë turq mbi Egjeun.

 “Nëse ata bëjnë lëvizjen më të vogël, ne do t’i shtypim ata”, kërcënoi Kammenos. Athina kërkon paqe dhe harmoni, tha ai, por nuk do të pranojë të shkelet një centimetër i vetëm në Greqi.

Kërcënimi u përsërit edhe nga Admirali Evangelos Apostolakis, shefi i Shtabit të Përgjithshëm Grek.

“Nëse turqit vendosen në një ishull shkëmbor, ne do t’i shkatërrojmë ata. Kjo është një vijë e kuqe”, deklaroi Apostolakis. Ai sugjeroi që një konfrontim ushtarak me Turqinë është i mundur, por tha se së bashku me SHBA dhe Bashkimin Evropian duan të sigurohen që të mos arrijnë këtë pikë.

Deklaratat u bënë pasi ushtria greke tha se një çift i F-16 të Turqisë flutruroi mbi ishullin Kastelorizo ​​në Egjeun lindor të enjten, pak minuta pasi një helikopter që mbante ministrin Grek të Mbrojtjes Panos Kammenos udhëtoi aty për të shkuar në Athinë.

Turqia, megjithatë, nuk do të tërhiqet, sipas gjeneralit Hulusi Akar, shefi i Shtabit të saj të Përgjithshëm. “Nuk ka asnjë mundësi që Turqia të tërhiqet nga të drejtat tona dhe popullit tonë”, tha ai.

Pavarësisht se janë formalisht aleatë të NATO-s, Greqia dhe Turqia nuk kanë patur marrëdhënie edhe aq të mira. Republika e sotme turke u themelua pas një lufte të përgjakshme me Greqinë dhe fuqitë perëndimore në vitin 1923.

Armiqësia mes Athinës dhe Ankarasë vazhdoi disa dekada, duke arritur kulmin e saj gjatë Krizës së Qipros, pasi trupat turke pushtuan veriun e ishullit në vitin 1974.

Aktualisht, Greqia dhe Turqia kanë disa mosmarrëveshje lidhur me Egjeun. Disa përplasje mes anijeve luftarake të dy vendeve kanë ndodhur gjatë viteve të fundit, së bashku me konfrontime të shumta të avionëve turq e grekë.

Të dy vendet janë përpjekur disa here të arrijnë një marrëveshje mbi çështjen, por deri tani kanë qenë të pasuksesshme.