Përparimi i detit drejt tokës ka bërë që pishat e kufirit të fundit të brezit të rërës në Kune-Vain të Shëngjinit të rrallohen dita-ditës. Kështu që erozioni po rrezikon çdo ditë e më shumë të zhdukë nga harta zonën e Kune-Vainit.
Dallgët e detit përplasen te pemët dhe po i rrëzojnë një nga një, ndërsa prej vitesh erozioni ka marrë sipërfaqe të mëdha rëre.
Eksperti i mjedisit në Lezhë, Jak Gjini, shpjegon se gjatë viteve të fundit, ky erozion ka qenë mjaft agresiv dhe po krijon një dëm që nuk mund të riparohet.
Gjini bën me dije se nëse nuk ndërhyhet menjëherë, erozioni do të ketë pasoja tepër shkatërruese për Shëngjinin dhe Kunën.
Vitet e fundit deti ka përparuar drejt tokës me të paktën 30 metra. Prova janë bunkerët e dikurshëm të cilat qëndronin mbi rërë e që sot janë mbuluar nga uji.